E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dibra: në mars nis riedukimi i të miturve

Kreu i Burgjeve rrëfen strategjinë e re me të miturit që do të transferohen në Institucionin përkatës të ngritur rishtas në Kavajë


Në institucion do të kenë të drejtë të futen vetëm edukatorët dhe stafi civil policët do të rrinë jashtë rrethimit të tij.

I parashikuar për të hyrë në funksion prej muajsh, Instituti i Riedukimit të të Miturve në Kavajë, duket se do të presë të miturit e parë të dënuar gjatë muajit mars të këtij viti, i ndërtuar me fondet e Bashkimit Europian që ka financuar tërësisht ngritjen e tij. Një fakt i tillë është pohuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, gjatë një interviste të dhënë për gazetën "Shekulli". Dibra ka sqaruar, veç mënyrës së funksionimit të këtij Institucioni të ri në varësi të Drejtorisë së Burgjeve, edhe strategjinë që pritet të ndiqet për të riintegruar të miturit e dënuar apo të hetuar për vepra të ndryshme penale nga gjykatat e të miturve në vend.
Zoti Dibra, cila është risia që Instituti i Riedukimit të të Miturve në Kavajë do të sjellë në institucionet e vuajtjes së dënimit për të miturit në krahasim me institucionet e tjera ku mbahen të mitur në vuajtje dënimi apo paraburgim, si në Vaqarr etj.
Në sistemin penitenciar shqiptar nuk ka pasur ndonjëherë institucion vetëm për të mitur. Nëse do të flasim për risi, atëherë kjo është dhe risia kryesore. Po ndërtohet një institucion i cili do të shërbejë si qendër rehabilitimi, shkollimi dhe këshillimi vetëm për të miturit të cilët për arsye të ndryshme kanë probleme me ligjin në Shqipëri. Kushtet e këtij instituti janë nga më modernet në Shqipëri bazuar në standardet evropiane. Ngritjen e këtij institucioni e ka financuar Bashkimi Europian me një vlerë prej 2.4 milionë eurosh.
Kur do te fillojë transferimi i të miturve ne Institutin e Kavajës ?
Në dhjetor të vitit 2008 përfunduan punimet ndërtimore të këtij instituti. Po bëhen të gjitha përgatitjet e nevojshme në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë që në muajin mars ky institut të merret në dorëzim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ndërkohë, është miratuar struktura e stafit të institutit si dhe janë bërë shpalljet për rekrutimin e stafit. Shpresojmë që në muajin prill, të miturit të akomodohen në këtë qendër me standarde të larta bashkëkohore.
Cili pritet jetë kapaciteti, e si do të klasifikohen të miturit ?
Është menduar që në këtë institut të akomodohen 45-50 minorenë. Në këtë institut do të trajtohen minorenë të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale. Është menduar që ky institut të shërbejë vetëm për të miturit që kanë marrë një vendim të formës së prerë dhe që i përkasin moshës nga 14-18 vjeç. Klasifikimi i të dënuarve nëpër dhoma pikësëpari kryhet në bazë të mbledhjes së informacioneve parësore nga edukatorët. Psh. nëse kanë konflikte me të dënuarit e tjerë ose raste hasmërie, gjendja psiko - sociale, etj. Më pas në bazë të veprës penale që kanë kryer dhe moshës.
A do të kenë mundësi minorenët e institutit të arsimohen dhe si do të realizohet kjo ?
Në lidhje me arsimimin e minorenëve Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Arsimit kanë lidhur marrëveshje për arsimimin e minorenëve. Gjatë vitit shkollor 2007- 2008 kanë përfunduar shkollën 8 minorenë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje do të bëhet ndjekja e shkollës edhe për minorenët që do të akomodohen në institutin e ri. Për sa i përket fushës së edukimit dhe arsimit është parashikuar dhe frekuentimi i bibliotekës çdo ditë të javës sipas kërkesave të minorenëve. Gjithashtu do të ketë dhe aktivitete sportive që përfshijnë lojëra si: futboll, basketboll, beizboll, lojëra tavoline, kurse kompjuteri të gjuhës së huaj e deri kundër analfabetizmit.
Cilat do të jenë kriteret e përzgjedhjes së stafit dhe programet që do të hartohen për të miturit ?
