E Diel, 1 Nëntor 2026

Aty ku diktatura nuk censuronte..

Mbi regjistrin e vjetër të një kishe kanë mbetur ende gjurmët e një qiriu që mund të jetë fikur një mbrëmje të vonë. Mes rreshtash mund të lexosh ato çfarë prifti i shënonte me kujdes se sa fëmijë kanë lindur në një fshat, sa martesa janë lidhur, emrat e fëmijëve apo arsyet e vdekjeve...

Në një regjistër tjetër të një Kadiu lexon se ai ka shënuar diku se "sot ka rënë borë e kuqe"...

Janë një mori dokumentesh që shfaqin para nesh një vizion tjetër të historisë që jemi mësuar të lexojmë para viteve ‘90-të për të kaluarën tonë. Shohim personazhe që nuk e dinim se kanë qenë aty në momentet më të rëndësishme të historisë sonë, duke kontribuar dhe me jetën e tyre për hir të dashurisë për atdheun. Për Nevila Nikën, gruan e parë në krye të arkivave shqiptare, është për t‘u vlerësuar, pavarësisht regjimit totalitar që jetuam për afro gjysmë shekulli, fakti se ky regjim nuk ka vënë dorë mbi dokumentet origjinale, duke i vlerësuar ato. Nëse në vitet ‘90-të shumëkush do të pyeste me të drejtë "Pse ka arkiv Shqipëria?, - kjo i dedikohet atyre njerëzve që ditën të vlerësonin rëndësinë e këtyre fakteve.

Falë tyre, ne sot mund të rivlerësojmë të shkuarën dhe t‘i japim meritën e duhur edhe atyre njerëzve që kanë mbetur ende në sirtarët e arkivave. Në një intervistë më poshtë, drejtoresha e Arkivave tregon mënyrën se si ka funksionuar Arkivi Qendror që nga krijimi i tij në vitin 1949, deri në vitet ‘90-të. Pse komunizmi nuk i manipuloi dokumentet origjinale të ngjarjeve të shënuara në historinë tonë dhe çfarë ruhet në ndërtesën me një arkitekturë të thjeshtë shumë pranë stacionit të trenit...

Ju jeni gruaja e parë në krye të këtij institucioni në historinë e tij. Çdo të thotë kjo për ju dhe a mund të na flisni pak për ndryshimet në këtë institucion, gjatë dy viteve të drejtimit tuaj?

Unë jam gruaja e parë në krye të arkivave shqiptare dhe arkivistja e parë në krye të arkivave shqiptare. Kjo për shkak se të gjithë paraardhësit e mi kanë ardhur nga institucione të tjera, duke e nisur karrierën fillimisht dikush si financier, diplomat, pedagog, gazetar, apo ushtarak, profesione nga më të ndryshmet, por që nuk kishin të bënin me arkivin. Ndërsa unë e kam nisur karrierën si arkiviste e thjeshtë pranë kësaj drejtorie dhe jam arkivistja e parë që arrij të bëhem edhe drejtoreshë e këtij institucioni. Arkivat shqiptare janë Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe është një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili si datë të krijimit ka vitin 1949, si Arkivi i Shtetit (njerëzit ende sot vijojnë ta quajnë të tillë). Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave është krijuar në vitin 1963 dhe nga ky vit ne vijojmë të jemi Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Para viteve ‘90-të kemi pasur nga mbrapa gjithmonë dhe fjalën "Arkivat e Shtetit". Sot, me ndryshimet e mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore, nënkuptohet se nuk mund të ketë më vetëm Arkiva të Shtetit, por dhe arkiva të tjera të enteve private, të personaliteteve të ndryshëm, apo të partive politike, organizatave dhe shoqatave. Ka një mori institucionesh që kanë arkivat e tyre dhe nuk varen më nga qeveria shqiptare. Gjithsesi ky është një institucion i cili ka një rrjet të tërë arkivash, që varen nga kjo drejtori, që janë 12 qarqet e Republikës që kanë arkiva shtetërore vendore, është Arkivi Qendror Shtetëror, i cili është këtu brenda ndërtesës sonë, kemi dhe tre arkiva të vegjël rajonalë, që kanë mbetur si të tillë, duke u përdorur si depo për dokumentet dhe natyrisht i shërbejnë dhe qyteteve ku ndodhen.

