Pranga dy biznesmenëve për mashtrim
• Prangosen pas 5 ditësh nga akuzat publike për mashtrim dy biznesmenët e firmës së konfeksioneve në Korçë.KORÇE / JORGJETA GJANÇIJani Lluka dhe Ilia Nikolla iu drejtuan vetë Ministrisë së Brendshme për të sqaruar pozicionin, por pas dëshmive dhe provave të mbledhura u është komunikuar masa e arrestit. Ndaj tyre, sipas Prokurorisë së Korçës ka nisur hetimi me akuzën e "mashtrimit në shuma të mëdha parash", të disa personave, ndërsa po verifikohet akuza e veprimtarisë si firmë piramidale. Prej disa vitesh ata akuzohen se kanë mashtruar një grup qytetarësh të Korçës duke iu marrë para hua kundrejt një përqindjeje fitimi prej 12%, për të cilën nënshkruan dhe deklarata noteriale. Por, huadhënësit kanë pohuar se nuk u janë kthyer paratë e as interesi, duke kërkuar ndihmën e gjykatës e prokurorisë. Nga ana e tyre, dy biznesmenët kanë komunikuar nëpërmjet telefonave apo e-maileve se janë persona të ndershëm dhe se do t'ua kthejnë borxhet huadhënësve të tyre. Për të sqaruar pozitën e tyre, mbrëmjen e së premtes janë paraqitur në një takim me drejtues të lartë të Ministrisë së Brendshme. Aty është gjykuar bashkërisht se është në interes të situatës që ata të përballen me huadhënësit e tyre, të cilët si në organet e drejtësisë dhe në media kanë deklaruar se dy biznesmenët nuk ishin treguar korrektë me shlyerjen e parave dhe kësteve të përqindjes së fitimit të sanksionuar në deklaratat noteriale të nënshkruara nga të dyja palët. Njëherësh huadhënësit kanë deklaruar se Lluka e Nikolla u fshiheshin ose i kërcënonin nëpër telefona. Punonjës të Ministrisë së Brendshme, pas kontaktit me drejtues të Policisë së Korçës kanë vendosur dërgimin e biznesmenëve në Korçë. Të shoqëruar nga oficerë të Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës dy biznesmenët janë sjellë në qytetin e tyre me mjetet e policisë në orët e para të ditës dhe rreth orës 10:45 janë futur në mjediset e dhomave të izolimit pranë Komisariatit të Policisë në Korçë. Një ditë më parë, dy prej huadhënësve, Dylber Gjiriti dhe Arjan Terrolli kishin paraqitur në Prokurorinë e Rrethit denoncimet e tyre për dy biznesmenët, ku deklaronin se ishin mashtruar prej Llukajt dhe Nikollës. Në deklaratën e të parit citohej se ai kishte dhënë 25 mijë dollarë, ndërsa i dyti 1 milion lekë. Në bazë të këtyre kallëzimeve për dy pronarët e firmës "Interkonfeksion Kompani" kishte filluar procedim penal nga Prokuroria e Korçës. Lluka dhe Nikolla kanë dhënë shpjegime rreth akuzave të ngritura për ta dhe kanë këmbëngulur se e gjithë huamarrja ka qenë e bazuar në mirëkuptimin dhe dëshirën e të dyja palëve. Në dëshminë e tyre kanë deklaruar se kishin pasur qëllim që të ringrinin firmën e tyre të konfeksioneve, e cila që nga shtatori i vitit të kaluar është mbyllur për shkak të vështirësive financiare. Punonjësit e zyrës së luftës kundër Krimit Ekonomik, bazuar në urdhrin e Prokurorit të Rrethit Përparim Vukaj dhe në provat që kishin grumbulluar rreth veprimtarisë së tyre huamarrësve vendosën arrestimin e dy biznesmenëve.Avokati: Janë kthyer paratë"Dy biznesmenët janë ndaluar dhe jo arrestuar!". Kështu është shprehur avokati mbrojtës i tyre, Gjergji Gjoka. Kundërshtimi i tij fillon që me përpilimin e urdhrit të ndalimit nga prokurori i Rrethit, që sipas tij nuk është i ligjshëm. Avokati pohon se gjithçka nisi më 25 shkurt, kur në media u akuzuan publikisht biznesmenët se krijuan një firmë të re piramidale në Korçë. "Po të ishte firmë piramidale, dy biznesmenët do të merrnin paratë e huadhënësve dhe nuk do t'ua kthenin më. Ata pjesën më të madhe ua kanë kthyer paratë, por huadhënësit u kërkojnë përqindjet e fitimit të pashlyera". Sipas tij, përcaktimi i urdhrit të ndalimit me shprehjen "autorët kanë kryer një vepër penale dhe mund të largohen e t'i shmangen përgjegjësisë", nuk është i vërtetë por është një justifikim për daljen e urdhrit të ndalimit nga prokurori. "Personat e ndaluar, - u shpreh avokati i tyre Gjoka-, jo vetëm që nuk janë larguar ndonjëherë e as shmangur, por nuk kanë kryer edhe krimin për të cilin shprehet prokurori. Dikush është i interesuar që të ndalojnë biznesin e këtyre dy biznesmenëve dhe për këtë qëllim nxitën edhe shoun mediatik".