E akuzon për vdekjen e vajzës, vret me thikë pronarin e pastiçerisë
Vlorë- Plagët e thikës rezultuan fatale për një 54-vjeçar, i cili humbi jetën në spitalin rajonal të Vlorës, pas plagëve të marra. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë rreth orës 21.00 në dyqanin pastiçeri në pronësi të tij. 54 vjeçari Petrit Mehmeti ndodhej në pastiçeri, kur aty ka ardhur Alfred Feta. Ky i fundit ka qëlluar dy herë me thikë mbi pronarin e pastiçerisë, duke lënë në hyrje të dyqanit pronarin e saj të përgjakur. Një plagë në brinjë dhe tjetra në pjesën e barkut ka përplasur menjëherë burrin përdhe. Persona që janë ndodhur pranë vendngjarjes kanë transportuar të 54-vjeçarin në spitalin rajonal. Ai ka hyrë menjëherë në sallën e operacionit, ndërhyrje, e cila ka zgjatur disa orë, por pa mundur dot të lërë në jetë të plagosurin. Policia, mbërritur menjëherë në vendngjarje ka marrë të gjitha provat, ndërsa është mësuar shumë shpejt emri i autorit, për të cilin ka nisur kërkimi. Paraditen e djeshme, policia ka dalë me një njoftim ku bënte me dije se autori ishte vënë në pranga. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Vlorës mësohet se dje rreth orës 06:00 nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës u finalizua me sukses operacioni “Rilindja” ku u bë i mundur ndalimi dhe arrestimi në flagrancë i Alfred Fetës, 42 vjeç, banues në lagjen “Rilindja”.
Sipas burimeve policore mësohet se “arrestimi i 42-vjeçarit u bë pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se ai ka qëlluar me mjete të mprehta (thikë) Petrit Memetajn, i cili si pasojë e plagëve të marra ka gjetur vdekjen pas disa orësh në Spitalin Rajonal Vlorë”. Me marrjen e njoftimit menjëherë policia ka organizuar punën në mënyrë të detajuar dhe pas disa orë kërkimesh ka mundur të prangosë Alfred Fetën, në vendin e quajtur “Kripa” i cili ishte duke u larguar nga qyteti i Vlorës për në drejtim të qytetit Durrësit.
Nga ana e Policisë po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale do ti referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 I Kodit Penal”. Burimet policore bënë me dije se autori ka pretenduar se pronari i pastiçerisë ishte fajtori për vdekjen e së bijës, Artemisës.
Pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve, është mësuar se burrat kanë patur debate edhe më parë. Rreth tre muaj më parë, Feta humbi vajzën e tij 6 vjeçare. Prindërit dyshuan se vajza kishte konsumuar diçka që I kishte bërë dëm për organizmin dhe për këtë fajësuan direkt Mehmetaj, pronarin e pastiçerisë, ku vajza kishte konsumuar një ëmbëlsirë.