Athinë, shqiptari arratiset me helikopter nga burgu
Alket Rizai dhe Vasil Paleokosta ishin vetëm pak ditë para nisjes së gjyqit për arratisjen nga burgu të vitit 2006
ATHINË - Sërish arratisje spektakolare në burgun e sigurisë më të lartë në Athinë, Koridalos. Shqiptari Alket Rizai dhe shoku i tij Vasil Paleokosta realizuan arratisjen e dytë në tre vitet e fundit nga burgu duke përdorur sërish largimin nga ajri me anë të një helikopteri. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 të ditës së diel, kohë në të cilën të burgosurit ndodheshin në oborr. Policia greke është vënë në kërkim të dy të dënuarve, ndërkohë që për projektuesin e arratisjes së parë, Niko Paleokostën, janë rritur masat e sigurisë.
Arratisja
Vasil Paleokosta, i dënuar për vjedhje me armë dhe pengmarrje dhe shoku i tij shqiptar Alket Rizai ishin vetëm disa ditë para nisjes së procesit gjyqësor për arratisjen e tyre nga burgu në vitin 2006. Por në kohën e drekës, një helikopter është ulur në çatinë e burgut të sigurisë më të lartë në Athinë dhe u ka hedhur një shkallë litari. Dy burrat janë ngjitur në helikopter dhe më pas gjithçka ka marrë fund. Reagimi i rojeve nuk ka qenë i mundur, ndërsa menjëherë ka nisur kërkimi për ta.
Hetimi
Mjeti fluturues me të cilin dy të burgosurit u arratisën u raportua më pas se ishte gjetur i braktisur në një rrugë kryesore, rrugë që të çon drejt maleve qendrore të Greqisë, një zonë në të cilën Paleokosta, 42 vjeç, arriti të fshihej pa problem nga policia në vitet e mëparshme. Mediat shprehen se një arratisje e tillë duket si një mallkim për sigurinë e burgjeve greke. Tre vjet më parë, të dy burrat u arratisën në kohën kur një helikopter i rrëmbyer u ul në oborrin qendror të burgut të Koridalos në kohën e pushimit. Projektuesi i asaj arratisjeje ishte vëllai i Vasilit, Niko, i cili u kap dhe është i burgosur, ndërsa tashmë pritet që ndaj tij të rriten masat e sigurisë.
Arratisja e parë
Niko Paleokosta, një nga njerëzit më të kërkuar në Greqi realizoi një arratisje nga burgu, duke ulur një helikopter në oborrin e burgut për të marrë vëllanë e tij Vasilin dhe një shok të tij Alket Rizain. Policia u shpreh në 2006-n se Niko Paleokosta dhe një person tjetër e detyruan pilotin e një helikopteri privat që të fluturonte nga jugu në burgun e sigurisë më të lartë në Athinë, Koridalos, ku ata hodhën tymuese në oborrin ku u ulën, duke shkaktuar rrëmujë. Më pas ata morën vëllanë e Nikos dhe shokun e tij shqiptar, Alket Rizai dhe u larguan. Pasi u ulën pranë një varreze, dy burrat u larguan me motoçikleta bashkë me të dënuarit, duke e lënë pilotin, i cili u ndalua. Vasil Paleokosta, 40 vjeç, po kryente një dënim 25-vjeçar për rrëmbimin e një biznesmeni grek. I burgosuri tjetër shqiptar, Alket Rizai, 32 vjeç, po vuante një dënim me burgim të përjetshëm për vrasje. Niko Paleokosta ishte një nga njerëzit më të kërkuar në Greqi. Ai vetë u arratis nga burgu në 1990-n. Ai u burgos për rolin në një seri grabitje bankash dhe u dënua në mungesë për të njëjtën pengmarrje si i vëllai. Disa kohë më parë ata u arrestuan të tre, pas një operacioni të policisë, megjithatë arratisja e djeshme tregoi edhe një herë aftësinë e tyre për të anashkaluar masat e sigurisë së policisë greke.
Përgatiti: