E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen në Qafë-Kërrabë 247 gramë kokainë

 

ELBASAN - Dy persona u arrestuan dje nga policia e Elbasanit, pasi u kapën me një sasi kokaine. Në bazë të informacioneve të siguruara u organizua operacioni "Skampa", i cili bllokoi në makinën e dy të ndaluarve 247 gramë lëndë narkotike. Sipas burimeve të policisë, droga u gjet në makinën "Peugeot", me targë TR 5077 P, e cila ishte në pronësi të shtetasit Dritan Hamolli, 31 vjeç, lindur në Pogradec e banues në Tiranë. Bashkë me Hamollin u arrestua në flagrancë dhe 41-vjeçari nga Pogradeci, Edmond Memelli. Policia e Elbasanit i ndaloi ata në momentin kur po udhëtonin drejt Tiranës, pikërisht në Qafë-Kërrabë. Pas kontrollit të makinës, u zbulua dhe sasia e drogës, ndërsa u arrestuan menjëherë dy udhëtarët, të cilët u izoluan në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Elbasanit, në pritje të hetimit për veprën penale të "prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim". Tashmë, policia po heton në lidhje me burimin, që furnizoi dy të arrestuarit me drogën e shtrenjtë dhe destinacionin, që ajo do të kishte në kryeqytet. Kanë qenë të shumta aksionet e kryera nga blutë e Elbasanit për kapjen e shumë shtetasve, të cilët posedojnë dhe përdorin lëndë të ndryshme narkotike. Vetëm pak ditë më parë ranë në pranga tre persona mes tyre edhe një 19-vjeçare.               a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›