Hitaj: Gramozi, gati për ndeshjen shtesë
Kolonjarët kanë fituar me shumë vështirësi ndaj Butrintit, por e rëndësishme është që kanë marrë 3 pikë, që u japin shansin për të shpresuar për qëndrimin në kategorinë e parë. Zëvendëstrajneri i Gramozit, Sokol Hitaj, si të gjithë në kampin kolonjar, merr frymë lirisht për faktin se mbijetesa mund të arrihet me ndeshje shtesë. Ai pranon se fitorja e së dielës u arrit me shumë vështirësi dhe me fat, sepse dy golat u shënuan në 15-minutshin e fundit.
Nuk kam shumë dëshirë të flas për ndeshjen me sarandiotët, ku, për fat të mirë, arritëm të merrnim tri pikë me shumë vlerë, duke siguruar ndeshjen shtesë. Ne si staf, por edhe lojtarët, duhet ti përvishemi punës gjatë këtyre dhjetë ditëve për të dalë me sukses në play-out. Për këtë kemi menduar që javën e ardhshme, pas ndeshjes me Burrelin, ekipi të mos kthehet në Ersekë, por të përgatitet në Durrës deri ditën e ndeshjes shtesë.
Lojtarët duhet të ambientohen me të nxehtin e këtyre ditëve, duke ditur se klima në Ersekë edhe këtë muaj është e freskët. Ajo që më gëzon është se në ndeshjen shtesë do ti kemi të gatshëm të gjithë lojtarët, u shpreh numri 2 i stolit kolonjar, Hitaj. Ekipi ka pushuar ditën e hënë dhe sot pasdite do të mblidhet për të filluar përgatitjet e ndeshjes me Burrelin, ku kolonjarët synojnë të luajnë futboll cilësor dhe të paktën të marrin një pikë, pasi në renditje çdo gjë është vendosur.
