E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë, shkarkohet shefi i policisë

Shefi i policisë greke u shkarkua sot nga ministri i Brendshëm pas kritikave për "sjellje arbitrare" të forcave të rendit, që kanë bërë dje në mbrëmje disa arrestime "të papranueshme" në qendër të Athinës.
Ministri i ri i Brendshëm, Michallis Chryssohoidis, kërkoi dhe arriti të sigurojë shkarkimin e Vassilis Tsiatouras, i cili e mbante këtë post që prej vitit 2007, pas ndërhyrjes së forcave të rendit në një kafene në sheshin "Exarchia", gjatë prezantimit të një libri, e pasuar nga arrestime të personaliteteve të majta.
Sjellja e policëve, të cilët mbushën lokalin gjatë prezantimit të një libri dhe arrestimi i disa pjesëmarrësve është i papranueshëm", bëri të ditur Chrysohoidis në një deklaratë për median, duke kërkuar "publikisht" falje për arrestimet.
Ndërhyrja e forcave të rendit në kafene u parapri nga përplasje mes policisë dhe një grupi të vogël të rinjsh, që hodhi gurë kundër patrullave policore në lagje, përpara se të largohej. Të rinjtë protestonin kundër pranisë së përditshme të policëve në "Exarchia", që prej marrjes zyrtare të detyrës nga qeveria e re socialiste, e dalë nga zgjedhjet e katër tetorit.
Pasi tregoi javën e kaluar "vendosmërinë e tij në vendosjen e rendit" në lagjet e Athinës, Chryssohoidis theksoi se "respektimi i ligjit nuk ka të bëjë vetëm me qytetarët por edhe me shtetin".
"Zelli i tepruar, që çoi në logjikën e 'sherifit dhe të 'rambo'-s nuk është rruga e duhur", shtoi ai, përpara se të njoftojë "krijimin e një zyre të posaçme që do t'u bëjë të mundur qytetarëve denoncimin e akteve arbitrare të policisë".
Përleshjet mes policëve dhe të rinjve në sheshin "Exarchia" janë të shpeshta që prej dhjetorit të vitit 2008, pas vdekjes së një adoleshenti për shkak të një gabimi policor. Kjo vdekje solli akte dhune të paprecedent në Athinë dhe në qytete të tjera të Greqisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›