E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH nuk ndryshon interesin, mban nën kontroll inflacionin

 

Banka e Shqipërisë ka kaluar në skanerin e saj të gjithë sektorët e ekonomisë, pas krizës financiare, që ka tronditur tregjet botërore. Pas analizës së saj BSH ka vendosur, që të mos ndryshojë normën bazë të interesit, pasi sipas bankës qendrore presionet inflancioniste janë nën kontroll. Niveli bazë i normës së interesit është 6.25 për qind. Në muajin shtator 2008, inflacioni vjetor shënoi 2.7 për qind, ndërkohë që inflacioni mesatar vjetor në tremujorin e tretë të këtij viti zbriti në 3 për qind. "Shtrëngimi i kushteve monetare dhe forcimi i normave të mbikëqyrjes bankare kanë ndihmuar në kontrollin e ritmeve të kredisë dhe të ekspansionit monetar, duke kontribuar direkt në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në konsolidimin e stabilitetit financiar", thuhet në raportin e BSH-së. Gjatë vitit 2008, aktiviteti ekonomik në rang botëror është karakterizuar nga kushtet jo të favorshme ekonomike në ekonomitë e zhvilluara. Kriza financiare, krahas problemeve të vazhdueshme në sistemin bankar të ekonomive të zhvilluara, ka ndikuar negativisht aktivitetin ekonomik botëror. Inflacioni në nivel botëror mbetet në nivele të larta, megjithëse nivelet e tij po vijnë në rënie si pasojë e uljes së muajve të fundit në çmimet e mallrave bazë. Thellimi i krizës financiare ka rritur pasigurinë në lidhje me zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe financiare në ekonominë botërore. Gjatë periudhës janar-gusht 2008 shkëmbimet tregtare të Shqipërisë arritën në 2,87 miliardë euro, duke qenë rreth 19 për qind më të larta se e njëjta periudhë e vitit 2007. Eksportet u rritën me 20 për qind, ndërsa importet u rritën me rreth 19 për qind. Deficiti tregtar arriti në 1,63 miliardë euro, duke u thelluar me rreth 19 për qind në terma vjetorë. Ndërkohë, sipas BSH-së kërkesa për para e ekonomisë ka vijuar të jetë e lartë. Me gjithë ngadalësimin në 41.8 për qind të rritjes vjetore, kreditimi i ekonomisë vazhdon të jetë faktori kryesor i zgjerimit të ofertës së parasë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›