Atmosferë e ndezur në Lushnjë, fitorja 3-0 duket e arritshme
Pas fitores në Velipojë dhe barazimit mes dy kryesuesve, verdhejeshilët besojnë se do të shënojnë aq gola sa duhen ndaj Kukësi
Lushnjarët e drejtuar nga trajneri Sajmir Malko kanë arritur një fitore të rëndësishme në Velipojë me Adën vendëse, duke prishur kështu festën e filluar para kohe nga ana e kuksianëve, të cilët nuk shkuan më shumë se barazimi në shtëpi me Luftëtarin e vendit të parë.
Situata në tabelën e renditjes i bën verdhejeshilët të shpresojnë për të pasur në dorë një biletë superlige pas javës së fundit të kampionatit, por për këtë duhet të fitojnë 3-0 me Kukësin në stadiumin Roza Haxhiu. Ndeshja në Velipojë ka qenë e bukur për tu parë, sepse të dyja skuadrat e kërkonin fitoren.
Dhe rastet kanë qenë të shumta që në pjesën e parë, kur sulmuesit Sefa dhe Canka nuk kanë pasur fat për të shënuar, ashtu si Puka nga ana tjetër për Adën. Në pjesën e dytë Lushnja ka shënuar dy gola të shpejtë me Metushin dhe Sefën, ky i fundit padyshim futbollisti më i mirë në fushë për verdhejeshilët.
Kjo fitore na ka kënaqur shumë, duke parë edhe frenimin e Kukësit, por, për për këtë kundërshtar do të mendojmë javën që vjen (këtë javë), – ka thënë trajneri Malko fill pas ndeshjes me Adën. Skuadra lushnjare nis sot javën stërvitore dhe në dispozicion të trajnerit 41-vjeçar pritet të jenë edhe dy mesfushorët Byzhyti dhe Çela.
Atmosfera në Lushnjë ka qenë mjaft e ndezur ditën e diel, kur, pasi kanë mësuar për fitoren e skuadrës së tyre në transfertën e vështirë të Velipojës, tifozët kanë brohoritur për barazimin e Kukësit me Luftëtarin. Tashmë vëmendja është kthyer nga sfida me kuksianët, ku lushnjarëve u duhet të fitojë me tre gola diferencë për tu ngjitur direkt në superligë.
Kuptohet që një fitore e tillë ka një koefiçent të lartë vështirësie, por, duke luajtur në stadiumin Riza Haxhiu, djemtë e trajnerit Malko mund ti a dalin, pasi janë pjesë e një skuadre me vlera, që i ka shfaqur qartë në shumë ndeshje të këtij kampionati.
