E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Kriza, peng investimet e mëdha

 

Kriza financiare ndër-kombëtare, do të japë efektet e saj negative edhe në Shqipëri. Në një intervistë të dhënë për BBC, kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka shpjeguar sektorët, që mund të preken nga kriza. Sipas tij, kjo krizë mund të ndikojë në uljen e dërgesave të emigrantëve. Ministri ka theksuar, se ulja me 30 për qind e të ardhurave të emigrantëve do të shkaktonte probleme në ekonominë vendase. Si pasojë e krizës financiare ndërkombëtare, shumë projekte të mëdha mund të ngrijnë deri në një fazë tjetër. Kjo pasi realizimi i projekteve të mëdha, si ato të sektorit energjetik apo infrastrukturë kërkojnë qindra milionë euro investime. Pra, për shkak të krizës, sigurimi i plotë i këtyre parave do të jetë i vështirë. Ndërkohë, sipas ministrit Ruli, kriza ndërkombëtare do të shfaqet kryesisht në eksportet, të cilat janë gati 90% të orientuara drejt vendeve të BE-së dhe çdo ulje e ritmeve të rritjes apo e kërkesës konsumatore në vendet e BE-së, vetvetiu mund të shfaqet me një rënie të këtyre eksporteve.
Në ç'masë mund të preket ekonomia e Shqipërisë nga kriza aktuale e tregjeve ndërkombëtare të kapitalit?
Sigurisht që Shqipëria nuk është e izoluar nga ky treg global për të mos pësuar impakt. Shqipëria, duke mos pasur një hapje ekonomike ose një integrim tregtar të plotë me tregun rajonal evropian dhe atë botëror, vetvetiu është e prekur më pak, përsa i përket ndryshimeve, që mund të ndodhnin në shkëmbimet tona tregtare me jashtë.
Cili do të ishte një nga sektorët, që ju mendoni se do të prekej drejtpërsëdrejti nga kriza globale?
Ndikimi do të shfaqet kryesisht në eksportet tona, të cilat janë gati 90% të orientuara drejt vendeve të BE-së dhe çdo ulje e ritmeve të rritjes apo e kërkesës konsumatore në vendet e BE-së, vetvetiu mund të shfaqet me një rënie të këtyre eksporteve. Sigurisht, ky do jetë një impakt për këtë industri të re manifakturuese, që është ngritur dhe është e orientuar drejt eksportit, por fenomeni ndoshta izolohet vetëm në këtë masë duke menduar që në fund të fundit sektori i eksportit në tërë peshën e tij të ekonomisë, është vetëm pak për qind.
Zoti ministër, dihet që ekonomia e Shqipërisë i ka sytë e drejtuar në një masë të madhe nga fluksi i investimeve të huaja. A nuk do të prekeshin investimet e huaja për shkak të krizës globale?
Janë shumë projekte madhore sidomos ato të sektorit energjetik apo infrastrukturor, të cilat duan mbështetje të fuqishme financiare në nivelet e qindra milionë eurove, të cilat do jetë e vështirë ndoshta të sigurohen në masë të plotë në tregun e kapitaleve, në tregun financiar evropian apo botëror sot. Kjo mund të sjellë ulje të ritmit të realizimit të këtyre projekteve ose ndoshta dhe ngrirjen e këtyre projekteve për të rifilluar në një moment të dytë, kur besimi në tregun financiar të jetë vendosur përsëri.
Një pjesë e ekonomisë shqiptare dihet që merr një oksigjen të bollshëm do të thosha nga kontributi, dërgesat e emigrantëve. A do të preken ato nga kriza globale?
Në varësi të shkallës sesa do të shfaqet ulja ekonomike apo recesioni në Evropë. Faktori emigracion, është mjaft i ndjeshëm ekonomikisht qoftë për punësimin, që kanë afro 1 milion e ca shqiptarë që janë në emigracion, të cilët nëse vendet ku ata jetojnë preken nga rënia ekonomike, një pjesë e tyre mund të rrezikojnë dhe gjenden të papunë. Kjo do të reflektohet padyshim ndoshta në një ulje të nivelit të remitancave, dërgesat, që ata bëjnë në Shqipëri, që janë një nga zërat e rëndësishëm të bilancit tonë të pagesave, duke përkeqësuar në këtë mënyrë ndoshta edhe bilancin valutor të pagesave, duke rritur pra në këtë rast edhe deficitin dhe ekspozimin tonë në riskun financiar.
A janë këto dërgesa të matshme në përqindje, zoti ministër, kontributet e emigrantëve në ekonominë tonë?
Ka pasur vlerësime të përgjithshme për remitancat, që gjithmonë janë mbajtur në një mesatare vjetore me ndryshime të pakta, rreth 1 miliard euro në vit. Kjo është një hyrje e konsiderueshme për ekonominë tonë, qoftë si hyrje drejtuar në investime apo të drejtuara në konsum. Sikur të ndodhë qoftë dhe një 30% pakësim i tyre, vetvetiu diku do reflektohet ose në investimet e vogla ose të mesme, ku ato drejtohen ose dhe në konsumim. Ky do të jetë ndoshta faktori i parë më i ndjeshëm, që do të duket në këtë drejtim.
Përgjithësisht është pozitiv fakti, që pikërisht se jemi një ekonomi në hapje e sipër, por jo ende e hapur, në integrim e sipër, por jo e integruar plotësisht, një ekonomi që ka një sektor financiar që kryesisht është sektor bankar, për më tepër kryesisht sektor i tipit të bankave tregtare dhe jo bankave investuese, të gjitha këto bëjnë që Shqipëria në tërësinë e ekspozimit ndaj krizës të jetë ndër vendet, që do ta ketë më të pakët dhe më të limituar impaktin e krizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›