E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau gruan, dënohet 20 vjet Sefedin Doçi

 

KRUJE - Gjykata e Shkallës së parë në Krujë dënoi dje me 20 vite burg dhe 3 milionë lekë gjobë Sefedin Doçin, nga fshati Tapizë. Ai u deklarua fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij, Fitnete Doçi. Pas shqyrtimit të provave, gjykata vendosi masën e mësipërme të dënimit të cilën e kishte kërkuar edhe prokuroria një seancë më parë. Megjithë kërkesën e mbrojtjes se i pandehuri nuk ishte vrasësi i 26-vjeçares, gjykata dha verdiktin e saj duke e shpallur atë fajtor. Ngjarja ndodhi më 13 shtator të vitit 2007. Viktima u varros pasi i shoqi e deklaroi vdekjen si vetëhelmim. Por familjarët e saj kryen denoncim, pasi dyshuan se 26-vjeçarja të ishte vrarë. Kjo për shkak se ndërsa Fitnete Doçi kishte vdekur, ata kishin vënë re shenja dhune, kryesisht në qafë. Pas hapjes së hetimeve, ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi se viktima kishte ndërruar jetë nga asfiksia pasi ishte mbytur me duar. Gjithashtu, u konstatuan edhe shenja dhune në trup. I akuzuari nuk e ka pranuar në asnjërën nga seancat të ishte vrasësi i bashkëshortes së tij duke aluduar sërish në vetëhelmim. Në këtë ngjarje u implikua edhe mjeku i fshatit Tapizë, Laim Bushi. Dy javë më parë prokuroria e Krujës i kërkoi gjykatës që nën akuzën e “veprimeve që pengojnë zbardhjen e të vërtetës” të dënohej me dy vjet burg, 1.5 milionë lekë gjobë si dhe heqjen e së drejtës për ushtrimin e profesionit për 5 vite.        r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›