Ky është një institut i specializuar dhe stafi i këtij instituti do të trajnohet për të punuar me këtë kategori. Është për t'u theksuar se rreth 80% e stafit do të jetë civil dhe pjesa tjetër policor. Pjesën më të madhe të kohës do ta zënë programet e ndryshme mësimore, sociale e psikologjike për t'iu ardhur në ndihmë atyre. Grupi i punës i ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, në qershor ka planifikuar projektimin e strukturave të institucioneve të reja, të Institucionit të Miturve në Kavajë. Janë llogaritur efektet financiare për këto institucione dhe praktika e plotë është përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë, për të vijuar miratimin e tyre pranë Kryeministrit. Janë ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë Komisione të Përbashkëta për rekrutimin e stafit të institucionit të ri që do të hapet. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përfaqësohet me një anëtar në këtë komision. Pas rekrutimit të stafit, USAID ka planifikuar programe trajnimi të veçanta për të zhvilluar kurse me punonjësit të cilët do të punojnë me minorenët.
Është duke u punuar me organikën e institutit për të përcaktuar numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë. Por është e kuptueshme që në strukturë kategoritë e mësipërme do të jenë pjesa dërrmuese.
Koha normale e punës është 8 orë në ditë. Nga këto 5 orë janë menduar që të kalohet me të miturit duke i aktivizuar në diskutime të ndryshme, këshillime dhe programe edukuese dhe rehabilituese. Pjesa tjetër e kohës do të jetë një kohë përgatitjeje për stafin për temat, programet apo aktivitetin e përditshëm. Instituti është menduar në një mënyrë të tillë që asnjë oficer policie nuk do të ndodhet brenda territorit të tij. Oficerët do të shërbejnë për të ruajtur vetëm perimetrin e jashtëm të regjimit dhe hyrja e tyre në regjimin e brendshëm do të jetë shumë e limituar.
Si do të jetë e organizuar dita e të dënuarve në institut. Aktivitetet që do të merren të miturit gjatë një dite? Kush është risia e këtij institucioni ?
Për organizimin e aktiviteteve do të zbatohen module të zbatuara nga institucionet evropiane për këtë kategori si Spanja, Holanda, etj. Programi i këtij institucioni nuk ka marrë një formë përfundimtare. Por siç u përmend edhe më sipër, pjesën më të madhe të kohës do ta zënë programet e ndryshme mësimore, sociale e psikologjike. Puna e sektorit të edukimit do të shtrihet në këto drejtime: Asistencë psikologjike e cila konsiston në këshillim individual dhe në grup çdo ditë të javës. Për minorenët e ardhur rishtas në institucion të jepet informacioni fillestar për rregullat e institutit, të drejtat dhe detyrimet si dhe i nënshtrohen një pyetësori me qëllim njohjen e gjendjes së tij psikologjike; Kontakti i vazhdueshëm dhe i rregullt me familjarët e minorenëve për t'i informuar mbi gjendjen e tyre në institucion.
Objektivi kryesor për të miturit është rehabilitimi i tyre nëpërmjet programeve të specializuara për ta. Më shumë se për punësim është menduar që këta të mitur të arrijnë të marrin një drejtim në jetën e tyre duke i dhënë mundësinë të arsimohen dhe të rehabilitohen. Kjo gjë është mjaft e rëndësishme pasi i hap rrugën për të ardhmen e tyre në momentin që nuk do të ndodhen në këtë institut. Për më tepër, puna kryesore është përqendruar t'i ndihmojë këta të rinj të mos kthehen në recidivistë apo përsëritës të një krimi për të cilin janë duke vuajtur një dënim.
Si do të zgjidhet problemi i ri i integrimit të minorenëve me mjedisin jashtë institutit?
Fatkeqësisht, këta persona ndodhen në këtë institut për shkak të kryerjes së një vepre penale. Që në këtë moment kontaktet me botën e jashtme do të jenë të limituara. Kontakti më i mirë me botën e jashtme është mbajtja e kontakteve me familjarët e tyre dhe lidhja e fortë mes të afërmve. Stafi edukues që do të punojë me këta minorenë do të ketë prioritet këtë fakt pasi është thelbësor për rehabilitimin e tyre. Me rastin e festave të ndryshme dhe duke u bazuar në të drejtat ligjore, minorenëve do t'iu mundësohet dhënia e lejeve për të takuar familjarët e tyre. Kjo është një e drejtë që buron nga ligji dhe që harmonizon në një farë mënyrë kontaktet me botën e jashtme. Gjithashtu, nuk do të mungojnë edhe aktivitetet në institucion ku familjarët apo të ftuar të ndryshëm do të marrin pjesë si dhe aktivitetet sportive ne qendra te ndryshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›