E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkumbini, "luftë" në dy reparte



Ditët përgatitore në Maqedoni janë drejt përfundimit për skuadrën e drejtuar nga trajneri Mirel Josa, i cili është duke skicuar edhe formacionin bazë, me të cilin Shkumbini pritet që të bëjë debutimin në sezonin e ri. Gjatë miqësoreve të zhvilluara në tokën maqedonase, kreu i pankinës bardhekaltër ka lënë të kuptohet se për të, asnjë nuk e ka të sigurt vendin në formacion, megjithëse duhet pranuar se 11-tëshi i përdorur në këto ndeshje testuese ka ndryshuar edhe si rezultat i provimit të skemave të ndryshme. Në portë, duket se nuk do të ketë shumë dilema pasi eksperienca e portierit elbasanas Elvis Kotorri padyshim që e ka bindur tashmë kryepankinën peqinase për t'i besuar ruajtjen e katërkëndorit.
Gara - Ndërsa, ajo që bie në sy është fakti që në repartin difensiv dhe në atë të mesfushës, konkurrenca do të jetë më e lartë, edhe për shkak se në dispozicion të trajnerit Josa janë disa lojtarë. Në garë për një vend në formacion në repartin e mbrojtjes janë Mujdragiç, Grizha, Pasha, Arapi, Krasniqi e Xhyra, të cilët do të vlerësohen edhe në bazë të pozicionit që kanë në mbrojtje. Përsa i përket repartit të mesfushës duhet thënë se edhe këtu ka mjaft alternativa të shumta. Prurjet e reja si Kuli, Mancaku e Veliaj janë padyshim kandidatë të fortë për një vend titullari, ndonëse edhe Gjyla e Shenaj nuk qëndrojnë më prapa, pasi në sezonin që shkoi ishin të padiskutueshëm në formacionin e Josës. Një alternativë është edhe mesfushori boshnjak Salihoviç, i cili është tashmë pjesë e skuadrës së Shkumbinit.
Sulmi - Një prej fakteve më pozitive të kësaj përgatitoreje ka qenë harmonizimi i repartit të sulmit, megjithëse një pjesë të mirë të golave e kanë shënuar lojtarët e mesfushës. Në këtë repart në garë për të fituar besimin e trajnerit Josa janë katër futbollistë, pikërisht Nora, Gërboviç, Dervishi e Mustafaji, pa harruar edhe të riun Lluca. Gjithsesi, pavarësisht se merkatoja e skuadrës së Shkumbinit akoma nuk mund të quhet e mbyllur për shkak të ndonjë afrimi të fundit, duket se edhe me emrat që ka do të jetë një kundërshtar i frikshëm për çdo ekip të Superiores. Fatmir Ahmeti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›