E Diel, 1 Nëntor 2026

Grinden adoleshentët, godet shokun me thikë

PLAGOSJA/ Një 17-vjeçar ka goditur me thikë rivalin e tij me të cilin ishin grindur për motive banale

DURRËS - Një përleshje e ndodhur mes dy të rinjve ka përfunduar me plagosjen e rëndë të njërit prej tyre dhe arrestimin e tjetrit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen 13 të qytetit të Durrësit në plazh, zonë mjaft problematike kjo që pothuajse për çdo dite hyn në komunikatën e policisë për krime nga më të ndryshmet.


Dy të rinjtë janë takuar me njëri-tjetrin dhe pasi janë sharë për një sherr të lënë, me sa duket, përgjysmë, janë përballur me njëri-tjetrin në një përleshje të pamëshirshme, saqë as ata që janë ndodhur në afërsi nuk kanë mundur që t'i ndajnë.


Plagosja


Pasi janë përdorur grushtet, mjetet rrethanore si dërrasë e gjetur rastësisht në anë të rrugës, më pas sherri ka përfunduar me përdorimin e armës së ftohtë. Sipas njoftimeve të dhëna nga burime të policisë, 17-vjeçari E.


Gega ka plagosur rëndë me thikë kundërshtarin e vet 19-vjeçar A.Kalemi, i cili deri në orët e vona të së dielës vazhdonte të ishte nën vëzhgim mjekësor të urgjençës për shkak të plagës së rëndë që kishte marrë.


Ndërhyrja


Policia, pasi ka marrë informacion, ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka gjetur në mjediset e plazhit pranë lagjes së vet 17-vjeçarin Gega të cilin e ka arrestuar. Sipas policisë, shkaku i përleshjes së përgjakshme mes dy të rinjve ka ardhur për motive të dobëta. Fillimisht, kanë saktësuar dëshmitarët në vendngjareje, i riu Gega është goditur me një dërrasë në kokë nga Kalemi, por ky ka arritur me sa duket që t'i shmanget efektit të goditjes së rëndë dhe më pas ka nxjerrë një thikë me të cilën ka goditur kundërshtarin e armatosur me mjetet rrethanore. Goditja ka qenë tepër e fortë saqë plaga e hapur e marrë në ije, i ka shkaktuar një gjakderdhje të madhe të riut që është zhytur në një pellg gjaku dhe më pas ashtu është marrë nga njerëzit që janë ndodhur në afërsi të rrugës dhe është transportuar në spitalin rajonal të Durrësit. Mjekët e urgjencës kanë konstatuar se plaga ishte e thellë dhe se ishte dëmtuar veshka e 19-vjeçarit. Për një ndihmë më të kualifikuar shëndetësore ai është dërguar më pas në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Pas 2 orësh nga plagosja uniformat blu kanë arritur që të vënë në pranga dhunuesin adoleshent.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›