E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klevis Roshi, pranë firmës me Elbasanin

Presidenti Arben Laze pohon se ka biseduar me mesfushorin elbasanas, ndërkohë që priten edhe të tjera përforcime

 

Nga Elton Karaj

 
Klevis Roshi duket se do të jetë afrimi i parë cilësor për skuadrën e Elbasanit. Këtë lajm e konfirmon vetë presidenti Arben Laze, i cili ka deklaruar se mesfushori është pranë firmosjes me elbasanasit. Pas bisedimeve me lojtarin në fjalë, duket se projekti i klubit e ka bindur Roshin që ti bashkohet verdhebluve për këtë sezon. Gjithashtu është konfirmuar edhe emri i Endri Dalipit si pjesë e skuadrës për vitin e ardhshëm. Elbasanasi ishte protagonist me 13 golat e shënuar në kampionatin që kaloi. Ky konfirmim vjen pas fjalëve se Dalipi mund të largohej në fund të sezonit, por mesfushori, pas bisedimeve me presidentin Laze ka rënë dakord për të qëndruar edhe një vit me ekipin e qytetit të tij. Duket se verdheblutë janë hedhur fuqishëm në merkato dhe afrimi i këtyre dy lojtarëve cilësorë në repartin e mesfushës i japin më tepër garanci skuadrës. Në fillimin e javës pritet edhe ardhja e një sulmuesi po nga kampionati shqiptar. Kujtojmë se afrimet më cilësore nga ana e presidentit Laze kanë qenë gjithmonë transferime surprizë dhe gati në përfundim të afatit të merkatos. Për këtë arsye, deri në atë moment besohet se do të ketë të tjera përforcime të lojtarëve cilësorë, të cilat do të japin kontributin e tyre në misionin për të ngjitur Elbasanin në Superligë.

Trajnerët e moshave Dje është zhvilluar mbledhja e radhës e bordit drejtues të K.F Elbasanit me në krye presidentin Arben Laze. Arsyeja ka qenë çështja e vendosjes së trajnerëve të ekipeve të moshave. Presidenti Laze ka konfirmuar në krye të skuadrës U19, dyshen Arjan Kila-Gazmend Bejleri, ndërsa trajnerë të U17 konfirmohen sërish Sabri Dalipi-Erion Sqapi. Pritet që ekipet zinxhirë të skuadrës së Elbasanit të fillojnë nga stërvitja, për tu përgatitur për sezonin e ri që po afron. Edhe kapiteni i elbasanasve, Eriol Merxha, ka marrë një post trajneri në akademinë verdheblu. Ai është emëruar trajner i ekipit të Elbasanit për grup-moshat nën 12 vjeç.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›