E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadare në qytetin e romantikëve

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka vizituar dje qytetin e Shkodrës, ku ka zhvilluar një takim me gazetarë e njerëz të njohur në fushën e artit. Kadare e ka quajtur situatën aktuale të jashtëzakonshme, që vepron në trurin dhe zemrat tona, pasi kombi shqiptar tashmë ka dy shtëpi dhe dy shtete. Për të, biseda në lokalin ku dikur kishte qenë shtëpia e shkrimtarit të nderuar, Filip Shiroka, ishte një ndjesi e veçantë. Pyetjes se në bën dallim kur shkruan mes Veriut dhe Jugut, apo zonave të tjera të vendit, ai i është përgjigjur se "kur punoj si shkrimtar nuk mendoj se kjo vepër i kushtohet kësaj apo asaj zone". "Në mënyrë të natyrshme kam shkruar si për Veriun, ashtu dhe për Jugun, si për lartësitë ashtu dhe ultësira", ka thënë Kadare. Ai ka vijuar bisedën duke treguar lidhjet e tij me qytetin e Shkodrës. "Me Shkodrën kam lidhje emocionale, që nga koha kur u ktheva nga Moska, ku isha me studime në Universitetin "Gorki". Ishte një shkollë e huaj, ku me shumë gjëra nuk kam qenë dakord, por kjo më ka shërbyer të mësoj për gjërat që nuk duhen bërë. Kjo ishte një mendësi e re që u krijua tek unë dhe me këtë mendësi kam ardhur në atë kohë në Shkodër. Lidhja emocionale qëndron në faktin se kur isha në hotel "Rozafa", për një javë kam qëndruar dhe kam shkruar "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur". I pari që e ka lexuar këtë vepër ka qenë një piktor shkodran, një prej miqve të shumtë piktor që kam pasur në Shkodër. Përshtypja e tij e parë ishte se ky roman ishte ndryshe", ka thënë Kadare. Për të njohja me piktorët e talentuar të këtij qyteti i ka shërbyer në krijimtari, duke veçuar miqësinë me Jakup Kerajn. "Kam parë një pikturë të tij nudo të mbuluar me një///////////////// futë, pasi në Shkodër ishte marrë me e vu në shtëpi një pikturë nudo", tha Kadare. Nga Keraj shkrimtari ishte frymëzuar për të shkruar dy tregime. "Kur erdha në Shkodër vura re se ky qytet kishte shumë romantikë dhe kishin një lidhje të natyrshme me letërsinë. Më kujtohet Llazar Siliqi. Ishte një shkrimtar komunist, i kufizuar, por që ishte një njeri i mirë, tepër njerëzor, i cili këtë ndjeshmëri humane e shprehte edhe në letërsi. Siliqi ishte nga ata shkrimtarë që i ndihmonte njerëzit, edhe pse ishte komunist, ai i ndihmonte shtresat e persekutuara. Një prej tyre ishte dhe Pashko Gjeçi, përkthyesi i Dante Aligerit, të cilin e ndihmoi të dilte nga burgu dhe të largohej nga puna në gurore. Llazari ishte ai që më njohu me shkrimtarët e asaj kohe, prej të cilëve më la mbresa Pashko Gjeçi një shkrimtar erudit i thellë dhe i talentuar. Pavarësisht këtyre dhuntive dhe përgatitjes së tij, Pashkoja në atë kohë ishte disi i mbyllur, i heshtur, pasi nuk mund t‘i harronte vuajtjet e burgut dhe të gurores", është shprehur Kadare. Ai ka treguar se nëpërmjet miqësisë me Siliqin është njohur dhe me muzikologun që u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë, Ramadan Sokolin. "Më tërhiqte Shkodra si një kujtim i një kohe që kishte perënduar, më kujtonte periudhën kur isha në Bashkimin Sovjetik. Në atë kohë në BS vihej re një farë liberalizimi, por kur një shkrimtar mori çmimin "Nobel" u turrën të gjithë për ta nënshtruar. Ndërkohë në vendin tonë regjimi ishte më i rreptë, pasi këtu të pushkatonin...", është shprehur Kadare. Ai tregoi se kur u kthye në Shqipëri pas studimeve, kishte gjetur këtu një elitë shkrimtarësh pavarësisht sistemit siç ishte Lasgush Poradeci, apo të tjerë që i hasi në qytetin e Shkodrës.

Kadare ka folur edhe për veprën "Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe". "Kjo vepër është shkruar gjatë komunizmit dhe në të ka ndikuar kufiri që vihej në atë kohë, kishte kufizime që i dija se nuk mund t‘i kapërceja. Vepra ka të munguar pjesën e kohës kur jetoi dhe punoi Migjeni", tha Kadare, duke vijuar se për këtë vepër ka pasur dhe kritika. "Ka një keqkuptim dramatik për Migjenin që vazhdon ende. Nuk është faji i Migjenit që regjimi komunist persekutoi shumë shkrimtarë që jetuan në atë kohë. Ishte një periudhë kur bëhej transferimi i krimit të kryer nëpërmjet alibive djallëzore që vazhdojnë edhe sot nga shkrimtarë të asaj kohe të implikuar me Sigurimin e Shtetit, që vazhdojnë edhe sot të përhapin mjegull", tha Kadare. Duke folur sërish për Migjenin ai tha se "kritika idiote komuniste e bëri atë një shkrimtar të realizmit socialist. Po ku e gjeti kjo kritikë lidhjen e Migjenit me komunizmin. Për të krijuar një lidhje të tillë, kritika e asaj kohe e komentonte diellin e ////////////shkura në veprat e Migjenit si figurë letrare që i drejtohej Bashkimit Sovjetik. Migjeni ishte shkrimtar impresionist, jo i realizmit komunist", tha Kadare.

Shkrimtari ka folur dhe për mungesën e mbështetjes që kanë në këtë kohë talentet e reja. Në lidhje me krijimin e gjuhës standarde, Kadare theksoi se në atë kohë sistemi favorizoi dialektin e jugut, por përsëri ishte një dialekt i folur dhe i shkruar i gjuhës shqipe. Të dyja dialektet ishin të pranueshme, por u mor më tepër ai i jugut. Sipas Kadaresë, letërsia e mbajti gjallë dialektin e shkruar geg, pasi regjimi bënte çmos për ta eliminuar, por nuk mundi, sepse kishte shumë vepra me vlerë të shkrimtarëve të mëdhenj si Migjeni, Mjeda, të cilët vlerësoheshin dhe i kishin veprat në atë dialekt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›