Për sa i përket pyetjes se çfarë kam bërë unë më shumë se dy vjet në krye të këtij institucioni, mund t‘ju them se si "vajzë shtëpie" kam pasur një kërkesë më të madhe ndaj vetes. Kanë qenë dy vite intensive të mbushura me përpjekje për të ndryshuar diçka, duke lënë mënjanë dhe atë punë që e kam bërë me aq pasion për 32 vjet në këtë institucion si arkiviste, apo historiane. Nuk dua të flas unë për punën time, të tregoj se çfarë kam arritur, por nëse u referohem asaj çfarë më kanë thënë shpesh të tjerët, kam bërë shumë, edhe pse unë jam një natyrë që nuk kënaqem duke kërkuar vazhdimisht. Puna ime në krye të arkivave ka nisur me disa çështje administrative për të disiplinuar punën me administratën dhe fill pas kësaj jam marrë me atë që quhet punë e mirëfilltë arkivore. Nuk kam lënë pas dore as krijimin e kushteve për të gjithë ata që punojnë në arkiva....

Kam kërkuar të ketë kushte më të mira për mbajtjen e dokumenteve, të gjitha këto janë bërë me shpenzimet e shtetit. Kemi pasur një vëmendje të cilën do të dëshironim të ishte më e madhe, por nuk mund të themi se jemi të pakënaqur.

Ju thatë që arkivi ka filluar të funksionojë nga viti 1949. Si ka funksionuar dokumentimi i materialeve deri në vitet ‘90-të?

Institucioni i Arkivit të Shtetit, fillimisht nga viti 1947, qe brenda Institutit të Shkencave deri në vitin 1949. Pavarësisht nga sistemi që ekzistonte në vend, personat që drejtonin arkivin, u morën me inventarizimin dhe sigurisht me grumbullimin, por nuk mund të pretendonin ndonjë grumbullim të madh materialesh, pasi nuk kishin as vend.

Në vitin 1949, kur krijohet Arkivi i Shtetit si institucion i veçantë në varësi të Këshillit të Ministrave, atëherë fillon më masive dhe grumbullimi. Në nëntor të vitit 1944, Shtabi i Ushtrisë Nacionalçlirimtare lëshon një urdhëresë për grumbullimin me detyrim të të gjithë informacionit të armikut.

Vënia e përkufizimit "dokumentacion i armikut" të lë të kuptosh se ka qenë më shumë një kërkesë për të marrë dokumentet e armikut në mënyrë që ta "luftonin" më pas atë. Duke e njohur mirë një fenomen, ke më shumë mundësi për t‘iu kundërvënë. Por si do që të ketë qenë, qe një urdhëresë me shumë vend, pasi dha mundësinë që komandot e ushtrisë partizane t‘i grumbullonin këto dokumente që të mos t‘i linin të keqpërdoreshin.

Megjithatë, humbje ka pasur, pasi në çdo luftë, në çdo ndryshim sistemesh, ai që e pëson i pari është gjithnjë dokumenti.

Mund të ketë shumë motive për humbjen që nga ato politike, ekonomike, personale deri nga më të ndryshmet, si pasojë e një tërmeti, e një fatkeqësie apo rënie zjarri, uji, etj.

Nga viti 1949 deri më 1951, Arkivi i Shtetit vazhdonte të ishte një institucion që vetëgrumbullonte, arkivonte, inventarizonte, identifikonte ku kishte dokumente me vlerë. Në vitin 1951, ky institucion futet brenda strukturës së Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe vazhdon të jetë brenda saj deri në vitin 1963. Në këtë vit del si institucion më vete.

Dhe në të gjithë këtë hark kohor që unë po e përmend shkurtimisht, ata që drejtuan dhe punuan në këtë institucion janë udhëhequr nga një ndërgjegje atdhetare, tepër qytetare për t‘u admiruar. Kjo, pasi kanë qenë në gjendje të grumbullojnë apo identifikojnë në këtë institucion gjëra me vlerë, të cilat vinin ndoshta dhe nga burime jonormale. Cilat janë burimet jonormale?

P.sh., në momentin kur një personalitet, siç është Mit‘hat Frashëri, është larguar nga Shqipëria për motive politike, la këtu arkivin dhe bibliotekën e tij. Që të dyja këto u trajtuan më së miri, pavarësisht se figura e tij si person u denigrua nga sistemi, u thanë kundër tij njëmijë të zeza, ndërsa fondi i tij arkivor erdhi këtu në arkivin tonë, ndërsa fondi bibliotekar i kaloi Bibliotekës Kombëtare.

