Qeni i zbuloi drogën në makinë, në gjyq për trafik 27-vjeçari
• VLORE - Qeni i policisë gjeti drogë në makinën e tij, Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimet dhe dërgon në gjykatë dosjen penale ndaj 27-vjeçarit Saimir Bana.Ai akuzohet se ka tentuar të trafikojë në drejtim të Italisë 4 kile drogë, e cila është zbuluar në makinë nga qeni antidrogë i Policisë Kufitare. Kontrolli është bërë në portin e qytetit të Vlorës kur i arrestuari po tentonte të nisej më tragetin e linjës së Italisë. Gjatë kohës që policia po verifikonte dokumentet e të dyshuarit, qeni antidrogë ka nuhatur makinën duke gjetur diçka të dyshimtë brenda gomës rezervë të automjetit. Kaq është dashur për të tërhequr vëmendjen e efektivave të policisë, të cilët kanë hapur gomën rezervë dhe kanë gjetur brenda saj sasinë prej 4 kilogramë kanabis sativa. Ata menjëherë kanë ndaluar drejtuesin e makinës duke i vënë prangat dhe i kanë sekuestruar automjetin bashkë me sasinë e drogës. Pas arrestimit të 27-vjeçarit, Policia e Vlorës referoi dosjen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për kompetencë hetimi. Ky veprim është bërë për shkak se i arrestuari kishte tentuar të trafikonte drogë në rrugë ndërkombëtare përmes tragetit që nisej nga Vlora në drejtim të Italisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetime të thelluara për ndonjë rast tjetër të kalimit të drogës drejt Italisë nga i arrestuari, por një gjë e tillë nuk është provuar. Pas kësaj, hetuesit kanë verifikuar për vendin dhe personat tek të cilët i arrestuari e kishte blerë drogën. Mësohet se kanabisi i sekuestruar ishte marrë në rrethinat e Vlorës vetëm pak ditë para se i arrestuari të tentonte kalimin në drejtim të Italisë.