Tokat në Ndroq, 40 banorë padisin kryetaren e komunës
Një skandal tokash i ngjashëm me atë të Kasharit rrezikon të përsëritet në Ndroq. Banorët: Tokat janë tjetërsuar
TIRANË- Një skandal tokash, i ngjashëm me atë të Kasharit rrezikon të përsëritet në një tjetër komunë pranë Tiranës, në atë të Ndroqit. Mbi 40 banorë të këtij fshati janë paraqitur muajin e fundit njëri pas tjetrit në prokurori, të frikësuar për pronat e tyre. Sipas ligjit 7501, tokat iu takojnë atyre, por sipas Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, ata nuk mund t'i çertifikojnë ato. Të gjendur përballë këtij ngërçi, banorët e Ndroqit i kanë kërkuar prokurorisë të hetojë arsyen se pse atyre nuk iu jepet certifikata e pronësisë, ndërsa nuk kanë hezituar të drejtojnë akuza ndaj kryetares së komunës, Fatime Goga dhe specialistit të mbrojtjes dhe administrimit të tokës, Sulejman Enesi. Burime zyrtare pranë seksionit të Task-Forcës së luftës kundër krimit ekonomik bënë të ditur për "Shekullin" se vetëm ditët e fundit kanë mbërritur 16 kallëzime të tjera, duke e çuar numrin e padive në 40.
***
"Pa kaluar një javë nga 24 kallëzimet e para, të deponuara në prokurori nga banorët e komunës së Ndroqit, të cilët akuzojnë kryetaren e komunës Fatime Goga dhe specialistin e kësaj komune, Sylejman Enesi, se kanë tjetërsuar pronat e tyre që u takojnë në bazë të ligjit 7051, kanë ardhur edhe 16 banorë të tjerë për t'u ankuar",-pohojnë hetuesit e çështjes. Mësohet se organi i akuzës ka filluar kryerjen e verifikimeve të këtyre kallëzimeve, duke marrë deponimet e secilit kallëzues dhe provat që ata disponojnë në lidhje me akuzën e ngritur ndaj kryetares Goga, e cila përtre mandate radhazi ka drejtuar këtë komunë. Në kallëzimin e bërë, banorët pretendojnë se dy drejtuesit vendorë kanë shpërdoruar detyrën, ndërsa kanë frikë se dokumentet e pronave të tyre mund t'i kenë përfituar të tjerë persona.
***
Sipas banorëve, kryetarja e komunës Ndroq, Fatime Goga, nuk u ka plotësuar dokumentacionet që këta banorë të paraqiten në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës, për të marrë çertifikaten e pronësisë për tokën e përfituar në bazë të ligjit 7501. " Në hipotekë na është bërë me dije se për regjistrimin e pronës duhet të depozitohen edhe konfirmimet përkatësë të plotësuara nga specialisti i mbrojtjes dhe administrimit të tokës në Komunën Ndroq, konkretisht nga Sylejman Enesi si dhe të firmosura prej kryetares së komunës, Fatime Goga. Duke parë këto procedura, jemi paraqitur tek kryetarja e Komunës dhe i kemi bërë me dije faktin, duke i kërkuar që të na plotësojë dokumentacionin për ta paraqitur në ZVRPP-në e Tiranës. Që nga ajo ditë e deri në momentin që deponojmë këto kallëzime, kjo letër nuk na është dhënë nga drejtuesit vendorë. Besojmë se procesi hetimor do të zbardhë të vërtetën e motiveve, të cilat i kanë shtyrë të kallëzuarit në mosdhënien e dokumenteve përkatëse",-thuhet në kallëzimin e 40 banorëve të komunës Ndroq. Në kallëzim, banorët kanë shtuar se janë të shqetësuar për fatin e pronave të tyre. "Dyshojmë se tokat për të cilat nuk na plotësojnë dokumentacionin, mund të jenë rindarë dhe mbase iu janë dhënë personave të tjerë, pasi drejtuesit vendorë nuk kanë shkak tjetër pse nuk i hapin rrugë këtyre procedurave",-thonë kallëzuesit. Një kopje të këtij kallëzimi, banorët e Ndroqit ia kanë dërguar për dijeni Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, si dhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani.
Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
(Ndryshuar me ligjin nr.8733, datë 24.1.2001, neni 58)
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve ose mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës nga punonjësi i ngarkuar me funksion shtetëror ose me shërbim publik, kur i kanë sjellë pasoja të rënda interesave të ligjshme të shtetasve ose shtetit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.
TOKAT
Kallëzimi i plotë i banorëve të Ndroqit
Kallëzues: Banorë të Komunës Ndroq, me të dhëna identifikuese sipas listës emërore që i bashkangjitet kallëzimit penal
Objekti: Mbi kallëzimin e znj. Fatime Goga, kryetare e Komunës Ndroq, të Qarkut të Tiranës, dhe të z. Sulejman Enesi, specialisti i mbrojtjes dhe administrimit të tokës, Komuna Ndroq, pasi mendojmë se kanë konsumuar elementet e veprës penale "Shpërdorimit të detyrës", parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Zoti Prokuror
Të vetëdijshëm mbi përgjegjësinë ligjore, në këndvështrim të nenit 305 të Kodit Penal, ne, personat që ju paraqesim këtë kallëzim penal, jemi të detyruar t'ju referojmë faktin, i cili është i vërtetë për sa vijon: Të gjithë ne nënshkruesit, me datë 01.08.1991 dhe deri sot kemi qenë dhe jemi banorë të fshatrave, të cilat aktualisht janë në juridiksionin e Komunës Ndroq.