Kjo do të thotë se kishte njerëz që pavarësisht kohës i vlerësonin këto gjëra dhe ne duhet t‘u jemi mirënjohës. Përmenda Mit‘hat Frashërin, por mund t‘ju përmend dhe ndonjë emër tjetër që është dënuar me burgim, apo mund të jetë pushkatuar, internuar, që mund t‘i jetë konfiskuar çdo gjë, ndërsa dokumentet silleshin këtu në arkiv. Kemi rastin e Musine Kokalarit, e cila u arrestua, u burgos, shkoi në internim ku dhe vdiq dhe letrat e saj u ruajtën me fanatizëm këtu. Apo priftërinjtë e arrestuar në 1967-ën, gjithçka që u mor nga dhomat ku ata jetonin, ne i kemi ruajtur këtu. Arkivi ka qenë një lloj "oazi", ku nëse jashtë flitej keq, këtu brenda ne i kishim të gjitha gjërat, por natyrisht ne na ka shpëtuar fakti se njerëzit, duke pasur një autocensurë, bënin autocensurën vetë, frekuentonin më pak arkivin.

Unë u jam mirënjohëse brezave të arkivistëve që nuk jetojnë më, të cilët mes vështirësive të kohës, i kanë dhënë shërbim të jashtëzakonshëm popullit me punën që kanë bërë. Mua më kujtohet që në fillim të viteve ‘90-të, më pyesnin shpesh të huajt: pse ka arkiv Shqipëria? Kjo pasi të gjithëve u ishte krijuar përshtypja se regjimi komunist kishte shkatërruar çdo gjë.

Duke pasur parasysh mënyrën sesi funksiononte komunizmi, pse u ruajtën sipas jush këto dokumente, kur njerëzit që i posedonin ato përfunduan burgjeve?

Mund t‘i ruante dhe për motivin e madhështisë së vetë, për t‘i thurur lavde regjimit. Ka arsye nga më të ndryshmet, por ne duhet të jemi të kënaqur pa u munduar të gjejmë arsyen. Këto dokumente të ruajtura janë një vlerë që do t‘u shërbejë brezave të tërë në të gjitha kohërat, pavarësisht mënyrës sesi mund të interpretohen. Kjo pasi një fjali mund të interpretohet në shumë forma e jo më një dokument. Historia është vërtet një art i bukur. Në ato vite, njerëzit që ishin më të informuar në Shqipëri, ishin arkivistët, pasi kishin mundësi të shikonin atë që askush nuk e shihte, por ishin njëkohësisht dhe njerëzit më të stresuar, pasi u duhej ta mbanin gojën e mbyllur më shumë se të tjerët.

A janë manipuluar materialet arkivore që depozitoheshin gjatë kohës së regjimit komunist?

Materialet arkivore nuk janë manipuluar, pasi është dashur gjithmonë për regjimin të kenë përpara në tavolinat e tyre dokumentin origjinal. Kjo, sepse manipulimi ishte gjithnjë në evoluim. Sot hiqej një emër, nesër hiqej një tjetër. Por këto manovrime mund t‘i bëjë në një formë tjetër, pa prekur origjinalin, ndryshe nuk mund ta bëjë dot.

Kemi rastin e fotografive, ku janë hequr fytyra e janë vendosur fytyra të tjera, po ashtu dhe dokumentet. Në dokumente nuk është vënë dorë, flas për ata historikë që ne disponojmë në arkiv. Nuk jam duke folur për dokumente të Hipotekës, Kadastrës apo Gjendjes Civile, ato nuk kanë të bëjnë me arkivat historikë, pasi janë dokumente në veprim.

Dokumenti i vjetër origjinal gjithnjë është ruajtur, ndërsa ai që është bërë publik gjatë kohës së komunizmit ka qenë i manipuluar. Ndërsa origjinali dhe fotografia ruhej si i tillë, pasi u duhej për rastet që do të vinin më pas, sepse asnjëherë nuk ishin të sigurtë. Mund t‘ju kujtojë këtu një barsoletë që qarkullonte nga fundi i viteve ‘80-të. U pyet dikush se "kush e bëri Luftën Nacionalçlirimtare? E bënë armiqtë, ishte përgjigjja, pasi shumica e atyre që luftuan, u shpallën si armiq gjatë sistemit totalitar.

