E Shtunë, 31 Tetor 2026

Khtimin në të parën, Partizani e çertifikon me Këlcyrën

Nga ILIR CARA

Fitorja e demave të kuq në transfertën e Cërrikut mund të konsiderohet si shkëndija për rikthimin e vërtetë të kryeqytetasve

Fitorja 2-1 në Cërrik vlejti më shumë se tre pikë për Partizanin, pasi një javë para mbylljes së kampionatit të kuqtë e kryeqytetit janë pothuajse në kategorinë e parë në sezonin e ri. (Thuhet pothuajse, sepse duke qenë 1 pikë para Naftëtarit, matematikisht ekziston mundësia që kuçovarët të dalin të parët.

Po ky rast do të ishte vetëvrasje, që pakkush e mendon se do të ndodhë.) Kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga fundi, ku të dielën Partizani pret Këlcyrën e vendit të fundit, legjenda e kuqe ka nisur rrugën e ngjitjes drejt vendit që i takon. Festa e kthimit të legjendës ka nisur që pas përfundimit të ndeshjes me Turbinën, ku nuk mund të dalloje se kush ishin tifozët, e kush ishin lojtarët.

Madje,  gjatë kthimit për në kryeqytet, futbollistët kanë festuar në autobus më fortë se ultrasit, që i shoqëruan deri në Cërrik. Kjo festë e lojtarëve është shoqëruar edhe me batutat e stafit.  Pse nuk thoni more, ju i bëkemi të dyja edhe lojtarin edhe tifozin. Qenkeni mirë edhe për këtë punë. Kështu u është drejtuar trajneri Perlat Musta futbollistëve të kuq.

Në kthim ka pasur edhe një gërshetim festash mes tifozëve dhe lojtarëve, por festa e vërtetë pritet të ndodhë të dielën në përballjen me Këlcyrën, që do të luhet në kryeqytet. Mendohet që ndeshja me Këlcyrën do të kthehet në një festë partizane dhe për këtë kërkohet që dashamirësit e kuq të jenë më të shumtë. Pritet që fitorja e Partizanit në Cërrik të shpërblehet edhe financiarisht, por ende nuk është bërë e dituar se sa do të jetë kjo shumë. Kjo gjë pritet të mësohet kur të nisin përgatitjet e  para për këtë javë, të cilat startojnë nesër.

Mario Xhafa  ka pasur fatin kundër në këtë fund kampionati. Mesfushori ishte menduar si titullar për transfertën e Cërrikut,  por është dëmtuar në stërvitjen e fundit dhe për pasojë nuk ka mundur të luajë. Ky dëmtim konsiderohet serioz, pasi thuhet se sezoni ka përfunduar për Mario Xhafën, i cili jo vetëm që nuk mund të luajë ndaj Këlcyrës, por edhe në finalen e kategorisë së dytë me Tërbunin.

 
 
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›