E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atletiko Madrid thyen Realin, fiton në shtesë Kupën e Mbretit

Kur të gjithë mendonin se Reali i Madridit do të ishte fitues i derbit dhe i Kupës së Mbretit, ka ndodhur e kundërta. Atletiko e Madridit ka fituar në shtesë me rezultatin 2-1. Koha e rregullt ka përfunduar në barazim 1-1. Në fillim ka shënuar Kristiano Ronaldo për Realin e Madridit (minuta e 13-të), ndërsa Kosta, i shërbyer nga Falkao, në minutën e 34-t, ka barazuar për Atletikon e Madridit. Kështu ka përfunduar pjesa e parë dhe 90 minutat. Për të ardhur në kohën shtesë, ku në mi-nutën e 98-të Miranda ka shënuar golin e epërsisë për Atletikon. Një gol që i ka dhënë edhe fitoren e Kupës së Mbretit skuadrës së Atletikos, që bëhet kështu "macja e zezë" e Realit në këtë kompeticion. Pesë minuta para fundit Kristiano Ronaldo është ndëshkuar me karton të kuq. Atletiko e Madridit ka mposhtur për herë të katërt në 6 finalet që ka luajtur bashkë me Realin, duke fituar trofeun e 10-të Kupës së Mbretit në të gjithë historinë. Reali i Madridit nuk arrin ta fitojë për herë të 19-të, por më e keqja akoma, nuk fiton asnjë trofe këtë sezon dhe duhet të ngushëllohet vetëm më vendin e dytë në kampionat. Tashmë largimi i Murinjos nga Reali bëhet edhe më i mundur, pasi tifozët do ta kontestojnë edhe më shumë.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›