E Diel, 1 Nëntor 2026

Atleti shqiptar Adriatik Hoxha i 37-ti ne garen e hedhjes se gjyles

Një rezultat jo i mirë, veçse jo shumë larg mundësive reale. Kështu mund të përmblidhet gara e hedhësit shqiptar të gjyles, Adriatik Hoxha, në Londër 2012, garë e konsumuar paraditen e së premtes. Atleti ynë më i mirë mashkull e hodhi gjylen 17.58 metra, duke dalë në vend të 37-të mes 40 garuesve. Nga këta 40 garues, 3 u skualifikuan për gabime teknike, pra Hoxha doli i fundit nga ata atletë që arritën ta kryenin konkurrimin siç duhet.
Rezultati i arritur nga atleti lushnjar është 60 centimetra poshtë rekordit kombëtar të vendosur në mesin e muajit qershor në kampionatin kombëtar, me 18.18 metra.
Gjithsesi, edhe po ta kishte arritur apo thyer rekordin kombëtar dhe personal të tijin, Hoxha nuk do të kishte mundur të ngjitej më lart sesa vendi i 35-të.
Në finale shkuan 12 atletët më të mirë ku në vend të parë në këtë garë kualifikuese doli amerikani Risi Hofa me 21.36, i ndjekur nga gjermani David Shtorl me 21.15. Rezultati minimal që dha kualifikim për në finale ishte 20.25 metra arritur nga Ming-Huang Çang i Tajvanit.
Pas Hoxhës, mbeten edhe 2 shqiptarë të tjerë në konkurrim në këto Lojra Olimpike. Në 4 gusht do të paraqitet në pedanën e peshëngritjes, Endri Karina, në peshën deri 94 kg, garë që zhvillohet në orën 16:30, ndërsa më 5 gusht, do të konkurrojë qitësi ynë Arben Kuçana në disiplinën 50 metra me pistoletë për meshkuj në orën 10:00. Deri tani, rezultatet më të mira për ne kanë qenë vendi i 9-të i Briken Caljes në peshëngritje, i 11-ti i Romela Begajt po në peshëngritje dhe hyrja në 16-she nga ana e xhudistes Majlinda Kelmendi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›