Bano: Miqësoret, të nevojshme për konsolidimin e Lushnjës
Nga Julian Kasapi
Ditën e mërkurë Lushnja zhvilloi miqësoren e radhës ndaj Shkumbinit në stadiumin e këtyre të fundit. Tekniku Bano ka hedhur në fushën e lojës formacionin e tij më të mirë dhe kjo ka dhënë rezultat, pasi lushnjarët e kanë tundur dy herë rrjetën e kundërshtarit. Fillimisht ka qenë kapiteni Çela dhe më pas Canka. Po dy gola kanë shënuar edhe peqinasit në portën e mbrojtur nga Mikel Spaho, i cili këtë sezon do të aktivizohet me lushnjarët pas përfundimit të kontratës me Flamurtarin. Trajneri Bano në këtë takim ka përfituar për të testuar edhe disa futbollistë që nuk e kanë ende statusin e titullarit, për ti ingranuar edhe më tepër në lojën e grupit. Në fund të miqësores trajneri verdhleshil është shprehur se skuadrës i nevojiten të tjera takime në këtë fazë përgatitore, deri në fillim të sezonit. Kjo, sipas tij luan rol në konsolidimin e ekipit para startit të kampionatit. Përgatitjet e lushnjarëve do të vazhdojnë për gati dy javë në plazhin e Divjakës, ku do të punohet edhe me anën fizike të lojtarëve që ende nuk e kanë arritur formën e tyre optimale. Presidenca dhe donatorët kanë krijuar mundësitë maksimale për akmodimin dhe kryerjen e stërvitjes së skuadrës në kampingun e Divjakës. Gjithçka tashmë i takon stafit teknik dhe futbollistëve për të shfrytëzuar të gjitha kushtet që të ofron ky vend, pasi hapësirat janë vërtet të mëdha për të kryer nga të gjitha llojet e ushtrimeve që do të programohen nga trajneri Bano.
