Familjet e ish-divizionit në protestë: Duam legalizim
SHKODER / RITVAN DIBRA
Banorët e 115 familjeve, që prej vitesh jetojnë tek ish-divizioni, protestuan nëpër rrugët e qytetit të Shkodrës, duke kërkuar legalizimin e banesave që prej vitit 1998. Këto familje, të cilat prej shumë vitesh kanë migruar nga zonat rurale dhe banojnë në zonën e ish-korpusit në qytetin e Shkodrës, janë përjashtuar nga procesi i legalizimit. Për rreth 1 orë përfaqësues të këtyre familjeve kanë lëvizur në mënyrë paqësore nëpër rrugët e qytetit, duke kërkuar që edhe ata të përfitojnë nga ligji i Legalizimeve, si gjithë banorët në zonat e tjera të Shkodrës dhe të Shqipërisë. Me pankarta ku shkruhej "Legalizim jo diskriminim", etj., qindra persona kanë protestuar në emër të kërkesës së tyre. Por përgjigjen e protestës ua dha dje kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka. Sipas tij, duke u mbështetur në ligjin nr 9482 të Legalizimeve, në nenin 35 të tij është shprehur qartë, se nuk lejohet legalizimi i ndërtimeve pa leje brenda vijës së verdhë, të cilat janë në kundërshtim me planet rregulluese të qyteteve. "Por ata banorë do të trajtohen si të pastrehë dhe askush nuk ka të drejtë, që t'i nxjerrë nga banesa dhe t'i prishë ato pa u garantuar më parë strehimin e tyre. Pra, në këtë aspekt ligji është shprehur krejt qartë. Pastaj pretendimet e tjera janë krejt absurde dhe të pambështetura në ligjet e shtetit shqiptar", pohoi kryebashkiaku. Në sipërfaqen e truallit ku ata kanë ndërtuar shtëpitë, me një vendim të KRRT-së të vitit 1999 dhe në një vendim të Këshillit Bashkiak të vitit 2001 është miratuar ndërtimi i banesave të larta për familjet e pastreha. Pikërisht është ky vendim, që i ka privuar këto banorë nga përfitimi i ligjit të Legalizimeve. Por, vetë banorët shprehen kundër ndërtimit të apartamenteve, pasi aktualisht ata zotërojnë sipërfaqe të konsiderueshme që pretendojnë t'i legalizojnë. Paralelisht me protestën po zhvillohej dje dhe mbledhja e Këshillit Bashkiak në Shkodrës, e cila u shfrytëzua menjëherë politikisht. Fillimisht nga një pjesë e këshilltarëve përfaqësues të PS dhe PDK u kërkua, që kërkesat e këtyre banorëve të futen në rendin e ditës, por një gjë e tillë nuk u pranua nga pjesa tjetër e këshilltarëve. Pozita kundërshtoi duke thënë se nuk është kompetencë e Këshillit Bashkiak një vendim i tillë, por i takon ALUIZN-it. Kryebashkiaku Luka ka pohuar, se kërkesat e banorëve do të shqyrtohen specifikisht për secilin ndërtim. Megjithatë ai i ka kërkuar opozitës, që të mos luajë rolin e të përvuajturit, por të mësojë se cilat janë kompetencat e Këshillit Bashkiak. Këshilltarët e PS-së pas kësaj ndërhyrjeje, sërish kanë kërkuar që të hidhet në votim kërkesa e tyre për mosprishjen e banesave deri në legalizimin total të tyre. Por kur e panë se ky propozim u kundërshtua nga këshilltarët e tjerë, si i pabazuar në ligj, ata në shenjë proteste u larguan nga salla, duke bojkotuar vazhdimin e mbledhjes me pikat e tjera të rendit të ditës.