E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama, Klinton, MekKejn. Kush do të ishte më i mirë për Evropën?

Kush do të jetë Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Obama apo MekKejn? Apo ndoshta edhe Klinton? Çfarë do të presë ai, apo ajo, nga marrëdhënia me aleatët? Ndërsa Amerika merret me votën, Evropa bën llogaritë se kush prej tre kandidatëve do të ishte më i miri, i parë sigurisht nga këndvështrimi i saj

Me fitoret e fundit në Ohajo dhe Teksas, Klinton i risolli sërish garës elektorale tensionin dhe ankthin që ia kishin zbehur sukseset e njëpasnjëshme të kundërshtarit të saj po demokrat, Barak Obama. Duket se strategjia "fol fol se diçka do të mbetet" funksionoi për Hilarin, e cila të paktën javët e fundit është munduar me çdo mënyrë që të vërë në dritë të keqe kundërshtarin e saj, kryesisht ta sulmojë në atë që quhet pika më e dobët e djaloshit Obama: përvoja. Nga ana e tij, Obama për herë të parë që nga fillimi i garimit u ndje i goditur e madje edhe disi i lodhur, si një supermen që vjen sërish në tokë. Goditja vdekjeprurëse që kishte parashikuar për Hilarinë, dështoi. Gara vazhdon, edhe pse i favorizuari është gjithmonë Obama, të paktën matematikisht. Sipas llogarive të fundit të CCN, Obama ndodhet në krye me 1321 delegatë, ndërkohë që Klinton ka 1186. Ka fituar 12 nga 15 shtetet e fundit, por nga ana tjetër ka humbur diçka nga ritmi i tij i pandalshëm i deritanishëm dhe era e ndryshimeve nuk po i fryn më pas shpine për ta shtyrë drejt fitores së sigurt. Edhe shtypi ka ndryshuar pozicion. Deri para pak kohe më parë e cilësonte djaloshin si yllin e shndritshëm të politikës, ndërkohë që tani merret dhe zmadhon çdo incident të tij, qoftë ky edhe fare i vogël. E ndërsa Hilari nisi të mbledhë forcat dhe të shtojë shpresat, nuk humbi kohë që të dalë me propozimin e një kandidimi të përbashkët Klinton/Obama, me atë si kandidate për postin presidencial dhe Obamën në pozicionin e zëvendësit. Sigurisht që Klinton e di mirë që ky është një propozim që nuk mund të gëlltitet kollaj nga Obama. Nëse ai nuk do të humbasë në votën e 22 prillit të ardhshëm në zgjedhjet e Pensilvanisë, që përkthehet në 188 delegatë, do të vazhdojë të mbetet në krye dhe Hilarisë do t‘i mbetet propozimi në duar.