Me këto dy fjali mund të kuptohet dëshira për t‘i ruajtur origjinalet, për të mos i prekur, për t‘i mbajtur mirë, por njëkohësisht ai që do të merrej me interpretimin e tyre i përmbahej udhëzimeve të kohës.

Çfarë depozitohej në atë periudhë nga familja Hoxha? A ka pasur ndonjë kujdes për këto materiale?

Familja Hoxha nuk ka sjellë materiale në Arkivin Qendror, pasi kishin Arkivin e Partisë. Arkivi i Partisë ishte një model në miniaturë i arkivit tonë, i historikut tonë. Natyrisht me dorëzimin në Arkivin Qendror kanë ardhur dhe dokumentet e fondit të personaliteteve që ata i kanë ruajtur. Unë si arkiviste e vjetër gjykoj se ato janë fonde paksa të sajuara, pasi ata kanë pasur funksione partiake ose shtetërore dhe në arkivistikë, fondi i një personaliteti quhet i tillë kur ka diçka jashtë veprimtarisë tënde, jo të jetë shumica veprimtaria partiake, e cila është zyrtare dhe në fund të fundit është një punë e ushtruar. Kur dihet që edhe fjalimet nuk i bënin vetë, dhe nuk ka ndonjë krijimtari që të jetë e tyre.

Nga periudhat historike që ruhen në arkivë dhe materialet që ke kaluar në duar, kë do të veçonit?

Dokumenti i parë që ne ruajmë është Kodiku i shekullit të 6, deri në ditët tona. Ky hark kohor na rendit ndër arkivat më të vjetër të botës dhe për këtë kemi arsye për t‘u mburrur. Megjithatë kemi dhe një zbrazëtirë, duke filluar nga shek i 6 deri në shek e 16 kemi pak dokumente. Kemi diçka në shek e 15, ato të fermanëve të Mirahollit, por nuk kemi dokumentacion të principatave shqiptare, etj. Megjithatë këto materiale mund t‘i gjesh në arkiva të botës, kështu që një kopje e tyre nuk është problem.

Me pushtimin otoman, një pjesë e madhe e arkivave u asgjësuan apo mund të jenë dërguar në Stamboll, ose janë marrë nga familjet që u larguan nga Shqipëria. Nga shekulli i 16 fillojmë të kemi dokumentacione, ndërsa shekulli i 18 e më pas është diçka më i plotë. Mund të mburremi që kemi tre shekuj të mirë, të cilët kanë edhe ato hapësirat e tyre, megjithëse nuk gjejmë dokumentacion të plotë materiali, është i mjaftueshëm për të bërë diçka.

Unë kam pasur fatin që të punoj në të gjitha periudhat historike, duke punuar në sektorë të ndryshëm, kam pasur rastin t‘i shoh këto dokumente. Çdo dokument ka të veçantën e vetë. Më pak interesante për mua mund të jetë periudha e pas luftës, duke qenë se është një periudhë të cilën e kam jetuar, dhe nuk të krijon ndonjë ndjesi të veçantë për ta hulumtuar. Ajo që të tërheq gjithmonë është ajo që nuk e ke jetuar. Kështu që shek i 18 dhe 19 janë të veçantë, pasi edhe në tekstet shkollore kalohen përciptas. Gjen në to gjëra që as të kanë shkuar në mëndje se mund t‘i gjesh. Ndjen një ndjesi të veçantë kur prek dokumentet apo krijimtarinë origjinale të shkrimtarëve tanë të mëdhenj. Kur merr në dorë "Milosaon" e Jeronim de Radës në origjinal e prek, dhe nëse do mbyllje sytë, do të mendoje se është Jeronimi ai që e ka prekur dhe je dhe ti. Një letër e Dora D‘Istrias ta jep sërish këtë ndjesi.

Çfarë shkruan Dora në ato letra?

Dora D‘Istria i shkruan letra Jeronim de Radës për problemet e gjuhës shqipe, apo çështje të tjera kombëtare, apo thjesht duke e pyetur "si je me shëndet".

Ndjen diçka të veçantë kur prek "Lahutën e Malcisë" të Gjergj Fishtës. Mua më ka rënë rasti ra rendis, t‘i rregulloj fletët. Është diçka e papërsëritshme, pasi librin mund ta lexosh kudo, por dokumenti ka një tjetër ndjesi.

