E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajza që i mori mendtë guvernatorit

Kristen, vajza e përshkruar në dokumentet gjyqësore si prostituta që u takua me ish-guvernatorin e Nju Jorkut natën e 13 shkurtit, i ka kaluar këto ditë e mbyllur në apartamentin luksoz në një prej zonave më të pasura të Manhatanit. Të martën iu desh të shfaqej për disa çaste përpara gjykatësve, ku përfaqësohej nga një avokat. Pritet të jetë dëshmitare në çështjen kundër katër njerëzve të akuzuar për përfitime të jashtëligjshme falë rrjetit të prostitucionit, të njohur si "Emperor‘s Club V.I.P.".

Në disa intervista të dhëna për mediat, ka treguar se gjatë gjithë këtyre ditëve ka fjetur shumë pak, për shkak të stresit që i ka shkaktuar ngjarja. "Thjesht nuk dua që njerëzit të më shohin si përbindësh", tha në një intervistë telefonike.

E pagëzuar pas lindjes me emrin Ashli Jumans, por e njohur si Ashli Aleksandra Dupré, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve me qetësi dhe pa treguar ndonjë tronditje të madhe. Sqaroi se "po kaloj një çast shumë të vështirë. Çështja është e ndërlikuar".

Ajo vetë nuk gjendet nën akuzë. Avokati i caktuar për ta mbrojtur, Don D.Bukvald, i tha të hënën një prej gjyqtarëve se klientes së tij i qe kërkuar të dëshmonte për llogari të një hetimi të ngritur nga një juri e madhe.

Një burim që e njeh së afërmi çështjen gjyqësore të "Emperor‘s Club V.I.P." konfirmoi se vajza në fjalë identifikohet në dosjet hetimore si Kristen. Avokati Don D.Bukvald konfirmoi detaje të shumta të jetës dhe aktivitetit të vajzës, por nuk pranoi të bënte publike përmbajtjen e dosjes.

Vetë Dupré tha përmes telefonit për llogari të "New York Times" se shqetësohej për qiranë e apartamentit që nga çasti kur burri me të cilin jetonte "ka ikur", pasi ajo kishte zbuluar se qe baba i dy fëmijëve. Shtoi se po mendonte të niste punë në restorantin e një miku, ose me mbarimin e qirasë të kthehej në shtëpinë e prindërve në Nju Xhersi, "për t‘u qetësuar".

Nuk tregoi kur kishte nisur të punonte për "Emperor‘s Club V.I.P.", apo sa prej punëve të saj organizoheshin në sajë të rrjetit. E pyetur kur e kishte njohur dhe sa herë e kishte takuar guvernatorin Spitzer, nuk pranoi të bënte komente.

Që të mërkurën në mëngjes, faqja e "MySpace" e Dypresë tregonte gjithë odisenë e saj, që kishte nisur në Nju Xhersi për t‘u zhvendosur më pas në Karolinën e Veriut, në Majemi, Virxhinia, në Teksas e që përfundonte në Nju Jork. Të dhënat publike tregojnë se jetonte në Nju Jork në vitin 2001 dhe në Karolinën e Veriut në vitin 2003. Zotëron një kompani të krijuar në vitin 2005 të quajtur "Pasche New York", e cila, sipas avokatit të saj, operonte në biznesin e zbavitjes me qëllim shtyrjen përpara të karrierës së saj muzikore.

Dashuria e parë e vajzës duket se është muzika dhe në faqen e saj në internet vajza përmend Petsi Klain, Frenk Sinatrën, Kristina Aguilerën dhe Lorin Hill, mes një liste artistësh nga të cilët ka gjetur frymëzim. Gjatë intervistës tregoi se kishte ndjekur "Rollin Stons"-at gjatë koncertit të fundit që kishin dhënë në Amerikë. "Ishin të mrekullueshëm", shtoi.

