E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atomiku, del vendimi i parë i qeverisë

 

ADI SHKEMBI

Qeveria nis hartimin e kuadrit ligjor për ndërtimin e centralit bërthamor në Shqipëri. Pak muaj pasi kryeministri Berisha, bëri të ditur një nismë të tillë, në mbledhjen e djeshme të kabinetit është miratuar një projektvendim i propozuar nga ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, lidhur me miratimin e rregullave dhe procedurave të vlerësimit të veprimtarive e të projekteve me ndikime të rëndësishme negative në mjedisin e vendeve fqinje. Përveç centraleve nukleare, ky vendim prek edhe digat e lumenjve që prekin dy vende.
Vendimi
Sipas draftit të miratuar dje në qeveri, brenda pesë ditëve nga depozitimi i kërkesës për zbatimin e një projekti në një zonë ndërkufitare, Agjencia Rajonale e Mjedisit vlerëson dhe vendos, nëse projekti ka ndikime negative në mjediset e vendeve fqinje dhe nëse do t’i nënshtrohet përgatitjes së raportit të thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis. Pas këtij hapi, agjencia njofton propozuesin për rezultatin e vlerësimit, si dhe i përcjell ministrisë së fushës dosjen, të shoqëruar me vlerësimin e saj. Pas njoftimit të agjencisë, ministria nëse është dakord me vendimin njofton institucionin kompetent, njësinë vendore ku do të zbatohet projekti, si dhe pjesën shqiptare të komisioneve të përbashkëta, të cilat janë ngritur për çështjet kufitare dhe i kërkon të angazhohen për procesin e vlerësimit. “Brenda 10 ditëve nga njoftimi i ARM-së, ministria njofton palën e prekur, për projektin, që do të zbatohet se, meqenëse parashikohet të ketë ndikime të rëndësishme negative ndërkufitare, duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, në kontekst ndërkufitar”, thuhet në pikën B2 të projektvendimit.
Këshillimet
Gjatë procesit të vlerësimit të ndotjes së mjedisit në kontekst ndërkufitar, ministria këshillohet me palën e prekur. Sipas dokumentit të miratuar, këshillimet ndërmjet palëve zhvillohen për afatet, mënyrën e shkëmbimit të dokumentacionit, të njoftimit të aktorëve të interesuar e të publikut të palës së prekur. Gjithashtu, këshillimet zhvillohen edhe për minimizimin e ndikimeve negative ndërkufitare dhe monitorimin e efektshmërisë së masave. Pas këshillimeve, ministria siguron se vendimi përfundimtar për projektin e propozuar është i bazuar në dokumentacionin dhe raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedisin ndërkufitar, komentet e publikut dhe rezultatet e këshillimeve. “Ministria brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit përfundimtar për zhvillimin e veprimtarisë në zonën ndërkufitare, ia njofton atë palës së prekur, së bashku me arsyetimet, te të cilat është mbështetur”, thuhet në pikën D2. Gjithashtu në p/vendim parashikohet, se nëse ministria merr informacion të ri për ndikimet negative në mjedis, pa filluar zbatimin e projektit, ia komunikon ato palës së prekur dhe nëse kjo e fundit kërkon rishikim të vendimit përfundimtar, nisin sërish këshillimet, nëse është i nevojshëm rishikimi i vendimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›