Zyrtari i rremë, 1 mijë euro për viza schengen
TIRANE - Antikrimi Ekonomik i Tiranës dërgoi për ndjekje penale një 48-vjeçar, i cili ka mashtruar të paktën dy persona, për t’iu nxjerrë viza Schengen. Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit mësohet se Stavri Marku, është denoncuar nga dy të rinj, të cilëve u ka vjedhur paratë, duke u premtuar viza. Sipas kallëzimeve të 22-vjeçarit Ardit Memia dhe 20-vjeçarit Destimond Geca, Marku u kishte marrë atyre nga 1000 euro secilit në këmbim të vizave dhe më pas nuk ishte zhdukur, duke iu vjedhur paratë. Gjatë deklarimeve të tyre, dy të rinjtë kanë treguar para oficerëve të policisë se Stavri Marku, është prezantuar si mik i ngushtë i disa personave që janë kompetentë në Ministrinë e Jashtme për vizat. Në këtë mënyrë ai i kishte siguruar se nëse ata do i jepnin nga 1000 euro, ai do u jepte vizat pa asnjë problem. Të rinjtë kanë rënë pre e mashtrimit të 48-vjeçarit dhe i kanë dhënë paratë që ai ka kërkuar duke pritur që të pajiseshin me viza Schengen. Në fakt ka ndodhur krejt ndryshe. Marku jo vetëm që s’iu ka dhënë vizat e premtuara, por është zhdukur me gjithë 2000 eurot që u kishte marrë. Pasi kanë humbur çdo shpresë për të marrë paratë Memia dhe Geca i janë drejtuar policisë. Menjëherë është gjetur dhe është shoqëruar mashtruesi i vizave dhe është vendosur që të kalojë për ndjekje penale, ndërkohë që ka nisur verifikimi për persona të tjerë që mund të jenë mashtruar nga ai. Dyshohet se “fatin” e dy të rinjve që e kanë kallëzuar, mund të kenë pasur edhe persona të tjerë. e.d