E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta e vizave, pakti i parë PS-PD



Adi Shkëmbi

Parlamenti voton me konsensus të plotë, 127 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim rezolutës për liberalizimin e vizave.
Në diskutimin e seancën parlamentare, i cili zgjati rreth dy orë, maxhoranca pranoi dy amendamente të opozitës, çka bëri që edhe deputetët e saj të votojnë pro draftit të propozuar nga grupi parlamentar demokrat.
Seanca
Pasi kryetarja e Parlamentit ka lexuar projekt rezolutën, deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade ka kërkuar që në draft të hiqet propaganda e PD-së dhe Qeverisë. “Prandaj le të biem dakord që sot të mos luajmë as me njerëzit e as me interesin e përbashkët të liberalizimit të vizave dhe të heqim nga projekt-rezoluta e propozuar prej jush elementët e propagandës suaj partiake, të cilat as e përshpejtojnë heqjen e vizave dhe as e bëjnë konsensual një dokument, që vlerën e vetme ka pikërisht konsensusin”, është shprehur përfaqësuesja socialiste. Më konkretisht, ajo ka kërkuar që në fjalinë e parë të draftit të hiqet termi ‘përfaqësues të zgjedhur me dëshirën dhe vullnetin e lirë’, duke e argumentuar këtë kërkesë me kritikat e opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit. “Prandaj ne e votojmë këtë projekt-rezolutë siç është duke hequr në krye të preambulës së saj pjesën ku thuhet se “si përfaqësues të zgjedhur me dëshirën dhe vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë”, si edhe duke hequr paragrafin e dytë ku flitet për arritje e suksese të Qeverisë, me të cilat ne nuk biem dakord dhe pa të cilat nuk cenohet aspak përmbajtja e rezolutës”, tha Dade. Nga ana e tij, kryeministri Berisha ka ironizuar fjalimin e mbajtur nga deputetja socialiste duke thënë se “e kam një keqardhje dhe shpresoj të ma pranojë si një keqardhje private se ligjërata jote nuk të ndihmoi ty, nëse ka njeri në këtë sallë që nuk ka përfituar nga anti-berishizmi je ti e nderuara zonja Dade dhe këtë gjeje se e ke aty vetë, nuk e ke nga unë”. Gjatë diskutimit të projekt-rezolutës, Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka bërë një pasqyrë të të gjitha kushteve që ka plotësuar Tirana zyrtare në kuadër të 4 blloqeve të Udhërrëfyesit të hartuar nga komisioni Evropian. Më pas kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka përsëritur edhe njëherë dy propozimet e opozitës për të hequr vlerësimet për Qeverinë dhe fjalinë e parë që ka të bëjë me misionin e Kuvendit. “Pa e prishur përmbajtjen e paragrafit të parë, ne kërkuam që në përmbushje të misionit të Kuvendit si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve shqiptarë, duke hequr atë dhe njëherësh zonja Dade trajtoi që pika 2 nuk ka vend dhe nuk e prek thelbin e rezolutës. Ashtu sikurse nuk është vendi që në këtë rezolutë të gjejnë vend vërejtjet që kemi ne për ju, ashtu s’ka vend në këtë rezolutë vetëlavdërimet tuaja për veten tuaj në një rezolutë që i drejtohet dhe shprehet një vullnet politik”, tha kreu i grupit socialist. Në të njëjtën kohë, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule ka propozuar ngritjen e një grupi ad hoc, për të riformuluar projektin e paraqitur nga PD-ja. Por megjithëse janë kërkuar disa minuta pushim, Kryeministri Berisha ka rënë dakord me propozimet e PS-së, duke hequr termin ‘dëshirën dhe vullnetin e lirë’ si dhe ‘vlerësimet për qeverinë’ janë zëvendësuar me ‘vlerësimet për autoritetet shqiptare’. “Ju u bëtë Ruzhdie mo zotëri, po lëre tani. E di si thoshte njëri, si ti gjejmë një burrë Ruzhdies. Unë këtu do ta formuloja në këtë mënyrë ‘në përmbushje të misionit të Kuvendit’. E kanë frikën te ‘vullneti’, po e heqim ‘vullnetin’. E bëjmë në ‘në përmbushje të misionit të Kuvendit si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve shqiptarë’”, tha kryeministri Berisha. Më pas kryeparlamentarja ka hedhur në votim projektin, duke e votuar atë me të gjitha votat e deputetëve në sallë.

