E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet raundi i peste i bisedimeve Prishtine- Beograd

Raundi i pestë i bisedimeve nuk do të mbahet më 14 dhe 15 qershor siç ishte paralajmëruar, ndërsa palët shprehin qëndrime të ndryshme. Për këtë raund qe paralajmëruar se do të përfundonte me nënshkrimin e disa marrëveshjeve, kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, tha se bisedimet janë shtyrë, pasi Beogradi i trembet nënshkrimit të marrëveshjeve për temat e diskutuara si lëvizja e lirë, tregtia, energjia dhe telekomunikacioni.

Por, kreu i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviq, tha se shtyrja është bërë në marrëveshje me të dyja palët. "Mendoj se nuk është e rregullt të bëhen prononcime të tilla, veçanërisht nga ana e Prishtinës, sepse e dinë më së miri se kush ka qenë më shpesh kundër nënshkrimit të marrëveshjeve. Kjo nuk na sjell më afër marrëveshjeve dhe unë mohoj drojën ndaj çdo nënëshkrimi. Jemi të gatshëm të arrijmë marrëveshje me Prishtinën. Dhe, mendoj se jemi shumë afër", citohet të jetë shprehur Stefanovic i cili ka kërkuar nga ndërmjetësuesi  i BE- së Robert Cooper dhe shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri që takimi i radhës të shtyhet dy javë.

Stefanovic është tërhequr nga projektmarrëveshjet të njëjtën ditë kur Parlamenti i Holandës refuzoi të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Serbinë pavarësisht plotësimit të kushtit për arrestimin e kriminelit të luftës Ratko Mladic. Holanda është i shteti i fundit i BE-së që ende nuk e ka ratifikuar MSA-në me Beogradin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›