E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat Qendrore në SHBA e BE do të ulin interesat

 

Bankat Qëndrore do të ulin përqindjen e interesave, si një masë kjo për të frenuar krizën financiare ndërkombëtare. Sipas mediave të huaja, zyrtarët më të lartë të ekonomisë të shumë vendeve do të ulin përqindjet e interesit për të stimuluar ekonominë e dobësuar globale. Konkretisht, Banka Qendrore amerikane pritet të ulë interesin 0.5 për qind. Banka Qendrore kineze sapo i ka ulur përqindjet e interesit, ndërsa Banka Qendrore evropiane pritet t'i ulë interesat javën e ardhshme. Uljet kanë si synim t'i japin një shtysë ekonomisë duke e ulur koston e marrjes hua për të blerë artikujt e nevojshëm për të zgjeruar bizneset, për të ndërtuar shtëpi dhe për të hapur vende pune. Shumë investitorë i kanë mirëpritur këto përpjekje të fundit për të parandaluar recesionin global. Çmimet e aksioneve u rritën në Tokio, Londër dhe Paris. Bursa u rrit disi në Hong Kong, por pësoi rënie në Gjermani. Masat pasojnë ngritjen e madhe të bursës amerikane dy ditë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›