Në bazë të Ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 "Për tokën", nga komisioni i ndarjes së tokës së fshatit na është dhënë tokë në pronësi sipas këtij ligji si dhe akteve nënligjore të miratuara në zbatim të tij. Jemi paraqitur te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për të bërë regjistrimin e pronës dhe nga autoritetet përkatëse na është bërë me dije fakti se për regjistrimin e pronës duhet të depozitohen edhe konfirmimet përkatëse të plotësuara nga specialisti i mbrojtjes dhe administrimit të tokës, Komuna Ndroq si dhe të firmosura prej kryetarit të Komunës. Në këto kushte jemi paraqitur te kryetarja e Komunës, e cila e ushtron këtë detyrë për tre mandate radhazi (nga viti 2000 e në vazhdim) dhe i kemi bërë me dije faktin duke i kërkuar që të na plotësohej dokumentacioni për ta paraqitur në ZVRPP-në e Tiranës.
Është fakt se deri sot ky dokumentacion nuk na është dhënë, por ne besojmë se procesi hetimor do të zbardhë të vërtetën e motiveve, të cilat i kanë shtyrë të kallëzuarit në mosdhënien e dokumenteve përkatëse.
Ne jemi të shqetësuar lidhur me faktin për të cilin paraqesim kallëzimin penal, pasi dyshojmë se tokat për të cilat nuk na plotësojnë dokumentacionin, mund të jenë rindarë dhe mbase iu janë dhënë personave të tjerë.
Fakti që drejtuesja e Komunës Ndroq si dhe specialisti i mbrojtjes e administrimit të tokës në këtë komunë nuk na hapin rrugë në procedurën e regjistrimit të pasurisë, ka sjellë pasoja të rënda në këto drejtime:
1- Me mosveprime, dy të kallëzuarit kanë penguar zbatimin e plotë të Ligjit nr. 7501, date 19.07.1991 "Për tokën", Ligjin nr. 7843, date 13.07.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" i ndryshuar, si dhe të akteve ligjore në zbatim të tyre.
2- Me mosveprime, dy të kallëzuarit na kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, pasi ne jemi të bllokuar në zhvillimin e aktivitetit bujqësor dhe blegtoral, sepse duke mos pasur prona të regjistruara, nuk mund të marrim asnjë kredi, që do të ndikonte në zhvillimin e veprimtarisë private nga ana jonë.
3- Me mosveprime, dy të kallëzuarit na kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, pasi ne jemi të bllokuar lidhur me tregun e tokës, sepse kemi kërkesa të vazhdueshme për shitjen e tokës, por duke mos pasur dokumentacionin të plotë, gjithçka është pezull.
4- Me mosveprime, dy të kallëzuarit u kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe interesave shtetërore lidhur me vjeljen e taksave që arkëtohen nga shitblerjet e pasurive të paluajtshme, sepse ne jemi të bllokuar lidhur me tregun e tokës, megjithëse është fakt se kemi kërkesa të vazhdueshme për shitjen e tokës.
5- Me mosveprime, dy të kallëzuarit, duke shpërdoruar detyrën, kanë shkelur rëndë parimin kushtetues të barazisë para ligjit, pasi një pjesë e banorëve ua kanë plotësuar dokumentacionin dhe nga ana e tyre është bërë regjistrimi i pasurisë, pra nga ana e të kallëzuarve, për të njejtën problematikë zbatojnë dy standarde, prandaj standardi që ndiqet ndaj nesh është ose me motive abuzive, ose me motive politike, ose mund të jetë një kombinacion i të dyja motiveve.
Ne kemi bindje të plotë se pas faktit të dy standardeve qëndrojnë motive të ndryshme abuzive, të cilat procesi hetimor, nëse do të ketë vullnet, do t'i zbulojë.
Zoti Prokuror.
Zbardhja e pretendimeve të paraqitur në këtë kallëzim do të konfirmojë:
-Faktin e shpërdorimit të detyrës nga dy të kallëzuarit, sepse me veprime dhe mosveprime nga ana e tyre nuk kanë përmbushur detyrat shtetërore sipas ligjit;
-Faktin e shkeljes së barazisë së shtetasve para ligjit të bërë nga nëpunësit shtetërorë në detyrë dhe gjatë ushtrimit të detyrës;
-Faktin e cënimit të interesave të shtetasve dhe të shtetit nga nëpunësit shtetërorë në detyrë dhe gjatë ushtrimit të detyrës.
Duke ju konfirmuar gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar lidhur me zbardhjen e çështjes, shpresojmë se do të na bëhet i njohur vendimi i marrë nga institucioni që ju drejtoni në raport me këtë kallëzim penal.
Bashkangjitur kallëzimit janë:
1- Lista emërore e personave, të cilët kanë nënshkruar kallëzimin penal ndaj znj. Fatime Goga dhe z. Sulejman Enesi.
2- Kopje e dokumenteve mbi tokën, e cila na është dhënë në pronësi, por qe pengohet nga Komuna Ndroq për regjistrimin në ZVRPP-Tiranë.