E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, qeveria OK çekëve për shpërndarjen

 

Qeveria ka miratuar dje vendimin për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH). Kompania Çeke ‘Cez’, është fituesja e tenderit për shitjen e operatorit të shpërndarjes. Çeket do të paguajnë 102 milionë euro për blerjen e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së. Përveç kësaj, kompania çeke do të paguajë edhe detyrimet e prapambetura të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha u shpreh se pas privatizimit të OSSH-së, do të mbyllet  edhe shitja e kompanisë shtetërore të sigurimeve INSIG. “Sipas ekspertëve vendas dhe rajonalë të tregut të kompanive të shpërndarjes, ky është një nga privatizimet më të suksesshme. Vështirësitë e këtij privatizimi kanë qenë humbjet konstante që, për fat të keq, duhet ta pranojmë se kanë qenë dyfishi i humbjeve të energjisë të korporatës së energjisë në Maqedoni. Borxhi prej 17 miliardë lekë, që kjo kompani ka kredi të marra, do të paguhet nga pronari i ri”, u shpreh Kryeministri. Rezultat të suksesit të këtij privatizimi, Kryeministri Berisha vlerësoi edhe shitjen e OSSH-së me mbidyfishin e vlerës së aseteve të saj, të përllogaritura nga kompania ndërkombëtare e vlerësimit KPMG. Sipas përllogaritjes së KPMG, kompanisë ndërkombëtare të vlerësimit e kontraktuar nga IFC, asetet e sistemit të shpërndarjes janë vlerësuar në vlerën prej 4 miliardë lekësh. “Bazuar në vlerësimin e KPMG-së dhe që është i vetmi vlerësim që konkurrenca ndërkombëtare merr parasysh, kompania çeke ka ofruar mbi dyfishin e kësaj vlere”, tha Berisha. Sipas tij, sipërmarrja e shpërndarjes së energjisë elektrike përfshin kabinat dhe nënkabinat, sportelet e pagesave dhe nënstacionet e vogla, ndërsa nënstacionet e mëdha e të mesëm dhe linjat e transmetimit mbeten publike. Përpara hapjes së tenderit për privatizimin e OSSH-së kishin shfaqur interes katër kompani të huaja. Por gjatë tenderit kompania austriake, EVN, nuk u paraqit fare, ndërsa “Energy Shtanmark” njoftoi zyrtarisht tërheqjen nga tenderi duke njoftuar se nuk do paraqiste ofertë. Në këtë mënyrë, vetëm kompania italiane “Enel” dhe ajo çeke “CEZ”, vijuan garën për privatizimin e 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Përpara hapjes së ofertave teknike të kompanive, drejtuesit e qeverisë u bënë të ditur kushtet që duhet të plotësonin kompanitë. Uljen e humbjeve në rrjet në 32 për qind deri në fund të këtij viti dhe në 15 për qind deri në fund të 2014-ës ishte kushti i vendosur nga pala shqiptare. Komisioni i vlerësimit të ofertave, pasi mori në shqyrtim ofertat teknike të dy kompanive vendosi “Oferta teknike e paraqitur nga kompania italiane Enel SpA nuk kalon vlerësimin teknik, pasi nuk respekton kushtet minimale të detyrueshme të performancës teknike. Ndërsa oferta teknike e paraqitur nga kompania çeke CEZ a.s., kalon vlerësimin teknik”. Privatizimi i OSSH-së është një ndër proceset më të vështirë, por njëkohësisht edhe më të rëndësishëm. Me privatizimin e këtij sektori pritet që të përmirësohet situata e furnizimit me energji elektrike në vend, si dhe të ulen humbjet teknike dhe joteknike, duke mbajtur në kontroll kostot dhe çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›