MekKejn, kandidati të cilit i druhen demokratët

Edhe pse gjërat po shkojnë mirë për momentin për Klintonin, demokratët vazhdojnë të preferojnë në shumicë Obamën. Kjo dhe për një fakt të thjeshtë, pasi mendojnë se 46-vjeçari ka më shumë shanse për të mundur kandidatin republikan MekKejn, 71 vjeç, që është një brez më i vjetër se demokrati. E ndërsa beteja te demokratët vazhdon me ulje-ngritjet e saj, republikanët mund të qëndrojnë komodë e të vëzhgojnë ngeshëm luftën në kampin kundërshtar. Procesi i përzgjedhjes së kandidatit të tyre ka marrë fund me fitoren e senatorit nga Arizona, i cili për hir të së vërtetës nuk është kandidati që republikanët ëndërronin. Ai nuk është as fetar dhe as konservator në masën që shumë republikanë do të dëshironin dhe nuk reflekton pikëpamjet e shumicës së partisë së tij kur bëhet fjalë për çështje të tilla si aborti, nënshtetësia, apo punëtorët emigrantë. Megjithatë ata e votuan MekKejn me një farë entuziazmi, pasi ishte i vetmi që i bindi se me të në krye republikanët do të fitonin sërish presidencën edhe pas viteve shkatërrimtare të Bushit në Shtëpinë e Bardhë. Zgjedhja e një Presidenti amerikan ka shumë vite që nuk është më një çështje vetëm e brendshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Procesi ndiqet me vëmendje në të gjithë botën. Por si shihet secili kandidat nga jashtë Amerikës, dhe mbi të gjitha duke qenë se ne jemi në Evropë? Cili prej kandidatëve të mundshëm do të ishte më pozitiv për kontinentin tonë? Obama, Klinton, apo MekKejn kanë një gjë të përbashkët: janë ndërgjegjësuar dhe kanë artikuluar se mbajtja e një status kuo-je në Uashington nuk është një opsion. Ata e dinë se një nga sfidat e tyre më të mëdha do të jetë rikthimi i besimit te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, besim që ka rënë në një shkallë shumë të ulët në mbarë botën. Nga kjo optikë, secili prej tyre është i mirë për evropianët, të cilët kanë nisur të shohin përtej ditëve të fundit të Bushit në Shtëpinë e Bardhë. Ky i fundit, i cili i ka të gjitha shanset që të konsiderohet si Presidenti më i keq në të gjithë historinë e vendit, sipas disa historianëve dhe analistëve e çoi reputacionin e vendit në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave. Për botën, Amerika nuk është më vend që respekton dhe përçon demokraci, por një vend që ka shkelur rregullat ndërkombëtare (si lufta e njëanshme në Irak) etj. Sipas shifrave, më pak se 50% e popullsisë së Evropës Perëndimore ka një mendim pozitiv për Amerikën. Ky vlerësim negative nuk ka të bëjë aspak me justifikimin e përdorur shumë shpesh nga Bush, sipas të cilit evropianët kanë një frymë anti-amerikane. Këtë e mbështet edhe fakti që kur Bush erdhi në pushtet, në vitin 2001, 80% e evropianëve kishin një mendim pozitiv për SHBA-në. Secili prej tre kandidatëve presidencialë ka deklaruar për rritje të reputacionit të Amerikës në botë, por ata dallojnë nga njëri-tjetri në propozimet që kanë bërë për të vënë dëmin në vend. Në vështrim të parë dallimet duken të vogla, por më nga afër janë domethënëse. Obama, Klinton dhe MekKejn duan marrëdhënie më të ngushta me aleatët amerikanë dhe në vend të motos së mëparshme të ecjes së vetëm, ata preferojnë që Amerika të ecë së bashku me aleatët. Pikërisht këtu lind pyetja: Në çfarë marrëdhëniesh do të zhvillohet bashkëpunimi? Në lidhje me politikën e jashtme, Obama duket kandidati me eksperiencë më të pakët dhe kundërshtarët e tij të dy së bashku e kanë kritikuar se është "tepër i butë" në luftën kundër terrorizmit. Së fundmi, ai u dha tone më të forta fjalimeve të tij, duke thënë se përpjekjet në Afganistan do të vazhdonin për të kryer plotësisht misionin atje, porse vendet e tjera të NATO-s duhet të jepnin një kontribut më të madh. Por ndryshe nga MekKejn, që nënvizon gjithmonë opsionet ushtarake, kandidati i mundshëm demokrat planifikon që t‘i japë më shumë vëmendje rindërtimit të vendit. Për sa i përket kandidatit republikan, ndryshe nga Bush, ai është kundër përdorimit të metodave të rënda të torturës në marrjen në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm. Si ish-rob në Vietnam gjatë luftës, ai e di mirë se çfarë do të thotë të torturohesh, ndaj është shumë më i ndjeshëm në lidhje me përdorimin e metodave të egra. Por, pavarësisht, ideja e tij për botën nuk mund të shkëputet nga karriera ushtarake. Ai ngul këmbë për rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes kombëtare, sikur Amerika të mos ishte duke shpenzuar prej vitesh shuma marramendëse në këtë drejtim. MekKejn nuk e ka përjashtuar as sulmin ushtarak ndaj Iranit, edhe pse e ka theksuar gjithmonë se ky nuk do të ishte opsioni i tij i preferuar. Një tjetër qëndrim i MekKejn është ai ndaj Rusisë. Në qoftë se do të bëhej President, ai do të kërkonte që ky vend të përjashtohej nga G8 dhe ta shndërronte grupin prestigjioz në një klub vendesh që do të drejtojnë demokracinë dhe tregun botëror. Sipas tij, në këtë grup duhet të futen Brazili dhe India. MekKejn nuk ka mendime të mira edhe për Kinën. Zhvillimin e saj, sidomos në fushën ushtarake, ai e konsideron si një "akt provokativ" ndaj Uashingtonit. Sa për Klintonin, tendencat e saj janë më ndryshe. Ajo e di mirë që Amerikës i duhet si Moska, ashtu edhe Pekini, pavarësisht gjithë kritikave që meritojnë për shkelje e abuzim me të drejtat e njeriut. Propozimi i saj është një marrëdhënie pragmatiste dhe një vendimmarrje bazuar në fakte konkrete dhe jo në ideologji. Qëllimi i saj është arritja e marrëveshjeve të përbashkëta brenda kornizave të institucioneve. Edhe pse nuk e vendos opsionin ushtarak në tryezë, Klinton as nuk e mohon atë tërësisht, megjithatë është shumë më tepër pro bisedimeve e dialogut në rastin e Iranit. Obama shkon më përtej në rrugën e dialogut. Duke iu referuar një thënieje të famshme të ish-presidentit amerikan, Frenklin D. Ruzvelt ("E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë, është vetvetja"), ai është i gatshëm që të dialogojë personalisht me liderët e Teheranit, pa kushte paraprake. Nga ana e saj, Klinton një ide të tillë e ka konsideruar shumë naive. Në rast se ndaj Amerikës do të ndërmerrej një tjetër sulm masiv, të tre kandidatët, përfshi edhe Obamën, do të ishin për një kundërpërgjigje të egër ushtarake. Ajo çka bën edhe njëherë bashkë kandidatët është politika ambientaliste. Të tre ndajnë thuajse të njëjtat ide, sigurisht me disa nuanca të ndryshme në lidhje me ndryshimin e kursit të ndjekur deri më tani nga Bush, i cili ka qenë një kurs i shurdhër në lidhje me çështjet e ambientit. Të tre do ta bëjnë çështjen e klimës një prioritet kryesor. Lufta e tyre do të përqendrohet në krijimin e programeve që kursejnë energji dhe reduktojnë emetimin e gazeve të dëmshme. Për sa i përket ekonomisë, në këto momente të paqarta e të lëkundura demokratët nga ana e tyre po mundohen të krijojnë përshtypjen se ata do të përdorin masa proteksioniste për të hapur vendet e reja të punës, të humbura rishtas në Amerikë. Por ata e dinë fare mirë se në këtë terren të vështirë ekonomik dhe në këto momente e vetmja gjë që mund të bëjnë është krijimi i iluzioneve te sindikatat dhe vetë punëtorët.

