Pranga pesë trafikantëve të njerëzve
Vlorë - Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, policia e Vlorës në bashkëpunim edhe me Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar, Tiranë ka bërë bërë të mundur arrestimin e 5 personave, të cilët prej kohësh ishin dyshuar për trafik klandestinësh.
Nga hetimet e kryera grupi hetimor i ngritur për çështjen ka bërë të mundur zbardhjen e linjës së trafikut të klandestinëve në detaje dhe njëkohësisht prangosjen në kushtet e flagrancës së 5 shtetasve: Qazim Dautaj, 55 vjeç, lindur në fshatin Dukat dhe banues në lagjen "28 Nëntori" të qytetit të Vlorës;
Elidon Demaj, 31 vjeç, lindur në fshatin Velçë e banues në lagjen "Isa Boletini", Vlorë; Andrea Rako, 44 vjeç, lindur e banues në fshatin Mursi të Sarandës; Dalip Dalipaj, 34 vjec, lindur në Vlorë e banues në Sarandë dhe Simon Kato, 47 vjeç, nga Vlora.
Arrestimi
Të pestë këta persona janë kapur teksa po çonin klandestinë në afërsi të kufirit tokësor me shtetin grek, linjë që sipas bluve të Vlorës, ndiqej nga ky grup. Nga hetimet ka rezultuar se klandestinët vinin nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, transportoheshin me shoqërues në Sarandë, ku strehoheshin në hotele, e më tej me autobus i afroheshin kufirit tokësor grek. Sipas policisë, transporti i klandestinëve drejt Greqisë kryhej kundrejt pagesës prej mbi 2 mijë euro për person. Policia ka prangosur pesë personat, ndërsa ka shoqëruar edhe klandestinët. Ndaj këtyre të fundit është marrë masa e gjobës dhe më tej janë lënë të lirë.
Provat
Si prova materiale policia ka mundur të sekuestrojë tre automjete, një numër të konsiderueshëm aparatesh celulare dhe një sasi parash prej rreth 6 mijë eurosh. Të pestë personat tashmë janë në paraburgimin e Vlorës ku do të presin gjykimin për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Me gjithë tragjeditë e ndodhura kohët e fundit në kufirin shqiptaro-grek, shqiptarët vazhdojnë që të largohen përmes mënyrave jo të ligjshme drejt shtetit fqinj.
Golem, do të prishen 230 ndërtime pa leje
KAVAJË - Rreth 230 ndërtime në Golem rrezikojnë shembjen. Pas mbarimit të verifikimit mbi përshtatshmërinë ligjore të shumë ndërtimeve në bregdetin e Golemit dhe të Durrësit, ka rezultuar se 120 objekte pa leje në Golem do të prishen. Ky aksion do të fillojë në zonën e Golemit gjatë këtyre muajve dhe pas përfundimit të sezonit turistik 2009. Shembjet parashikohet të fillojnë në Golem dhe të përfundojnë në zonën bregdetare turistike të Durrësit, pasi sipas të dhënave edhe këtu janë rreth 110 objekte të cilësuara nga ekspertët e Policisë Ndërtimore të Tiranës si "të paligjshme dhe me mungesë në dokumentacion". Konfirmimin për këtë aksion e ka dhënë shefi i Policisë Ndërtimore në Golem, Edmond Lusha. Ai tha për mediat se "në këto ndërtime përveç lokaleve, restoranteve dhe hoteleve përfshihen edhe shumë shtëpi banimi, por edhe pallate të ndërtuara me leje të dhëna nga KRRT-ja e komunës në kundërshtim me ligjin". Deri në fund të muajit maj do të prishet një pjesë e madhe e ndërtimeve pa leje, ndërsa pjesa e mbetur do të prishet pas mbarimit të sezonit turistik, me qëllim eliminimin e shqetësimeve për turistët. Sipas Lushës, objekt shembjeje do të jenë dhe shtëpi banimi, të cilat janë ndërtuar pas viti 1990 në zonat turistike në kundërshtim me ligjin. "Këto subjekte, - thekson Lusha, - nuk do të preken deri në rishqyrtimin e dokumentacinit që disponojnë pronarët, ndërsa dega e Policisë Ndërtimore do të jetë e detyruar të shembë vetëm shtëpitë që janë të ndërtuara në pikat më të nxehta dhe në ato më kyçet. Për këtë janë hartuar programet përkatëse që do të fillojnë të vihet në zbatim gjatë muajve të ardhshëm". Përfaqësuesit e Komunës së Golemit kanë deklaruar se "do të zbatojmë ligjin duke ndëshkuar jo vetëm pronarët e objekteve të paligjshme, por edhe zyrtarët e komunave dhe bashkive që kanë firmosur dhe lejuar ndërtimin e tyre prej vitesh, duke i penalizuar ata në organet e drejtësisë". Para disa kohësh në gazetën "Shekulli" u publikua edhe një protestë e banorëve të zonës të cilët kanë akuzuar personat e veshur me pushtet, që kanë pushtuar hapësirat të territorit të tyre duke vënë gishtin deri tek vilat e ish-ministrit të Mbrojtjes Mediu dhe Delijorgji, këta të fundit të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit.