Vrau gruan dhe vajzën: E bëra për vetëmbrojtje

SHKODËR/ Prokuroria zbulon skenën e vrasjes. Viktimat janë përleshur dhe kanë tentuar të largohen
SHKODËR - Nuk është shfaqur i penduar, ndërsa ka deklaruar se e ka vrarë bashkëshorten e tij për vetëmbrojtje, sepse, sipas tij, ajo do ta vriste. Pjetër Pjolli ka deklaruar para trupit gjykues në seancën për vlerësim të masës së arrestit dhe caktim të masës së sigurisë se vajzën e ka vrarë gabimisht, ndërsa gruaja do ta vriste.
Por deklarimi i tij është hedhur poshtë me prova nga prokuroria pasi nga ekspertiza e vendit të ngjarjes ka rezultuar se Kristina Pjolli, 18 vjeçe, është vrarë me mjete të forta, pasi ka plagë vdekjeprurëse në kokë, ndërsa nëna e saj, Nine Pjolli, përveç tre plagëve me armë zjarri, ka pasur dhe plagë të tjera të shkaktuara me mjete të forta.
Dëshmitari i vetëm i ngjarjes dhe njëkohësisht autori i saj, Pjetër Pjolli, ka rrëfyer se është i papunë pasi punon vetëm kur gjen, se nuk është nga zona e Dajçit por nuk ka pasur problem askush prej tij.
"Me gruan, - ka rrëfyer ai, - kam pasur konflikte pasi jemi të varfër dhe ajo më fajësonte mua për këtë. Madje më thoshte që të largohesha se shtëpia ishte e saj, pasi unë jam nga Dukagjini dhe se nuk do të jetonte më me mua. Kisha dy muaj që nuk flisja me gruan dhe komunikonim përmes vajzës.
Të shtunën në mëngjes u ngrita dhe isha jashtë në oborr duke mbushë ujë dhe gruaja më gjuajti me një reflektor. Hyra brenda dhe pashë se nën jastëk kishte një pistoletë të cilën e kishte blerë në Shkodër një javë më parë kur ishte atje bashkë me vajzën. Ik nga shtëpia ime se do të të vras, më tha ajo dhe unë për t'u mbrojtur mora pistoletën dhe e qëllova.
Sa të më vriste ajo, më mirë e vrisja unë atë. Ndërsa për vajzën nuk mbaj mend dhe nuk kam dashur ta vras. Ajo është vrarë gabimisht, ka qenë në shtrat. Ishte rreziku im me pasë një grua të tillë dhe më ndodhi kjo që ndodhi. Jemi të varfër. Komuna më ka hequr ndihmën ekonomike dhe për këtë kam kërkuar ndihmë.
Madje i kam dërguar mesazh dhe kryeministrit në numrin që ka të publikuar ku i kam kërkuar ndihmë për të zgjidhur hallet e mia. Menjëherë pasi kam qëlluar, kam marrë në telefon baxhanakun, dy djemtë e mi në Itali dhe policinë që i kam treguar se çfarë kam bërë".
Sipas prokurores Arjola Ymeri, ajo që ka deklaruar Pjetër Pjolli nuk është e vërtetë pasi nga provat e vendit të ngjarjes ka rezultuar se ai nuk është goditur me asgjë, madje nuk ka asnjë gërvishtje.
Të dyja viktimat, Nine e Kristina Pjolli, kanë plagë të shkaktuara me mjete të forta, ndërsa Nine Pjolli ka dhe tre plumba pistolete, një në ballë e dy pas koke. Ndërsa Kristina Pjolli ka gjetur vdekjen nga goditjet me mjete të forta në kokë. Në muret e banesës ka shenja gjaku që vërtetojnë se autori është përleshur me viktimat që kanë tentuar të largohen.
Sipas prokurores, autori i ngjarjes, pasi i ka vrarë, nuk i ka lëvizur kufomat, ka telefonuar dhe është shfaqur i qetë edhe në momentin kur është ndaluar nga policia edhe më pas, duke mos pasur asnjë shenjë depresive apo pendimi edhe pse ka vrarë familjarët e tij.
Avokatja mbrojtëse e caktuar nga gjykata ka deklaruar se ia lë trupit gjykues marrjen e vendimit. Kryesuesja e seancës, gjyqtarja Marina Rraboshta, ka vendosur vlerësim të ligjshëm të arrestit të bërë nga policia dhe ka caktuar si masë sigurie "arrest në burg". Kjo nisur dhe nga shkalla e lartë e rrezikshmërisë që paraqet 48-vjeçari. Në seancën gjyqësore nuk ka qenë asnjë prej të afërmve të Pjollit dhe as persona të tjerë.