Përpjekja e MekKejn për t‘u distancuar nga Bush

Përveç çështjes ekonomike, e cila ndodhet e zhytur në paqartësi, një tjetër shumë e rëndësishme dhe vendimtare për kandidatët është edhe lufta në Irak. Në këtë pikë, qëndrimet e kandidatëve ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri. Ata që planifikojnë të votojnë për demokratët mbështesin një largim të paracaktuar dhe të ngadalshëm të trupave nga Iraku. Klinton dhe Obama janë në një mendje kur thonë se "fitorja" nuk është kënga që trupat amerikane do të këndojnë në fund të aventurës në Irak. Ata që planifikojnë të votojnë për republikanët, do të mbështesin deklaratën e MekKejn, që prezenca amerikane në Irak mund të zgjasë edhe 100 vjet të tjera. Republikani i konsideron rivalët e tij demokratë si disfatistë dhe është i bindur që në fund do të ketë fitore. Ai këmbëngul që amerikanët do të fitojnë në Irak. Sipas tij, pasojat e një humbjeje do të ishin katastrofike dhe të përmasave të jashtëzakonshme historike. Nga ana tjetër, MekKejn ka tentuar gjatë gjithë kohës që ta distancojë veten nga Bush, duke e ndarë fushatën e Irakut në dy faza. Sipas tij, gabimi i parë i Bushit ishte numri i vogël i trupave që vendosi në Irak në vitet që pasuan luftën. Së dyti, MekKejn ka qenë gjithmonë pro largimit të Sekretarit të Mbrojtjes, Ramsfilld. Në fund të fundit, MekKejn është për vazhdimësi të trupave amerikane në Irak dhe për një shtim të konsiderueshëm të numrit të tyre aty. Për demokratët, situata është ndryshe. Sipas tyre, edhe pse disa pjesë të vendit janë në paqe, situata në tërësi është dramatike dhe aspak për t‘u gëzuar. Për sa i takon strategjisë së MekKejn në lidhje me vazhdimësinë e luftës, të pakta janë gjasat që ajo të bëjë për vete votuesit. Sot, vetëm 39% e amerikanëve besojnë se strategjia amerikane në Irak po funksionon dhe se deri tani ajo ka qenë e suksesshme. 60% e amerikanëve mendojnë se lufta ishte një dështim dhe një gabim dhe më shumë se gjysma e popullsisë është për një tërheqje të menjëhershme të ushtarëve amerikanë nga Iraku. Në këtë pikë, Obama ka një avantazh ndaj Klintonit. Ndërsa ajo ka votuar pro rezolutës së luftës në Senat, në tetorin e 2002, Obama ka qenë kundërshtar i saj që në ditët e para, duke e konsideruar ndërhyrjen si shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›