E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkëpunëtori i drejtësisë zbuloi vrasjen e policit

Hetuesit e Krimeve të Rënda, pritet të dërgojnë në Gjykatë dosjen ndaj tre personave për vrasjen e një polici dhe plagosjen e 2 të tjerëve

I akuzuari: Vendosëm të vrasim policin, pasi na zbuloi në një grabitje që kryem në Shkodër

TIRANË- Dëshmia e të penduarit të bandës së grabitësve në vrasjen e policit, Arben Lasku dhe plagosjen e dy kolegëve të tjerë të tij në qershor të vitit 1997. Fakti bëhet i ditur nga burime të akuzës së Krimeve të Rënda. Sipas tyre pas hetimeve disamujore u zbardh motivi i vrasjes së policit Arben Lasku dhe plagosja e dy kolegëve të tjerë, Arben Palocit dhe Gjovalin Zalit, ngjarje e ndodhur me 13 qershor të vitit 1997 në Laç të Vaut të Dejës. Autorë të krimit sipas hetimit, janë tre grabitës me armë, dy prej të cilëve ndodhen pas hekurave dhe i treti është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mondi Mulia dhe Fatmir Barbullushi, tashmë ndodhen në burg të arrestuar dhe po hetohen për këtë krim. Sipas burimeve zyrtare pranë institucionit të akuzës, mësohet se në zbardhjen e kësaj ngjarjeje ka ndihmuar i akuzuari për një vrasje tjetër, që ndodhet prapa hekurave shtetasi Fatmir Barbullushi. Sipas hetimeve, ka qenë dëshmia e tij që ka zbuluar edhe "vrasësit" e tjerë, Mondi Muliajn dhe një person që tashmë është shpallur në kërkim. Emri të kërkuarit nuk bëhet i ditur për shkaqet se tashmë ai është në listat e të kërkuarve nga policia. Nga dëshmia e Burbullushit, sipas akuzës, është mësuar se vrasja e policit Arben Lasku ka ardhur për shkak se njeriu me uniformë, i kishte parë ata gjatë një grabitjeje. "Po kryenim një grabitje në rrugët e Shkodrës na pa Arben Lasku. Nga frika se ky do na denonconte, vendosëm që unë, Mondi Mulia dhe personi tjetër ta vrisnim atë dhe kështu bëmë",- ka shpjeguar për hetuesit, i akuzuari, Fatmir Burbullushi. Ai akuzohet gjithashtu edhe për një vrasje tjetër të ndodhur në qytetin e Shkodrës. Sipas hetimeve, dëshmia e Burbullushit ka zbardhur vrasjen dhe së shpejti dosja pritet të përfundojë së hetuari dhe të shkojë në gjykatë, me të pandehur, vetë dëshmuesin Burbullushi, Mondi Mulia dhe personin në kërkim. Ndaj tyre, sipas prokurorisë, rëndon akuza e "vrasjes në rrethana cilësuese" në bashkëpunim ndaj policit Arben Lasku dhe "vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë" me pasojë plagosjen e dy efektivëve të policisë, Arben Paloci dhe Gjovalin Zali. Ngjarja ka ndodhur me 13 qershor të 1997, pranë një shkolle së mesme në Laç të Vaut të Dejës. Atë ditë, punonjësi i policisë, Lasku, ishte me shërbim për të ruajtur sigurinë në shkollën e mesme ku do të jepnin provim maturantët. Një "bandë" mes të cilëve ishte Mond Mulia, Fatmir Barbullushi dhe një person tjetër, i identifikuar nga policia, kanë goditur në drejtim të punonjësve të policisë të cilët po ruanin maturantët. Pas disa shkëmbimeve të zjarrit mes tyre, një plumb nga armët e grabitësve preku në kokë Laskun, ndërsa i shpëtuan vdekjes dy policët e tjerë Arben Paloci dhe Gjovalin Zali. Zyrtarë të lartë të policisë së shtetit të asaj kohe u vunë në lëvizje për të marrë të gjitha masat me qëllim që t'i shpëtonin jetën policit. Por qe e kotë pasi plumbi ka shkaktuar hemorragji cerebrale duke i sjellë vdekjen Laskut. Sipas prokurorisë, arrestimi i Mondi Mulit ka ndodhur vetëm pak ditë më parë në një operacion të Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të koduar me emrin "Lapidari". Arrestimi i tij është kryer në një bodrum të gërmuar poshtë banesës së motrës së tij në afërsi të shkollës 9- vjeçare "Sabaudin Gabrani", në lagjen e "21 dhjetorit".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›