Festival fëmijësh në Gjermani, Shqipëria në vendin IV
Kënga "Planeti ynë" e kompozitorit Alfred Kaçinari dhe e interpretuar nga këngëtarja 10-vjeçare durrsake Nensi Mehmetaj, prezantohet denjësisht në Festivalin XV të Këngës për Fëmijë "Fjolla e Artë". Mehmetaj, nxënëse e shkollës 9-vjeçare "Vinçens Prenushi", e ka renditur Shqipërinë në vendin e katërt të këtij aktiviteti prestigjioz për këngën e fëmijëve që u zhvillua në qytetin Rozhaje të Malit të Zi. Së bashku me të, Shqipërinë e ka përfaqësuar edhe një vajzë tjetër nga Durrësi, Rudina Beqiraj. Mehmetaj ka lënë pas konkurrentët nga Franca, Greqia, Hungaria, Maqedonia dhe Kroacia. Në këtë edicion të radhës të Festivalit Evropian, vendin e parë e ka fituar kënga e përfaqësuesit të Gjermanisë, Dennis Chmelesnky, e ndjekur nga këngëtarja nga Podgorica, Jovana Jokiq, dhe këngëtarja serbe, Sonja Shkoriqi. Pas tyre, vendi i katërt i ka takuar vajzës shqiptare, e cila është duartrokitur gjatë nga publiku që ndoqi festivalin. Në festival morën pjesë 17 këngëtarë nga 12 vende të Evropës.