Lazarat, vret veten 35-vjeçari në kërkim
VETËVRASJA/ Adriatik Skënderi mësohet se ka qëlluar veten me armë zjarri në kokë
GJIROKASTËR - Vret veten me armë zjarri një person i shpallur në kërkim për heqje të lirisë së tjetrit. Adriatik Skënderi, 35 vjeç, ka ndërruar jetë pak pas mesnate, pasi qëlloi veten me armë zjarri. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se i pranishëm në momentin e ngjarjes ishte edhe vëllai i viktimës, i cili është munduar që ta parandalojë ngjarjen, por pa asnjë efekt, pasi edhe ai vetë ka mbetur i plagosur në krahë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Lazarat. Ndërkohë, uniformat blu u lajmëruan nga urgjenca rreth orës 00:20 të së dielës, ku edhe mbërritën në spital për të hetuar lidhur me ngjarjen. Nga hetimet paraprake rezultoi se Adriatiku ishte vetëplagosur në kokë me armë zjarri dhe ka humbur jetën vetëm pak minuta më pas. Pas marrjes së dëshmive të të pranishmëve në vendngjarje, vëllezërve të tij, si dhe pas këqyrjes së banesës, si shkak për vetëvrasjen konsiderohet gjendja e rëndë psikologjike, si dhe pijet alkoolike. 35-vjeçari mësohet se ishte shpallur në kërkim kohë më parë për heqje të lirisë së tjetrit. Një shtetas nga fshati Valare i Gjirokastrës është marrë peng nga Skënderi dhe kjo ka mjaftuar që policia ta shpallte atë person në kërkim. Trupi i pajetë i Skënderit është çuar në spitalin e Gjirokastrës menjëherë nga i vëllai, i cili ka parë komplet skenën e ngjarjes duke u plagosur në krah gjatë momentit kur i kërkonte atij të mos luante me armën automatike.Gjatë këqyrjes së trupit të pajetë, ekspertët e kriminalistikës kanë arritur në përfundimin se viktima ka marrë një plumb në kokë, gjë që ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tij. Ndërkohë, policia vazhdon veprimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave që çuan në vetëvrasje, si dhe sekuestrimin e armës dhe provave të tjera materiale.
Sarandë, pranga hajdutit
SARANDË - Arben Dervishi, 36 vjeç, lindur në Selenicë dhe banues në fshatin Gjashtë, është ndaluar në banesën e tij në orët e para të mëngjesit. Shkaku i ndalimit ka qenë se më datën 20 shkurt rreth orës 22:00 ka vjedhur në banesën e shtetasit Nebi Dino Kamberi një shumë të hollash dhe sende të tjera me vlerë. Pas kontrollit të policisë, e cila ka marre më parë lejen e prokurorisë për kontrollin e banesës, janë gjetur sendet dhe të hollat e denoncuara si të vjedhura nga i dëmtuari. Sendet e gjetura në banesën e Arben Dervishit kanë qenë pikërisht ato të denoncuara si të munguara nga Nebi Kamberi, të cilat janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Dokumentacioni i përpiluar në vendngjarje në ngarkim të shtetasit Arben Dervishi i kaluan prokurorisë së Sarandës për hetim të mëtejshëm, ndërsa ndaj tij u ngrit akuza e "vjedhjes".