E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi uron presidenten Jahjaga: Moment historik për Kosovën

TIRANE- Urimet e para për presidenten e Kosovës kanë mbërritur nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, kreu i shtetit shqiptar i uron zonjën Atifete Jahjaga zgjedhjen në detyrën e lartë të Presidentes së Republikës së Kosovës.

" Është një moment historik për Kosovën dhe gjithë kombin shqiptar që në krye të shtetit zgjidhet një grua me integritet të lartë profesional dhe tepër të respektuar.”- vlerësohet në mesazhin e presidentit Topi.
Në emrin e tij dhe të gjithë popullit shqiptar, presidenti përcjell urimin për zonjën Jahjaga që të ketë “sukses të plotë në detyrën e saj të lartë për të përballuar të gjitha sfidat që ka Republika e Kosovës drejt rrugës së përbashkët të integrimit të plotë euroatlantik!”

Presidenti mbyll mesazhin e urimit me bindjen e plotë se “marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve tona do të zhvillohen e intensifikohen më tej në të gjitha drejtimet, në të mirë të kombit tonë dhe paqes e stabilitetit në rajon.”

36 vjecarja, ish-zëvendësdrejtoresha e përgjithshme të Policisë së Kosovës mori u zgjodh dje presidente me 80 vota pro në Kuvendin e Kosovës. Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit. Për kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, përderisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera Atifete Jahjaga:Do përqafoj interesat e te gjithëve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›