“Nipi ishte shumë agresiv, dyshohet se ka vrarë edhe të ëmën”
FIER- Një ditë pas ngjarjes makabre të vrasjes së të moshuarit 84-vjeçar, Koli Rrapi në lagjen “Mbrostar Ferko”, rrugica që të çon në këtë shtëpi, gati është e boshatisur. Ndërtesat janë përdhese. Tek-tuk, të zë syri ndonjë ndërtesë disa katëshe. Të vetmit që të zë syri në çastet e para të ditës janë fëmijët. Por, edhe disa të moshuar, të cilët kanë dalë për të kryer blerjet e domosdoshme të ditës. Shumë syresh nuk duan ta komentojnë ngjarjen. Mbledhin supet e bëjnë të paditurin, zakoni i tanishëm shqiptar i mosfutjes së vetes në ”hallet e të tjerëve”. “Nuk mundemi të komentojmë asgjë” - është refreni i fillimit të bisedës, thua se është refreni i përditshme i përshëndetjes në këtë pjesë periferike të qytetit Fier. Në shtëpinë e viktimës dhe njëkohësisht të autorit, porta qëndron e hapur. Në sheshin para saj dallohen disa rrënjë portokalli, dhe përbri një ndërtesë dy katëshe ende e papërfunduar. Në njërën prej dhomave janë ulur disa të afërm, të cilët ishin në pritje të ardhjes së një pjese të familjes së viktimës nga SHBA-ja. Askush nuk gjen fjalë të shprehet për këtë ngjarje. Vetëm vëllai i viktimës, Marko Rrapi, i cili banon në Tiranë, edhe pse i shokuar nga dhimbja, arrin të komunikoj e të jap detaje nga ngjarja. “E mora vesh nëpërmjet medias dhe erdha qysh ditën e djeshme. E dija se nipi vuante nga sëmundja, por nuk më shkonte mendja deri këtu. Ai e kishte qëlluar me bastunin e vet. Më pas, e kishte goditur me thikë dhe pasi e kishte shtrirë në mes të shtëpisë i kishte kryqëzuar edhe duart, sikur të ishte një vdekje natyrale. Ai e kishte vrarë dhe ishte përpjekur të largonte gjithë gjurmët e krimit. Madje, kishte pastruar edhe gjakun e, më pas ishte larguar nga banesa dhe rrinte në oborr. Kur njëri prej nipërve tanë e gjeti pa jetë vëllanë tim, Renua i kishte thënë se nuk dinte gjë për ngjarjen. Më vonë u lajmërua policia. Kjo e fundit e ndaloi dhe e mori në pyetje atë. Vetëm pas shtrëngimit të policisë me pyetje ai pranoi se kishte kryer krimin. Madje, kishte deklaruar se vrau një baba shumë të keq dhe nuk ishte penduar”, shpjegon ai. Teksa e pyet nëse ka qenë agresiv apo jo, ai përgjigjet: “Ai i rrihte shumë prindërit. Këta të fundit kishin kërkuar edhe ndihmë për izolimin e tij. Edhe nëna e tij thuhet se ka vdekur nga të rrahurat e të birit. Por mjekësia nuk u shpreh për këtë gjë. Shteti nuk duhet të veprojë kështu”.