E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat në qendër të Athinës, shi plumbash mbi 20-vjeçarin

• ATHINE - Një emigrant shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri në kryeqytetin e Greqisë mbrëmjen e djeshme.Andi Zoto, 20 vjeç ka mbetur i vdekur në vend pasi është qëlluar disa herë me armë zjarri. Ngjarja ndodhi kur emigranti shqiptar nga Fieri ishte duke udhëtuar me motor në rrugën "Aharnon 202" të Athinës. Sipas policisë dhe dëshmitarëve nga vendi i krimit, i riu shqiptar është qëlluar nga të paktën dy persona. Ata kanë shtënë disa herë me armë duke mos i lënë asnjë mundësi shpëtimi viktimës së atentatit. Sipas dëshmitarëve okularë, edhe autorët e krimit ashtu sikurse viktima e atentatit kanë qenë duke lëvizur me motor kur kanë shkrehur breshëri të tëra në drejtim të 20-vjeçarit nga Fieri. Policia tha se në motor bashkë me viktimën ndodhej duke udhëtuar edhe një person tjetër i cili sipas të dhënave hetimore mësohet se nuk ka pësuar asnjë plagë. Policia ka mbërritur shpejt në vendin e krimit pasi atentati ndodhi në afërsi të qendrës së Athinës. Hetuesit grekë kanë verifikuar vendin e ngjarjes nga ku kanë mësuar se një numër i madh plumbash kishin qëlluar viktimën i cili kishte vdekur menjëherë. Ndërkaq autorët e ngjarjes janë larguar menjëherë sapo 20-vjeçari ka rënë përtokë. Ata kanë përdorur motorin e tyre me të cilin po lëviznin kur qëlluan me armë mbi viktimën. Ky i fundit dyshohet se është ndjekur nga vrasësit për disa minuta dhe më pas ka rënë pre e atentatit në afërsi të qendrës së kryeqytetit grek. Dje në mbrëmje policia tha se po punonte për identifikimin dhe arrestimin e autorëve ndërsa nuk kishte të dhëna për identitetin e tyre. Dyshohet se ngjarja ka pasur për shkak konfliktet mes grupeve të ndryshme të emigrantëve shqiptarë me qëndrim në Greqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›