Athinë, kapen shqiptarët mbanin 13.3 kile heroinë
• ATHINE - Policia greke shkatërroi paraditen e djeshme një organizatë ndërkombëtare të trafikut të lëndëve narkotike ku bënin pjesë disa shqiptarë.Në pranga ranë shtatë persona, katër prej të cilëve shtetas shqiptarë, dy sirianë dhe një grek. Emrat e të ndaluarve nuk janë publikuar. Operacioni u zhvillua në lagjen "Galaci" të kryeqytetit helen dhe në shtëpitë e të gjithë të dyshuarve. Gjatë kontrollit të banesave të tyre, policia sekuestroi 13.3 kilogramë heroinë të pastër, 173 gramë kokainë, një sasi të konsiderueshme hashashi dhe disa armë. Burime policore greke pohuan pas arrestimit, se të arrestuarit e djeshëm ndodheshin në survejim prej disa muajsh nga agjentët e policisë. Paraditen e djeshme policia nisi operacionin njëkohësisht në shumë pika të lagjes "Galaci" ku ndodheshin banesat e të arrestuarve, në mënyrë që të mos u linte atyre mundësi për të fshehur lëndën narkotike apo për t'iu shmangur prangave. Pas hetimeve paraprake bëhet e ditur se pritet të prangosen të tjerë persona, që rezultojnë të kenë lidhje me shtatë të prangosurit e djeshëm. Në bazë të deklarimeve të dhëna nga këta gjatë marrjes në pyetje policia pohon se ka zbardhur origjinën e lëndës narkotike, destinacioni i së cilës ishte tregu vendas.