Qëllohet me armë makina e turistëve
• SHKODER - Qëllohet me armë makina e dy turistëve gjermanë.Një nga gomat e mjetit është shpuar, ndërsa policia që nisi hetimin për ngjarjen pohon se dyshohet dhe për një plumb qorr. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 të së premtes, në afërsi të fshatit Drisht, komuna Postrribë. Një çift të rinjsh gjermanë të ardhur si vizitorë në Shqipëri kanë qenë duke udhëtuar me mjetin e tyre, tip rulotë në këtë zonë. Të apasionuar pas turizmit malor ata nga Mali i Zi hynë mëngjesin e djeshëm në Shkodër dhe në mbrëmje kanë marrë rrugën për në qytet, ku dhe janë ndalur për të ngrënë nga ushqimet që kishin me vete. Por në këtë moment, janë dëgjuar të shtëna me armë, duke i detyruar turistët nga frika të nisen menjëherë për në drejtim të Shkodrës. Por pasi kanë bërë rreth 500 metër rrugë kanë konstatuar se mjeti i tyre nuk ishte në rregull ndaj dhe janë ulur për ta parë se çfarë kishte ndodhur. Sapo kanë zbritur nga furgoni turistët kanë parë se rrota e përparme e mjetit ishte e shpuar nga një plumb. Të frikësuar ata kanë lënë mjetin dhe janë afruar te një shtëpi pranë rrugës, ku dhe kanë kërkuar ndihmë. Të zotët e shtëpisë, pasi i kanë futur brenda dhe kanë mësuar me shenja se çfarë u kishte ndodhur dy të huajve kanë njoftuar policinë. Dy të rinjtë gjermanë kanë qëndruar aty derisa pranë shtëpisë ku ishin strehuar, ka mbërritur një furgon i grupit të gatshëm të Policisë së Shkodrës. Ata kanë komunikuar me të huajt, duke i shoqëruar në komisariatin e policisë. Policia ka kryer veprimet përkatëse dhe ka konstatuar një shenjë plumbi në gomën e parë të mjetit, si dhe dy gëzhoja jo shumë larg vendit ku është qëlluar automjeti. Sipas Policisë së Shkodrës edhe pse akoma nuk janë përcaktuar shkaqet e të qëlluarit me armë dhe as personat që e kanë bërë këtë, pohojnë se në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndonjë tentative grabitjeje, duke dyshuar se të shtënat mund të kenë qenë të rastësishme dhe plumbi pas rikoshetës ka rënë në gomë. Megjithatë, të gjitha pistat janë nën hetim. Mëngjesin e djeshëm, turistët kanë vazhduar udhëtimin, pa dhënë adresë, duke pohuar se udhëtimi i tyre nuk mund të jetë i rrezikshëm. r.d