Buxheti 2012, jo rritje taksash. Ministria e Financave: I kemi fondet për pagat dhe pensionet si dhe për zërat e tjerë kompensues

Tashmë projektligji i buxhetit 2012 është i qartë si kristali dhe në pjesën e politikave apo reformave fiskale, nuk parashikohen ndryshime taksash për bizneset dhe individët. E veçantë, në këtë kuadër është se viti 2012 është viti i parë i deklarimit për të ardhurat e realizuara ne vitin 2011 nga individët. Viti aktual është vit përgatitjesh për fillimin e pagimit të tatimit mbi të ardhurat personale. Këtu përfshihen të gjitha të ardhurat e krijuara jo vetëm nga puna, por edhe me forma të tjera, përfshi edhe trashëgiminë.
Dokumenti do të dorëzohet te Tatimet brenda datës 30 prill, duke filluar nga viti 2012.
Nga politikë-bërësit është konsideruar si mjet për formalizmin e mëtejshëm të ekonomisë dhe nuk pritet të ketë impakt të rëndësishëm mbi të ardhurat. Sipas projekt-buxhetit 2012, nga tatimi mbi të ardhurat personale parashikohet të grumbullohen 29.754 milionë lekë , me një rritje prej 2 milionë lekë. Po ashtu, që nga viti që vjen do të fillojë aplikimi i pullave fiskale mbi pijet alkoolike, përfshirë këtu birrën që prodhohet në vend. Kjo pritet të shmangë kontrabandën dhe informalitetin, në këtë sektor. Ndryshime të rëndësishme pati këtë vit ne grupin e “taksave nacionale” me shfuqizimin e disave prej tyre dhe vendosjen e taksave te reja. Sipas strukturës së re, tashme ka hyrë në fuqi “taksa vjetore e automjeteve të përdorura” dhe “taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin”. Të ardhurat nga grupi i taksave nacionale për vitin 2012 pritet të jetë 22.598 milionë lekë, me një rritje prej rreth 3 milionë lekë. Aktualisht është sjellë në vëmendje të opinionit publik nga ana e opozitës, rëndësia e ndryshimit të tatimit mbi fitimin, e cila është në vlerën e 10 përqind për të gjitha bizneset. Përfaqësues të biznese vlerësojnë se e cilësuara si taksa e sheshtë është një nga faktorët më tërheqës për investitorët e huaj.
Reagim i Ministrisë së Financave: Mediat spekulojnë, buxheti 2012 parashikon fonde për të gjitha zërat e kompensimit financiar
Ministria e Financave reagoi dje mbi pa-vërtetësinë e disa shkrimeve të botuara në të përditshmet shqiptare, të cilat në mënyrë të padrejtë aludojnë dhe ngrenë hije dyshimi, jo duke u mbështetur në projekt-buxhetin e vitit 2012, por duke hamendësuar apo abuzuar me deklarata dhe shifra të cilat në fakt nuk kanë asnjë lidhje me atë ç’ka ofron projekt-buxheti i vitit të ardhshëm. Në një reagim zyrtar, Ministria e Financave thekson se në projekt-buxhetin e vitit 2012, janë planifikuar fonde për të gjitha kompensimet ekzistuese, të cilat përfitohen nga pensionistët, personat e paaftë për punë, familjet që përfitojnë ndihmën ekonomike si dhe punonjësit buxhetorë me pagë deri në 30.000 lekë. “Kompensimet ekzistuese janë të përfshira në zërat përkatës të buxhetit, siç janë: fondi i pagave, fondi i pensioneve, fondi i ndihmës ekonomike, pagesa e paaftësisë, etj. Theksojmë se kompensimi prej 640 lekë, që përfitohet nga rreth 280 mijë persona, të cilët janë të përfshirë në grupet e mësipërme, do të vazhdojnë ta marrin këtë kompensim, pasi ky është një kompensim ekzistues dhe si të gjithë zërat e tjerë të kompensimeve ato do të vazhdojnë të paguhen edhe nga buxheti i vitit 2012”- thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Financave. Gjithashtu, Financat sqarojnë se projekt-buxheti i vitit 2012, nuk ka parashikuar rritje të kompensimit të energjisë elektrike, mbi shumën e cila paguhet aktualisht, sepse gjatë vitit 2011 nuk ka patur rritje të çmimit të energjisë.
“Ministria e Financave fton përfaqësuesit e mediave të interpretojnë saktësisht shifrat e buxhetit 2012 dhe gjithashtu jemi të hapur për çdo sqarim të mëtejshëm në lidhje me të gjitha politikat buxhetore të vitit në vazhdim”.