Shqiptarët, këta lolo në dyer ambasadash!
Njeriu ka nevojë të fyejë edhe vetveten. Ky besoj se është kulmi i vetëndërgjegjësimit për atë që jemi. Shqiptarët e bëjnë shpesh dhe disa thonë që është pikërisht kjo që na ka lënë pas…ngaqë ngelëm duke sharë vetveten. Gjithsesi besoj se të gjithë lexuesve të këtyre rreshtave, u ka rënë për rast të presin qoftë edhe një herë të vetme në radhë para një ambasade…aq më kaq mund të ketë edhe nga ana që janë lënë të presin nëpër dogana, pikëkalime, aeroporte me orë të tëra, vetëm e vetëm sepse janë shqiptarë. Jemi mësuar të shohim skena të shëmtuar përballë ambasadës greke, e më tej para asaj italiane. Këto janë më të rrahurat nga shqiptarët e shkretë e të vuajtur, që nga halli apo nga malli detyrohen të ikin. Gjithsesi Bashkimi Europian është ende kafshatë e madhe për ne, dhe nuk e kapërdijmë dot, prandaj nuk jemi qarë ndonëse kemi pritë në pikë të diellit e në mes të shiut, ndonëse sa herë shkon në një ambasadë të kërkojnë jnë dokument tjetër të ri, ndonëse të bëhen 1001 verifikime sikur të jesh ndojnë zullulandist. Ajo që të prek më shumë, është kryençësia edhe e atyre që kemi rreth e rrotull, sidomos ish republikat jugosllave, vço këtu Kosovën dhe Malin e Zi. Mediat shqiptare botuan pak kohë më parë artikuj ku theksohej se shqiptarët kishin vetëm 17 vende në botë ku mund të shkonin pa viza! Shqiptarët ende tarifohen me viza për në Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Kroaci dhe Slloveni, ndërsa kohët e fundit duhet tu rrinë larg vizave bullgare dhe rumune, pasi ato po marrin ngadalë ngjyrën e Shengenit. Përvç imazhit të shëmtuar që i kemi thurur vetes me kujdes e zell të madh, naryrisht që edhe fqinjët tanë që kanë kaluar nga e njëjta rrugë kanë gabimet e tyre në mënyrën sesi i shohin dhe gjykojnë shqiptarët. Por në thelb, mbetet padyshim paatësia në kulm e shtetit tonë, që nëse do ta cilësonin në gjuhën popullore nuk do shkonim më larg se shprehja ``Ku thërret Qameti``. Dhe është me të vërtetë kështu. Diplomacia shqiptare është mykur dhe shfaqet totalisht e përgjumur përballë asaj që duhet të bëjë. Ende në Ministrinë e Jashtme apo ambasada anekënd botës, drejtojnë njerëz që thjesht janë diplomuar për ndonjë gjuhë të huaj, dhe nuk dinë as D-në e diplomacisë. Madje fatkeqsisht shumëkush nga `diplomatët` tanë i shikojnë vitet e shërbimit të tyre jashtë, si një `shpëtim` nga balta dhe pluhuri i Tiranës, si dhe nga cikëlat e turbullta të politikës uloke shqiptare. Kohët e fundit ka patur një tendencë për tërheqjen në sektorin e diplomacisë të personave të kualifikuar sidomos në Marrdhëniet Ndërkombëtare, Shkencat Politike apo shkenca të tjera të komunikimit, por kjo është e pamjaftueshme. Kjo duket në shkallën e efikasitetit të përfaqësive tona jashtë vendit, që është thuajse zero. Nuk bëhet thuajse asgjë për të promovuar Shqipërinë, për të ndihmuar komunitetet shqiptare në vendet përkatëse, ndërsa shumica e diplomatëve janë si peshqit pa ujë, pasi nuk dinë asnjë gërmë të gjuhës së shtetit ku ndodhen, që është elementarja për punën e tyre atje. Pra shteti shqiptar, mbetet i paralizuar nga funksionarë të tij të paaftë, të cilët i ka sjellë era t`i shërbejnë, por që në të kundërt ata i bëhen barrë atij. Diplomacia nuk mund të behet thjeshtë nga përkthyesat, por nga diplomatët e mirëfilltë. Dhe e gjithë kjo bie në kurriz të shqiptarëve të vuajtur, që hanë dynjanë në dyert e ambasadave të huaja në Tiranë, dhe kur nuk i kanë aty, detyrohen të shkojnë deri në vendet fqinje për tu pajisur me to. Mijëra shqiptarë presin në diell, shi e të ftohtë, përballë ambasadave të huaja, ndërsa diplomatët tanë në zyra me kompiuter dhe kondicioner, me kostumet që rëndoim u përkasin markave më të mira, as që mendojnë të paktën të justifikojnë 1 përqind të taksave që paguajnë hallexhinjtë shqiptarë…
aulonmehdiu@yahoo.com
aulonmehdiu@yahoo.com