E Shtunë, 31 Tetor 2026

Morati blindon Maikon dhe ëndërron Kasanon



Tashmë është vendosur përfundimisht,madje e ka konfirmuar edhe vetë presidenti i Interit Masimo Morati: Maikon nuk është në shitje, do të qëndrojë te zikaltrit. Presidenti i kampionëve të Evropës, gjatë një interviste të dhënë për të përditshmen italiane "Corriere dello Sport", ka theksuar se mbrojtësi brazilian nuk do të lëvizë nga Milano: "Maikon do të qëndrojë me ne. Reali i Madridit nuk ka bërë gjithçka të mjaftueshme për ta marrë dhe për pasojë ai do të qëndrojë këtu. Nëse e donin kaq shumë sa përflitet në Madrid, atëherë duhet të ishin përpjekur pak më shumë. E kam hequr nga merkatoja dhe nuk do ta shes as sikur të më ofrojnë 30 milionë euro. Nuk është se kam ndryshuar mendim, në fund të fundit unë gjithnjë e kam thënë që më vjen shumë keq nëse Maikon do të largohet. Rinovimi i kontratës së tij? Ju lutem, mos ma sillni ndërmend këtë ide, as mua dhe as atij". Numri një i klubit zikaltër ka komentuar edhe deklaratat e Murinjos dhënë për "Sunday Times": "Natyrisht që nuk jam dakord me Murinjon, por nga ana tjetër nuk dua të filloj polemikat me të, ai e do shumë Interin dhe ne e duam shumë atë, ndoshta do të takohemi në finalen e Uemblit. Ne tani jemi të gjithë me Benitezin, është shumë serioz në atë që bën dhe kujdeset shumë për detajet, nëse do të fitojë ndonjë gjë atëherë suksesi do të jetë plotësisht i tij dhe i askujt tjetër, - ka vazhduar presidenti i Interit, Masimo Morati. - Faza përgatitore? Ndeshja jonë e parë ka qenë e bukur, në të tjerat ishim më të lodhur. Jam shumë i kënaqur nga të rinjtë, por u duk fare qartë përmirësimi i lojës kur në fushë hynë titullarët". Morati ka komentuar me shumë kënaqësi edhe grumbullimin e Mario Balotelit në kombëtare: "Jam me të vërtetë mjaft i lumtur për Marion, ai e meriton kombëtaren, madje unë jam i bindur që duhet të ishte pjesë e saj përpara Botërorit të Afrikës së Jugut. Baloteli ka shumë talent dhe është pjesë e historisë së Interit. Ai është një simbol, një kampion që është kontestuar në shumë stadiume. Jemi të lumtur që këtu tek ne është pjekur taktikisht. A do të transferohet te Siti gjatë kësaj jave? Nuk e di, dhe unë jam kurioz të shikoj sesi do të shkojnë gjërat". Argumenti Kasano nuk mund të mungonte në deklaratën e presidentit të Interit: "Unë Kasanon e adhuroj, të gjithë do ta donin një kampion si ai, por menaxheri i tij ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të largohet nga Sampdoria. Gjithsesi unë nuk mërzitem pasi ne kemi Shnajderin dhe Kutinjon. Benitez? Më ka pëlqyer shumë puna që ka bërë deri tani. Ai është një trajner që i shfrytëzon më së miri të rinjtë dhe kjo është padyshim diçka shumë pozitive. Maskerano? Nuk do të bëjmë blerje të këtij niveli (Liverpuli kërkon 20 milionë euro), nëse nuk shesim nuk kemi pse të blejmë. Skuli? Nuk na duhen lojtarë të tjerë, jo sepse nuk na pëlqen por sepse të paktën për momentin, jemi të kompletuar në të gjitha repartet. Gjithsesi do edhe gati tre javë që merkatoja të mbyllet përfundimisht, kështu që nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë deri në atë kohë", - ka përfunduar presidenti i Interit, Masimo Morati.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›