Apo kur hap regjistrin e një kishe dhe shikon pikat e qiriut që kanë pikuar atje dhe lexon mes rreshtave të regjistrit se sa fëmijë kanë lindur, sa martesa janë lidhur, nga janë këta banorë, si ia kanë vënë emrin fëmijëve, ose arsyet e vdekjeve. Dikush është ekzekutuar nga pashai, i është prerë koka për një motiv politik, dikush mund të ketë bërë një krim, një tjetër se ka rënë nga kali, apo është mbytur në lumë.

Apo kur hap një regjistër të Kadiut, i cili shënon se "sot ka rënë borë e kuqe", ose "erdhi një mori me miza, doli lumi, ra tërmet, çfarë dëmesh ndodhën...", gjëra vërtet të veçanta.

Janë të jashtëzakonshme letërkëmbimet e personaliteteve në momentet e kryengritjeve të mëdha, shpalljes së pavarësisë dhe nga pavarësia te Kongresi i Lushnjës. Janë vite të papërsëritshme të një trazimi politik dhe të një ngritjeje akoma më lart të nivelit të ndërgjegjes kombëtare. Janë njerëz të shkolluar, njerëz që kanë mundur të çajnë dhe të kenë një lloj statusi në vende të tjera dhe një ditë të bukur i lënë të gjitha dhe kthehen në Shqipëri. Sot është diçka që të bën të mendosh se përse e bënë këtë. Dhe kini parasysh faktin se vinin në Shqipëri, por nuk e dinin se çfarë i priste, përveç faktit që dinin se po vinin në atdheun e tyre. Vetëm atdheu i shtynte ata të ktheheshin, në një vend ku nuk do të merrnin më rroga, ku duhet të shpenzonin nga xhepi i tyre.

Janë vite të jashtëzakonshme për t‘u studiuar, qoftë në formimin tonë si popull. Iknin, dhe një ditë të bukur kujtoheshin se e kemi lënë vendin dhe kthehen me dëshirën më të madhe. Mund të kenë pësuar dhe zhgënjime në ardhjen e tyre, megjithatë më nuk u rikthyen atje nga kishin ardhur.

Cilin do të veçonit nga këto letërkëmbime?

Letërkëmbimet janë shumë. Unë kam lexuar letërkëmbimet midis Sotir Kolesë dhe Mihal Turtulit, apo letërkëmbimet e Gaqo Adhamidhit të famshmit "Doktor Adhamudhi". Ai ka qenë një burrë i nderuar, pavarësisht komedisë së Çajupit. Janë letërkëmbimet mes Faik Konicës dhe Kadri Prishtinës, ose të quajturit Hoxha Kadri Prishtina. Do të veçoja letrat e Ismail Qemalit, Sevasti dhe Parashqevi Qirjazit, Kristo Dakos, Fan Nolit, Mehmet Konicës, Dhimitër Beratit, At Gjergj Fishtës, At Pal Dodës, Luigj Bumçit, janë një sërë personalitetesh që përdornin letërkëmbimet. Është një plejadë e tërë njerëzish. Janë Toptanasit, familja Zavalani, që kanë dhënë kontribute për vendin dhe meritojnë që këto kontribute tashmë të njihen.

Çfarë i shqetësonte motrat Qirjazi?

Motrat Qirjazi janë personalitete në kulturën tonë. Parashqevija ka qenë e pamartuar, ndërsa Sevastia është martuar me një tjetër atdhetar të madh, Kristo Dakon. Ato lanë Amerikën dhe erdhën në Shqipëri, ku ngritën shkollën e parë për vajza, ku nxorën brezin e parë të arsimtareve femra në vend. Kontributi i tyre në arsimin shqiptar është i pakrahasueshëm. Instituti "Qirjazi" ka qenë një shkollë që ka nxjerrë kuadro të kulturuara. Motrat Qirjazi ishin gra me shumë kulturë. Parashqevija dinte 9 gjuhë të huaja dhe është e vetmja femër delegate në Konferencën e Paqes në Paris.

Por fati i tyre qe tragjik, pasi ato u keqtrajtuan edhe në kohën e pushtimit nazifashist, edhe më vonë. Gjermanët i çuan në kampe përqendrimi, kur u kthyen nga kampi iu morën gjithçka që kishin dhe nuk e morën atë vlerësim që meritonin si të parat gra që bënë diçka për vendin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›