E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet në Rinas, biznesmeni

 

Etleva Delia

Biznesmeni Sherif Memoçi, pronar i një lokali në Rinas, u vra mbrëmjen e djeshme pas një sherri banal të ndodhur në lokalin e tij.Ngjarja ndodhi rreth orës 21:50, kur biznesmeni i njohur u qëllua disa herë me thikë dhe më pas gjeti vdekjen gjatë transportit për në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Viktima ndodhej në lokalin e tij në zonën e Rinasit, kur është qëlluar disa herë me thikë nga njëri prej kamarierëve të barit të njohur nga qindra udhëtarë, që presin oraret e avionëve te ky lokal. Brenda pak minutave nga momenti kur ndodhi vrasja, policia e Tiranës është lajmëruar për vrasjen ndërsa në vendin e ngjarjes kishin shkuar efektivat e policisë së Rinasit. Forcat e rendit nuk kanë mundur të ndalojnë të dyshuarin si autor i vrasjes së biznesmenit, pasi ai kishte arritur të largohej menjëherë pasi qëlloi disa herë me thikë punëdhënësin e tij. Grupi i hetimit ka marrë në pyetje deri në orët e mesnatës, kamarierët e tjerë që ndodheshin në lokal së bashku me disa klientë. Burime zyrtare nga policia e Tiranës dhe e Rinasit, thanë se pas hetimeve paraprake është shpallur në kërkim me akuzën e vrasjes shtetasi Ibrahim Congu. Nga të dhënat e policisë mësohet se i dyshuari për kryerjen e vrasjes së biznesmenit, ishte kamarier në atë lokal. I dyshuari ishte i punësuar nga biznesmeni Sherif Memoçi, i cili është qëlluar disa herë me thikë duke gjetur vdekjen gjatë transportit për në Spitalin Ushtarak.
Hetimet për vrasjen
Forcat e policisë, të cilat mbërritën në vendin e ngjarjes, kanë fiksuar provat e krimit ndërsa ekipi hetimor ka nisur verifikimin e rrethanave të ngjarjes. Sipas disa kamarierëve të tjerë që ndodheshin në shërbim, autori i vrasjes ishte kolegu i tyre Ibrahim Congu. Dje në mbrëmje, para vrasjes, ai mësohet se ka pasur një mosmarrëveshje me pronarin e lokalit të njohur, me të cilin dyshohet se kishte edhe probleme personale për shkak të vajzës së biznesmenit. Sipas dëshmitarëve, biznesmeni Sherif Memoçi ka kritikuar kamarierin Ibrahim Congu, duke e akuzuar për shërbim të keq. Batutat konfliktuale mes pronarit të lokalit dhe kamarierit kanë arritur deri aty sa biznesmeni i ka thënë të dyshuarit se do ta shkarkonte nga puna për shkak të cilësisë së dobët të shërbimit. Dëshmitarët janë shprehur se në këtë kohë, kamarieri Congu ka reaguar keq duke marrë një thikë në afërsi të banakut me të cilën qëlloi disa herë pronarin e lokalit Sherit Memoçi. Disa persona që ndodheshin në lokal janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë viktimës, por sipërmarrësi ka gjetur vdekjen ende pa mbërritur në Spitalin Ushtarak si pasojë e humbjes së madhe të gjakut.  

Hetimi
Tre kamarierë që shërbenin në lokal, në kohën kur ka ndodhur vrasja e biznesmenit Sherif Memoçi, kanë dhënë deklarime për grupin hetimor të ngjarjes. Kamarierët janë marrë në pyetje pranë vendit ku ndodhi ngjarja ndërsa kanë pohuar konfliktin mes kamarierit dhe pronarit të lokalit, ku ishte punësuar i dyshuari për kryerjen e vrasjes.

“Fyerja”
Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, Ibrahim Congu e ka konsideruar fyerje akuzën e bërë nga pronari i lokalit për shërbim të keq. Reagimi i ashpër i kamarierit mësohet se ka ardhur pas akuzës së biznesmenit për shërbim të keq, si dhe pas paralajmërimit për shkarkim nga puna. Mësohet se mes viktimës dhe autorit të ngjarjes kishte edhe mosmarrëveshje private.  

Policia nis kontrollet për autorin
TIRANE – Forcat e policisë së Rinasit dhe të kryeqytetit kanë ngritur dje gjatë natës disa postblloqe, me qëllim kapjen e autorit të vrasjes së biznesmenit që kishte në pronësi barin “Vila Aeroport” në Rinas. Dhjetëra efektiva të policisë kanë nisur ndërkohë verifikimin e adresave të mundshme ku fshihet i dyshuari për ngjarjen, duke verifikuar në banesat e të afërmve dhe familjes së tij. Deri në orët e mesnatës së djeshme, nga burime të policisë së Tiranës konfirmohej se ishin kryer disa verifikime nga të cilat nuk është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i personit të dyshuar për vrasjen e ndodhur dje në mbrëmje në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit në kryeqytet. Policia kontrolloi edhe disa automjete në Fushë-Krujë, por i dyshuari duket se ka arritur të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›