Rezoluta për liberalizimin e vizave me be

Në përmbushje të misionit të Kuvendit dhe si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve shqiptarë;
Në respekt të plotë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe synimit madhor të shqiptarëve për të qenë pjesë me të drejta të plota në familjen evropiane;
Të vendosur për të zbatuar detyrimet që rrjedhin gjatë procesit të integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, i mbledhur sot, në datën 11.03.2010

- Me bindjen se lëvizja e lirë e njerëzve çon në forcimin e lidhjeve njerëzore, ekonomike, kulturore dhe shkencore mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duke qenë kësisoj mbështetje e për një Shqipërie që përparon nëpërmjet forcimit të demokracisë ekonomisë së tregut, vlerave të shtetit të së drejtës në dobi të qytetarëve
- Duke çmuar dialogun me BE-në për liberalizimin e vizave si mbështetje për plotësimin e detyrimeve dhe si një proces të bazuar në përmbushjen e kushteve të vendosura në Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave
- Duke vlerësuar angazhimin e Parlamentit dhe Këshillit të BE-së, për liberalizimin e vizave me Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur, të shprehur në deklaratën e përbashkët të Këshillit dhe Parlamentit më 12 nëntor 2009
- i bindur se procesi i liberalizimit të vizave është pjesë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë
- duke konsideruar se ky proces është në dobi të zhvillimit dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

1. Konfirmon mbështetjen e të gjitha forcave politike të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për liberalizimin e shpejt të vizave dhe mbështet me vendosmëri lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në hapësirën “Shengen”.
2. çmon arritjet e autoriteteve shqiptare, në përmbushjen e detyrimeve në procesin e liberalizimit të vizave dhe mbështet përpjekjet e saj inkurajon për të konsoliduar më tej përparimin e dukshëm të vlerësuar tashmë edhe nga institucionet e BE.
3. Vlerëson rezolutën e datës 26 nëntor 2009 të Parlamentit Evropian në të cilën shprehet mbështetja se liberalizimi i vizave të mund të realizohet deri në korrik 2010.
4. Shpreh njëherazi kënaqësinë për përfundimin e misioneve të ekspertëve të KE-së dhe besimin se Komisioni do të realizojë përgatitjen e raportit vlerësues në fillim të pranverës 2010, për t’i hapur rrugën marrjes së vendit për liberalizimin e vizave nga Këshilli i BE para muajit korrik 2010.
5. Mirëpret që Parlamenti Evropian, vendet anëtare dhe Komisioni Evropian të marrin në konsideratë përmbushjen e detyrimeve të udhërrëfyesit nga Shqipëria, si dhe konsensusin që ekziston mes të gjitha forcave politike të Republikës së Shqipërisë, për arritjen e objektivit të udhëtimit pa viza të qytetarëve shqiptarë në hapësirën Schengen, si pjesë e aspiratës së tyre për lirinë e lëvizjes.

Ministri i Brendshëm përuron Zyrën e Emigracionit në Elbasan
Basha: Kemi plotësuar kushtet, brenda marsit raporti i KE-së

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha tha dje se gjatë këtij muaji pritet që ekspertët që kanë parë nga afër plotësimin e kushteve të Udhërrëfyesit të përfundojnë raportin për Shqipërinë. “Në mars pritet hartimi dhe dorëzimi në Komision i raporteve të ekspertëve. Pas kësaj Komisioni pritet të hartojë raportin, i cili më pas do të diskutohet (në Këshill (grupi i punës për vizat). Në të njëjtën kohë do të hartohet propozimi për ndryshimin e Rregullores 539/2001 për regjimin e vizave, i cili do të kalojë për miratim në Këshill dhe Parlamentin Evropian. Koha e vendimmarrjes nga institucionet e ndryshme Evropiane do të jetë përcaktuese për shpejtësinë e procesit”, tha Basha në fjalimin e mbajtur në Kuvend. Në të njëjtën kohë, ai bëri një paraqitje në detaje të të gjithë ecurisë së plotësimit të katër blloqeve. Duke iu referuar sigurisë së dokumentacionit, Ministri i Brendshëm tha se numri i pasaportave biometrike ka arritur në 510 mijë, dhe i kartave të identitetit në 2 milionë, ndërsa për menaxhimin e kufijve theksoi se është instaluar dhe funksionon sistemi TIMS në të 24 pikat e kalimit kufitar. “Ka përfunduar instalimi i 63 lexuesve të rinj optikë për kontrollin dhe leximin e pasaportave biometrike në 24 PKK. Funksionon plotësisht në 12 drejtori të policisë në qarqe dhe në 8 Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit sistemi i analizës së informacionit kriminal MEMEX. Në të gjitha PKK ka një lidhje në kohë reale me bazën e të dhënave të Interpol”, tha më tej Basha. Përsa i përket rendit dhe sigurisë, ministri theksoi se lidhur me masat kundër krimit financiar, vetëm gjatë vitit 2009 janë konfiskuar 3,736,275 euro në llogari bankare. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, Basha mori pjesë në përurimin e Zyrës së Migracionit pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan. “është një tregues tjetër i qartë i standardit që ka arritur sot Policia Kufitare dhe Migracionit, që shkon përtej asaj që kërkon udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. është një tregues i qartë i vullnetit të Qeverisë shqiptare dhe kapaciteteve tona nëpërmjet Policisë Kufitare dhe Migracionit, për të trajtuar çdo kërkesë për azil, në mënyrë të rregullt sipas legjislacionit në fuqi në Shqipëri, sipas normave e standardeve evropiane dhe sipas të gjithë standardeve ndërkombëtare”, theksoi Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›