Atletikë/ Ministri i Sporteve pret presidentin e Federatës Botërore, Goxelino Botërori në Mal, hidhet firma
Shqipëria do të organizojë për herë të parë në 11 shtatorin e vitit të ardhshëm "Botërorin e Vrapimit në Mal". Zyrtarizimi i eventit u bë paraditen e djeshme në zyrat e MTKRS-së gjatë takimit të zhvilluar mes ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z.Ferdinand Xhaferraj dhe Presidentit të Federatës Botërore të Vrapimit në Mal, Bruno Goxelino. Ministri Xhaferraj ka përshëndetur iniciativën e rekordmenit të botës në atletikës, Sergei Bubka, i cili bëri të mundur vënien në jetë të këtij kompeticioni botëror në Shqipëri. "Ajo që ka një rëndësi të madhe në zhvillimin e kësaj gare është fokusimi te turizmi shqiptar, pasi gara do të ndiqet me helikopter gjatë gjithë kohës nga 60-70 vende anëtare dhe publiku do të jetë shumë i gjerë. Ndjekja nga e gjithë bota e kampionatit botëror të vrapimit malor do t'i japë një mundësi më shumë integrimit të Shqipërisë në federatat botërore sportive", u shpreh Xhaferraj në konferencën për shtyp, ku ishin të pranishëm z.Goxelino, zëvendësministri i Sporteve Dashnor Bajaziti, presidenti dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli e Nikolin Dionisi. Ministri Xhaferraj ka garantuar se aktiviteti do të mbështetet edhe nga ana e kryeministrit. Muajin e ardhshëm më 5 shtator pritet të zhvillohet në Slloveni edhe Kongresi i Federatës Botërore të Vrapimit në Mal, që do të përcaktojë edhe buxhetin e Botërorit të vitit 2011. Ende nuk është përcaktuar vendi ku do të mbahet aktiviteti, po më i përshtatshmi është parku pranë Liqenin Artificial në Tiranë, pasi ai sipas ekspertëve të atletikës përmbush kushtet e lartësisë. Ministri Xhaferraj e vlerësoi shumë iniciativën, që ka ndërmarrë Federata Shqiptare e Atletikës për zhvillimin e këtij kampionati në Shqipëri, ku shprehu njëkohësisht mbështetjen e tij dhe falënderimin e veçantë kushtuar të madhit të atletikës botërore, Sergei Bubka, që bëri të mundur realizimin dhe planifikimin e kampionatit botëror të vrapit malor, i cili do të zhvillohet brenda një dite, më 11 shtator të vitit 2011. Nisma e ish-atletit të kërcimit me shkop, Sergei Bubka që vizitoi Tiranën pak kohë më parë, mori edhe mbështetjen e Kryeministrit Sali Berisha për angazhimin e Shqipërisë për të mirëpritur këtë eveniment. Aktualisht, në Shqipëri kanë mbërritur një grup teknikësh për të studiuar terrenin ku do të zhvillohet gara.