E Diel, 1 Nëntor 2026

S’dha ryshfet, goditet emigrantja



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Nuk dha ryshfet për të marrë kartën e identitetit, del e gjakosur nga zyra emigrantja 53-vjeçare, pasi goditet në fytyrë nga punonjësit e saj. Të paktën ky është pretendimi i Ilda Tomës, e cila prej vitesh jeton bashkë me familjen e saj në Greqi. Ajo është paraqitur në Policinë e Korçës ku ka denoncuar punonjësin e zyrës së kartave të identitetit, i cili sipas saj e ka dhunuar fizikisht, pasi ajo nuk kishte pranuar t’i jepte 20 euro. Sipas dëshmisë së gruas, ajo ishte kthyer ditët e fundit nga shteti helen bashkë me të shoqin dhe djalin e saj me qëllim të që pajisej me pasaportën biometrike dhe kartën e identitetit. Mësohet se Ilda Tome, nga Korça ka shkuar dje me familjarët e saj për të marrë kartat e identitetit. Bazuar te dëshmia e saj në polici pohohet se, një person e kishte ndihmuar atë për ta futur jashtë radhe në zyrë, por këtu i janë kërkuar 20 euro si shpërblim që të merrte kartat e identitetit të familjes. “Ky ryshfet u kërkohej atyre qytetarëve që vinin me makina me targa greke. Me sa duket ata synojnë kryesisht tek emigrantët, që të marrin prej tyre para”, u shpreh 53-vjeçarja. Gruaja pohoi se nuk kishte pranuar të paguajë para dhe në debat e sipër me një nga punonjësit është goditur prej tij me një vizore në kokë. Pasi ka dalë e gjakosur nga zyra, bashkëshorti dhe djali i saj kanë reaguar duke ushtruar dhunë fizike mbi punonjësin e zyrës së kartave të identitetit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. “Kisha tre kuponë për marrjen e kartave të identitetit. Fillimisht më ndihmuan të hyja jashtë radhe brenda zyrës, por më pas më kërkuan të paguaja 20 euro për pajisjen me këto dokumente identifikimi”, u shpreh 53-vjeçarja. Sipas saj, nga ana e punonjësve i janë kërkuar 15 euro në rast se nuk kishte që t’iu paguante 20 euro. aq sa ata donin që në fillim, por sërish nuk ka pranuar gjersa njëri prej tyre e goditi atë në fytyre e kokë me një vizore. Pas konfliktit, të dy palët i janë drejtuar Policisë së Korçës, e cila mbërriti në zyrën ku kishte ndodhur incidenti. Blutë morën dëshminë e gruas dhe familjarëve Tome, si dhe të punonjësve që janë ndodhur në zyrë në momentin kur dyshohet se ka ndodhur edhe përplasja fizike ndërmjet palëve.
Gruaja pohoi dje se ajo ka marrë edhe një raport mjeko-ligjor për dëmtimin e saj në kokë, ndërkohë që akuzon punonjësit edhe për korrupsion. Ndërsa këta të fundit, nuk kanë vonuar me denoncimin e tyre, duke akuzuar për goditje për shkak të detyrës familjarët e 53-vjeçares. Policia bëri të ditur se po heton këtë rast pasi ka marrë dy denoncimet e palëve të përfshira në konflikt. Zyrat e aplikimeve për karta të identitetit në Korçë janë kthyer prej muajsh në objekt konflikti për qytetarët pasi këta të fundit janë detyruar të presin me ditë të tëra në radhë për pajisjen me dokumentin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›