Atlantik, gjenden pjesë të avionit të zhdukur me 228 vetë
Skuadrat e kërkimit kanë identifikuar në Oqeanin Atlantik pjesë që ka shumë mundësi t’i përkasin avionit të zhdukur. Tre anije mallrash mbërritën dje në zonën e Oqeanit Atlantik pranë vendit ku u zhduk avioni “Air France” me 228 njerëz në bord. Por asnjë shenjë jete. Avioni “Airbus 330” u zhduk nga radarët mëngjesin e së hënës në itinerarin nga Brazili në Francë. Kërkuesit gjetën mbetje të avionit që përfshinin një sedilje avioni, komardare shpëtimi, fragmente të vogla të bardha, një kuti dhe shenja vaji rreth 700 kilometra në verilindje të arkipelagut “Fernando de Noronha”, sipas zëdhënësit të forcave ajrore braziliane, Jorge Amaral. Por nuk ka material të mjaftueshëm për të deklaruar se mbetjet ishin nga ai avion. Një raportim i mëparshëm erdhi nga ekuipazhi i aviacionit brazilian TAM, dhe tregonte se kanë parë drita portokalli në det, 15 minuta pas kontaktit të fundit të avionit. Airbus A330 u has me një turbulencë të rëndë katër orë pasi nisjes për një udhëtim 11-orësh nga Rio de Janeiro në Paris. Në avion ndodheshin 216 pasagjerë, (126 meshkuj, 82 femra, shtatë fëmijë dhe një foshnjë), si dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, sipas “Air France”. Por qeveria franceze ka thënë se në hetime nuk do të përjashtojë asnjë mundësi, madje edhe atë të atentatit në “Air France”. Ministri francez i Mbrojtjes, Herve Morin, tha se “nuk mund të përjashtohet ndërhyrja e një sulmi terrorist, pasi ai është kërcënimi kryesor për demokracitë perëndimore”. Por kjo hipotezë nuk është shumë e vlerësuar deri tani. Pasagjerët ishin nga 32 vende të ndryshme të botës dhe kërkimi i mbetjeve të avionit është shndërruar në një operacion ndërkombëtar. Në vendngjarje Franca ka dërguar një anije që do të lëshojë një nëndetëse eksplorimi pa njerëz brenda në gjashtë mijë metra thellësi. Këtë mundësi po e konsideron edhe SHBA.
Të afërmit në vendin e tragjedisë
Të afërmit e personave që ishin në bordin e avionit të zhdukur në Atlantik, mund të shkojnë të shohin zonën e incidentit nëse dëshirojnë. Kështu ka deklaruar ministri francez i Transportit, Jean Louis Borloo. Shumë nga të afërmit ishin në aeroportin e Parisit, “Charles de Gaulle”, janë ndihmuar nga një skuadër psikologësh, të cilët thanë se një udhëtim në zonën ku ka ndodhur incidenti mund të përfaqësonte “një hap pozitiv” për familjarët.
Pasaporta e skaduar i shpëton jetën
Hutimi për të kontrolluar dokumentet, të paktën për një herë ka rezultuar pozitiv. Një brazilian që kishte planifikuar të udhëtonte me avionin e zhdukur, kishte harruar se i kishte skaduar pasaporta, gjë që e ka ndaluar atë dhe një mikun e tij të kryenin udhëtimin për në Paris. Joao Marcelo Calaca, 37 vjeç, analist juridik, ka treguar për gazetat mbi ‘shpëtimin’ e tij. Bashkë me të ishte edhe një amerikan që preferoi të mos udhëtonte pa mikun e tij.
Humbet avionin nga vonesa, shpëton
Një inxhinier 54-vjeçar i ka shpëtuar tragjedisë vetëm se humbi avionin e zhdukur, “Airbus” të Air France nga Rio de Janeiro në Paris. Claudio Freddi, i cili punonte në sektorin e naftës kishte prenotuar një vend në atë fluturim për t’u kthyer në Itali, por një vonesë në momentin e fundit në punë e ka detyruar të qëndrojë në Brazil. Një vonesë që i ka shpëtuar jetën. Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshortja e tij për mediat lokale.