Në faqen e internetit vazhdohet më tej: "E gjitha, unë jam veç muzika ime dhe muzika ime tregon gjithçka jam. Buron nga ato ngjarje që më kanë ndodhur në jetë, nga çfarë kam parë dhe nga si ndihem".

Sipas faqes së internetit, është larguar nga një "familje e këputur" në moshën 17-vjeçare, se kishte rënë në kurthin e drogës dhe se kishte mbetur "pa punë e pa shtëpi".

"Mësova si ndihesh ku ke gjithçka dhe e humbet brenda një çasti", shkruan. "Mësova ç‘do të thotë të zgjohesh në mëngjes e të zbulosh se njerëzit që i do, të janë larguar". "Por ia dola, vazhdon. Jam ende këtu dhe e dua me gjithë shpirt njeriun që jam. Po të mos kisha njohur ditët e vështira, nuk do dija të vlerësoja sa duhet të bukurat. Mund të tingëllojë vërtet si klishe, por unë e di që është e vërtetë".

Mamaja e vajzës, 46-vjeçarja Karolin Kapalbo, thotë se e bija u largua drejt Karolinës së Veriut me të mbaruar vitin e dytë të shkollës së mesme. "Ishte një adoleshente tipike, me rebelime të njëpasnjëshme, por tani jemi shumë të afërta me njëra-tjetrën", tha gjatë një interviste telefonike të mërkurën.

Në vitin 2006, Ashli e ndërroi emrin nga Ashli R.Jumans, në Ashlo Rae Maika DiPietro, duke marrë emrin e njerkut dhe duke e konsideruar si "i vetmi baba që njoh". Por gjatë intervistës e prezantoi veten si Ashli Aleksandra Dupré.

Në faqen e saj në internet gjendet "Ajo çfarë duam", të cilën vajza e quan këngën e fundit. Bëhet fjalë për një këngë ku përzihen ritmet e hip-hopit e ato të bluzit, një varg i së cilës thotë "...merresh dot me mua, djalë"? "Unë e di çfarë dëshiron, ti ke çfarë dëshiroj unë", këndon kori. "E di për çfarë ke nevojë. Merresh dot me mua"?

Në biografinë që ka shkruar ajo vetë në sitin e internetit mësohet se ka nisur të këndojë si profesioniste pasi një muzikant me të cilin jetonte e dëgjoi të këndonte në dush këngën "Respekt" të Areta Frenklin. Ajo vazhdon të tregojë se regjistroi disa pjesë muzikore dhe zhvilloi disa ture bashkë me grupin e tij, për t‘u zhvendosur në Manhatan në vitin 2004, ku "dy vitet e para i kalova duke u përpjekur të njihja botën muzikore, rrjetin e klubeve, si dhe krijova kontaktet e duhura". "Tani gjithçka fillon dhe mbaron me muzikën, e rëndësishme është veç gjetja e mënyrës për të shprehur veten".

Në dokumentet gjyqësore, vajza e "Emperor‘s Club", me emrin Kristen, përshkruhet si një "vogëlushe shtatvogël amerikane dhe shumë e bukur". Mendohet se paguhej njëmijë dollarë në orë, gjë që e vendoste në mesin e listës së çmimeve, ku për më të mirat paguhej deri 4 mijë e 3 qind dollarë në orë.

E ëma tha se kishte mbetur shumë e tronditur kur e bija i kish telefonuar përpara pak ditësh për t‘i treguar se punonte si vajzë shoqërimi dhe se gjendej në telashe me ligjin. Tha se mendonte që e bija nuk e dinte për kë bëhej fjalë kur kishte kontaktuar për herë të parë me ish-guvernatorin e Nju Jorkut.

"Është vajzë shumë e zgjuar dhe di të sillet me një njeri si guvernatori", shtoi e ëma. "Por duhet të pranoj që është 22-vjeçare, jo 32 vjeçe e as 42 vjeçe, dhe duket që është përshirë në diçka shumë më të madhe se ajo vetë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›