Lazarevski: Unë,maqedonasi që kërkoj lavdi te Besa
Ka ardhur pa shumë bujë te Besa, megji-thatë mbrojtësi, i cili shpeshherë ka kryer edhe rolin e mesfushorit, Dimitrija Lazarevski është një ndër blerjet më të çmuara që ka bërë deri më tani presidenti Nexhat Bizhdili. Me cilësitë e shfaqura jo vetëm në fazën përgatitore, por edhe në ndeshjet miqësore, ai ka bindur si presidentin kavajas, ashtu edhe trajnerin Shpëtim Duro dhe e meriton që ta veshë fanellën e titullarit për sezonin e ri. Ai për herë të parë në një prononcim për "Panorama Sport" ka deklaruar se është shumë i kënaqur që është transferuar te Besa, ndërkohë që kërkon të bëhet një lojtar i rëndësishëm për ekipin e tij të ri. "Jam shumë i kënaqur që kam ardhur tek Besa. Më kanë folur shumë mirë për këtë skuadër dhe që në bisedën e parë me presidentin e Besës, Nexhat Bizhdili isha i bindur për të ardhur këtu. Madje, tashmë që u bënë plot një muaj që jam pjesë e verdhezinjve, jam shumë i kënaqur që do të mbroj fanellën e kësaj skuadre edicionin e ardhshëm futbollistik. Shpresoj që shumë shpejt të jem një lojtar i rëndësishëm për Besën. Premtoj se do të jap maksimumin tim, me qëllim që të ndihmoj në arritjet e objektivave të këtij sezoni", u shpreh fillimisht mbrojtësi-mesfushori Lazarevski.
Eksperienca
Shqiptaro-maqedonasi i Besës ka shënuar një gol fantastik në ndeshjen e kthimit në Greqi ndaj Olimpiakosit, e vlefshme kjo për Ligën e Evropës. Goli i tij i shënuar nga një distancë prej 30-m, ishte i vetmi për kavajasit në të dyja ndeshjet e zhvilluara në Ligën e Evropës. Dimitrija Lazarevski, mbrojtësi maqedonas do të luajë për herë të parë në kampionatin shqiptar dhe për të kjo është një eksperiencë emocionuese. "është hera e parë që do të luaj në Shqipëri dhe me thënë të vërtetën mezi po pres që të luaj përballë ekipeve shqiptare. Kam dëgjuar që këtë vit do të jetë një kampionat shumë i fortë dhe do të ketë një rivalitet të madh. Mendoj se te Besa jam në ekipin e duhur për të zhvilluar një kampionat të bukur. është eksperiencë emocionuese dhe unë mezi po pres që të startojë sezoni",- tha Lazarevski. Ky i fundit ka rreth 1 muaj që stërvitet me Besën, mbasi ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare dhe për hir të së vërtetës është përshtatur mjaft me ekipin kavajas. Vetë, Lazarevski shprehet i kënaqur me ambientimin e deritanishëm, duke vlerësuar së tepërmi pjesën tjetër të grupit. Sipas tij, këtë sezon Besa do të renditet mes 3 ekipeve më të mirave. "Në fakt, jam ambientuar më shpejt nga sa e mendoja. Këtu, kam gjetur një klimë të mirë, por jo vetëm edhe një ambient shumë pozitiv. Madje, jam ndjerë i vlerësuar nga të gjithë pa përjashtim. Ekipi ka lojtarë cilësorë padyshim, dhe mendoj se do të arrijmë shumë këtë sezon. Duhet të besoni tek ne, megjithëse nuk na kanë renditur si favoritë. Unë kam bindjen se këtë sezon ne do të jemi mes 3 ekipeve më të mira të Superiores. Kemi zhvilluar një fazë përgatitore për tu pasur zili dhe shumë ndeshje miqësore. Fillimi i kampionatit do ta tregojë forcën tonë të vërtetë",- ka përfunduar mbrojtësi i Besës, Dimitrija Lazarevski.