E Shtunë, 31 Tetor 2026

“The Indipendent” për akuzat e Martit

25-12-2010 / Gazeta 55

Ish-ministri për Europën MacShane analizon raportin dhe e cilëson gjithçka si të inskenuar pa kurrfarë provash të reja

Akuzat për trafik organesh drejtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaçi kanë tërhequr vëmendjen edhe të deputetit britanik, ish-ministër për Europën dhe delegat i Britanisë së Madhe në Këshillin e Europës, nga viti 2004 deri në 2010-ën, Denis MacShane. MacShane i kushton një analizë të detajuar raportit të deputetit zviceran Dik Marti në faqet e të përditshmes prestigjoze ‘The Indipendent”.
“Që nga Pol Poti nuk janë bërë deklarata kaq sensacionale në lidhje me një lider në detyrë. Thaçi u rizgjodh në dhjetor me rreth 34 përqind të votave të kosovarëve, pak më pak se David Cameron dhe sigurisht shumë më shumë se George Bush në vitin 2000. Nuk ka zgjedhje në Ballkan pa akuza për probleme në votime. Drejtuesit kosovarë, ashtu si ata kroatë, malazezas, shqiptarë dhe maqedonas janë akuzuar rregullisht për devijim parash për ta, ose për partitë e tyre. Dhe që kur “biznesi” në Ballkanin Perëndimor është i bazuar në trafikun e cigareve dhe qenieve njerëzore, një politikan që nuk është akuzuar se ka shoqëri të keqe, është një specie e rrallë. Thaçi nuk është ndryshe. Por Thaçi ka qenë një politikan brenda e jashtë pushtetit për një dekadë dhe ka vepruar i monitoruar ngushtësisht nga trupa të BE dhe OKB, ashtu dhe nga vëzhgues të jashtëm dhe vizitorë” e nis shkrimin e tij deputeti britanik .
Me pas analiza vazhdon: “Raporti i zotit Marti nuk është një dokument preciz gjyqësor. Ai përmban artikulime të gjata e pa lidhje të politikave perëndimore për krizën e Kosovës në fund të viteve ’90. Me këtë zoti Marti reflekton politizimin e Këshillit të Europës, i cili që pas pranimit të Rusisë si anëtare në vitin 1995, është përdorur me mjeshtëri nga Kremlini për të avancuar interesat diplomatike ruse. Një nga prioritetet kryesore të Kremlinit ka qenë maksimizimi u mbështetjes për pozicionet kundër SHBA-së dhe NATO-s në Këshillin e Europës. Rusia ka kërkuar të kultivojë aleatë për të mbrojtur Serbinë dhe të tjera shtete sllave ose ortodokse nga kritikat.
Gjëra të tmerrshme janë bërë nga para-ushtarakët dhe ushtarët serbë në Kosovë që kur diplomacia e fuqishme e Richard Holbrooke ia preu rrugën pasionit nacionalist të Millosheviçit drejt veriut. Diskreditimi i drejtuesve të ndryshëm kosovarë- thuajse të gjithë morën pjesë në një mënyrë ose në një tjetër në betejën për rezistencë ndaj Millosheviçit, që përfundoi me ndërhyrjen Klinton- Bler në verën e vitit 1999- ka qenë prioriteti kryesor politik për serbët e rusët. Zoti Marti, së bashku me të tjerë armiq të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Europës, nuk e ka mbajtur asnjëherë sekret kundërshtimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës. Ai ka kundërshtuar thirrjet që Kosovës t’i jepet statusi i anëtarit ose ai i vëzhguesit në Këshillin e Europës. Tani zoti Marti ka prodhuar këtë raport tejet të personalizuar, që është një grusht-shteti propagande për revanshistët serbë që pas rënies së Millosheviçit”, thekson The Indipendent. “Senatori Marti është njeri me kokën e tij dhe sinqeriteti i tij nuk është vënë në pikëpyetje. Ai beson në atë që beson. Por po të lexosh raportin me 19 mijë fjalë, të del një problem. Nuk ka asnjë emër të vetëm apo ndonjë dëshmitar për këto akuza. Marti nuk arrin të lidhë direkt Thaçin me trafikun e organeve pavarësisht titullit të tij sensacional mbi raportin.
Senatori Marti bën gjithçka për të nxirë emrin e Thaçit, duke e akuzuar atë se është pak më shumë se një kriminel, që ka përdorur krizën e Kosovës për të bërë operacione mafioze. Kur lexon këtë, sigurisht bëhesh mosbesues. Qindra mijëra kosovarë u larguan nga vendi për shkak të tërbimit serb.
Mbi të gjitha, pikërisht në Kosovë Millosheviç ka bërë edhe kërcënimin e famshëm: “Ne do ju godasim”, ndërsa lëshonte monstrën e nacionalizmit serb në fund të viteve ’80.
Marti e përdor shumë si fakt që shumë nga drejtuesit që formuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, operonin më shumë në Shqipëri sesa në Kosovë.
Epo mirë, ata kanë bërë si IRA që qarkullonte në Irlandën e Veriut ose si ETA që kërkonte strehë në Francë nga policia e Spanjës.
Por Marti po rishkruan historinë duke e parë botën si serbët, që e pikturojnë të gjithë rezistencën kosovare si esencialisht dhe ekskluzivisht kriminale. Për më tepër, argumenton Marti, ishte mbështetja e qartë nga fuqitë Perëndimore e sidomos nga Shtetet e Bashkuara që çoi në perceptimin e UÇK-së- e krijuar së më shumti nga amerikanët- si një epërsi. Këtu Marti vesh kostumin e tij anti- amerikan, me stampën e Këshillit të Europës.
Marti është i paaftë për të na dhënë një dëshmitar okular që e lidh Thaçin me krimin e heqjes së organeve. Marti thotë se kosovarët kanë besnikëri ndaj klanit, çka i ndalon ata të dëshmojnë kundër liderëve. Por Thaçi është një nga shumë ish- drejtues të UÇK që konkurronin me njëri- tjetrin. Ka pasur me mijëra hetues, policë dhe avokatë që kanë vepruar në Kosovë që prej vitit 2000. Serbët kanë qenë të paaftë për të prodhuar ndonjë viktimë ose familje njerëzish që janë vrarë e më pas u janë marrë veshkat.
Zemërimi dhe tmerri janë reagime të rëndësishme, po a duhet të mbështetet nga Këshilli i Europës një raport faktesh që nuk sjell asnjë deklaratë direkte dëshmitarësh, asnjë fakt të pastër, asnjë provë, asnjë person që mund të lidhë Thaçin me heqjen e organeve?
Raporti i Martit është një fitore me tituj mediesh për Serbinë. Senatori zviceran mund të ketë të drejtë që Thaçi është i papërgatitur për të qenë drejtues evropian i një qeverie. Ai sigurisht ka të drejtë kur thotë se kërkohet më shumë hetim. Por përpara se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës të debatojë për raportin e tij në janar, ai mund të prodhojë vetëm një grimcë prove të pakundërshtueshme për të justifikuar titujt bombastikë, të cilëve ai iu është gëzuar që i ka prodhuar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›